Protesta e nxënësve në Travnik.

Nxënësit Boshnjakë Protestojnë Kundër Ndarjes Etnike në Shkolla

Nxënësit nga Jajce udhëtuan sot në qytetin e Travnikut për të protestuar kundër ndarjes etnike në shkollat e Bosnjës, disa ditë pasi fituan një betejë të ashpër njëvjeçare kundër praktikës në vendlindjen e tyre.

Rreth 100 nxënës nga Jajce, Travniku, Novi Travniku, Bugojno, Fojnica, Sarajeva, Tuzlla dhe Zenica mbajtën parulla me slogane si “Ndarja etnike është një investim i keq” dhe “Ne jemi këtu për të krijuar një të ardhme, jo për të përsëritur të kaluarën”.

Ata po protestonin kundër një praktike boshnjake të njohur si “dy shkolla nën një çati”, një sistem sipas të cilit nxënës të etnive të ndryshme mbahen të ndarë dhe mësojnë nga kurrikula të ndryshme mësimore “kombëtare” – boshnjake, kroate ose serbe.

Një turmë nxënësish ishte mbledhur tashmë përpara ndërtesës së qeverisë së kantonit të Bosnjës Qendrore në Travnik para se të mbërrinin nxënësit nga Jajce në mesditë. Ata u duartrokitën dhe u përshëndetën si heronj për fitoren e tyre të fundit.

“Ata filluan një betejë me dikë që është shumë më i fortë dhe shumë më i pasur sesa ata. Ata nuk donin të ishin peng i politikës manipuluese që drejton qeveria jonë”, tha një përfaqësues i protestuesve në një fjalim.

Radio Europa e Lirë raportoi të dielën se ministri i Arsimit i kantonit të Bosnjës Qendrore kishte lajmëruar se në Jajce s’do të ngrihet më një shkollë e re me etni në ndara, në të cilën do të mësohet kurrikula mësimore boshnjake, për shkak të presionit të nxënësve dhe të organizatave ndërkombëtare siç është OSBE-ja.

Nxënësit nga Jajce thanë se ata ishin të lumtur që arritën të parandalonin ngritjen e shkollës së 58-të etnikisht të ndarë në entitetin e Federatës, por se ata janë të ndërgjegjshëm që janë ende 57 shkolla të tilla në entitet.

“Shkollat në Jajce janë të ndara, ne i kemi frekuentuar ato dhe jemi të vetëdijshëm për rreziqet që po shkaktojnë “dy shkolla nën një çati” për shoqërinë e Jajces dhe Bosnjës dhe Hercegovinës në të tashme dhe në të ardhme”, thuhej në një deklaratë nga nxënësit e Jajces.

Ndërkohë, deputeti Dennis Gratz nga Parlamenti i entitetit propozoi të martën një ligj për të ndaluar ndarjen etnike në shkollat në entitet.

“Ky është një rregull që do të përcaktojë qartë se çdo formë ndarjeje fizike e personave, sidomos e nxënësve dhe mësuesve gjatë orëve të mësimit, aktiviteteve jashtëshkollore dhe pushimeve, është ndarje dhe diskriminim dhe Federata ka kompetenca dhe detyrë ta ndalojë një praktikë të tillë – jo nga perspektiva e arsimit, por nga detyra për të mbrojtur të drejtat e njeriut dhe liritë qytetare”, tha Gratz.