Oliver Ivanoviq: Nuk jam Fajtor

Lideri i Partisë Liri, Demokraci, Drejtësi, Oliver Ivanoviq u deklarua sot i pafajshëm për akuzën rreth krimeve të luftës të kryera në Mitrovicë në prillin e vitit 1999.

“Nuk jam fajtor, me vetëdëshirë deklaroj”, tha Ivanoviq.

Aktakuza ndaj tij nuk u lexua, pasi u konsiderua në procesverbal e lexuar.

Më pas prokurori Romulo Mateus në fjalën hyrëse tregoi se çfarë ndodhi më 14 prill 1999 në Mitrovicë.

“Më 14 prill ‘99 forcat serbe kanë organizuar një operacion të pastrimit në Mitrovicë ku 15 burra shqiptarë u arrestuan me dyshimin që kanë qenë pjesëtarë të UÇK-së, 6 prej tyre u liruan, ndërsa 9 u shoqëruan nga disa persona që i përkisnin policisë dhe ushtrisë”, tha prokurori Mateus.

Sipas prokurorit katër nga nëntë të shoqëruarit nga forcat serbe u vranë.

“Disa prej shqiptarëve te ndaluar u ekzekutuan. Skender Paçarada, Fatmir Mustafa Avni Abazi dhe Mehmet Seferi u vranë. Ne besojmë se oliver Ivanoviq ishte duke e udhëhequr një njësi serbe këtu”, tha prokurori.

Prokurori Mateus paralajmëroi tre dëshmitarë të rinj në këtë proces.

Nebojsha Vllajiq, avokati i Ivanoviqit  tha se i mbrojturi i tij nuk ka të bëjë asgjë me këto krime të ndodhura në Mitrovicë.

“Gjykimi i sotëm do të nxisë kujtime të trishtueshme për qytetarët e Mitrovicës. Edhe njëherë në këtë rast shpreh ngushëllimet më të sinqerta në emër të Ivanoviqit, por zoti Ivanoviq nuk ka të bëjë asgjë me të”, tha avokati Vllajiq.

Ai deklaroi se drejtësia nuk duhet të dënojë të pafajshmit.

“Kërkojmë të nxirret e vërteta për krimin që ka ndodhur aty, por drejtësia nuk është që të dënohet i pafajshmi”, tha Vllajiq.

Gjykata vendosi që palët më 25 prill të dalin në vendin ku ndodhën krimet për të cilat akuzohet Ivanoviq, ndërsa datat e këtij gjykimi janë përcaktuar deri në muajin qershor.

Më 21 janar të vitit të kaluar për krime lufte të kryera në Rrugën e Kovaçëve në Mitrovicë më 14 prill 1999, Oliver Ivanoviq u dënua me nëntë vjet burg.

http://kallxo.com/sot-vendimi-per-oliver-ivanoviqin/

Pas shqyrtimit të këtij rasti në shkurt të 2017-ës Gjykata e Apelit vendosi që rastin e Ivanoviqit për pikën e parë të aktakuzës që lidhet pikërisht me këto krime ta kthejë në rigjykim.

http://kallxo.com/apeli-e-dergon-ne-rigjykim-rastin-e-oliver-ivanoviqit/