Gazetarët Reagojnë Ndaj Seleksionimit të Mediave nga PAN-AKR

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka reaguar ndaj seleksionimit të mediave që është bërë nga drejruesit e koalicionit PAN- Kadri Veseli, Ramush Haradinaj e Fatmir Limaj- si dhe kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli, në momentine nënshkrimit të marrëveshjes për koalicion mes këtyre subjekteve politike.

Marrëveshja e nënshkruar sot në mbrëmje u bë pa u thirrur mediat ndërsa prezentë aty kanë qenë vetëm gazetarët e një portali në pronësi të familjarëve të Behgjet Pacollit.

Pas kësaj ngjarjeje, AGK reagoi duke shprehur “indinjatë të thellë” me rastin e mosftimit të mediave gjatë nënshkrimit të marrëveshjes së koalicionit PAN – AKR.

“AGK konsideron se në këtë aktivitet do të duhej të ftoheshin të gjitha mediat pa përjashtim”, thuhet në reagim.

“Veprimi i sotëm i koalicionit PAN – AKR ka për qëllim ikjen e personaliteteve të caktuara politike nga mediat dhe gazetarët. Poashtu me këtë veprim, koalicioni në fjalë ka pasur për qëllim që diktojë raportimin e mediave për këtë marrëveshje që paraqet interes të jashtëzakonshëm për opinionin publik”, vazhdon reagimi.

“AGK kërkon angazhim më të madh të subjekteve politike, sidomos atyre që mëtojnë ardhjen në pushtet që të jenë të gatshme të ballafaqohen dhe bashkëpunojnë me gazetarët”, thotë AGK.