Vendi ku ndodhi vrasja në "Albi Mall" - Foto: Kallxo.com

Në Gjykatë Analizohen Pamjet e Momentit të Vrasjes në ‘Albi Mall’

Propozimin e Prokurorisë për t’i parë CD-të me video-incizimet e momentit të vrasjes nuk e kundërshtoi as mbrojtja e të akuzuarve.

Për të sqaruar rrethanat e vrasjes së Nazmi Rrahmanit në gjykimin ku të akuzuar janë Shpëtim Cakolli, Liridon Beka, Leutrim Sadiku dhe Anduan Rexhepi do të bëhet shikimi i disa CD-ve me video-incizime  të ngjarjes që ndodhi në fund të muajit mars të vitit 2015.

NDËRLIDHUR

Këtë propozim e dha prokurorja Habibe Salihu-Statovci ndërsa u miratua nga trupit gjykues, teksa nuk u kundërshtua as nga mbrojtja e të akuzuarve.

Prokurorja shikimin e CD-ve ta vrasjes në “Albi Mall” e arsyetoi me rëndësinë e madhe që kanë pamjet për zbardhjen e rastit, ndërsa u njoftua se shikimi do të ndodhë  në seancën e 26 prillit.

Gjithashtu, në seancë dëshmoi Visar Curri, menaxheri i lokalit “Don Cafe”, që sipas Prokurorisë ishte caku i të akuzuarve.

Curri tha se natën kritike e kishte dërguar me veturë zëvendësmenaxherin, Granit Pylla, deri në banesën e tij pasi e kishte rrugën andej dhe donte t’i bënte një favor.

Megjithatë, Curri tha se Graniti ishte vonuar të dilte nga kafeneja në “Albi Malli”, pasi një kamerier e kishte harruar kuletën.

“Pasi që erdhi tha se dikush prej kamerierëve e kishte harruar kuletën dhe ma kërkoj telefonin me thirrë dhe e kanë lënë takimin tek Rrethi i Spitalit dhe ia ka dhënë kuletën përmes dritares, nga aty kemi shkuar në pompë të benzinës dhe pastaj në ‘Minimax’”, tha Curri.

Prokuroria pretendon se harrimi i kuletës ishte një lloj karremi me qëllim që të akuzuarit të vërtetoheshin se askush nuk kishte mbetur në lokal.

I akuzuari Shpëtim Cakolli ishte kamerier në lokalin “Don Cafe”.

Curri më tej tha se nuk i kujtohej ndonjë rast tjetër që dikush kishte harruar kuletën por tha se edhe nëse e kanë harruar nuk i kujtohej që dikush kishte kërkuar që t’ia sillnin.

Dëshmitari Curri tha se të ndjerin Nazmi Ramadani e kishte njohur dhe kishte biseduar me të disa herë.

“Kam pasë një përshtypje shumë të mirë për të, disa herë kemi diskutuar për aktualitetin politik në vend, asnjëherë nuk kam pasë asnjë lloj vërejtje në punën e tij”, tha Curri.

Curri u pyet edhe lidhur me kamerierin, tani të akuzuarin Shpëtim Cakolli për të cilin tha se e kishte marrë në punë një menaxher tjetër që kishte qenë, ndërsa e përshrkruajti si “djalë të qetë”.

Sipas aktakuzës, Shpëtim Cakolli, Liridon Beka, Leutrim Sadiku akuzohen për vjedhje grabitqare në lokalin “Don Café”, në “Albi Mall”, e cila rezultoi me një përleshje ku mbeti i vrarë Nazmi Ramadani.

I akuzuari i katërt, Anduan Rexhepi, sipas Prokurorisë ishte në rolin e shoferit dhe akuzohet për ndihmë në kryerjen e veprës.

Gjithnjë sipas aktakuzës, në momentin kur grupi kishte arritur në katin e tretë të qendrës tregtare dhe e kishin zbuluar arkën ku mbahej pazari ditor, roja tani i ndjerë i kishte vërejtur dhe kishte filluar një përleshje me ta. Në konfrontim e sipër, sipas Prokurorisë, njëri nga të akuzuarit kishte shtënë katër herë në të ndjerin.

Në seancën e kaluar dëshmoi bashkëshortja e viktimës.

Vrasja në ‘Albi Mall’, Dëshmon Gruaja e Viktimës

KALLXO.com ka përcjellë në vazhdimësi këtë proces. Raportet mund t’i gjeni në këtë link.

Ndërsa, në kuadër të rubrikës “Policia” të emisionit “Drejtësia në Kosovë“ janë shfaqur pamjet nga gjetja e armës me të cilën dyshohet se është kryer vrasja e rojës së qendrës tregtare “Albi Mall”.

Pamjet mund t’i ndiqni në linkun e mëposhtëm.

Policia e Kosoves: Vrasja ne Albi Mall

 

19 Mars 2017 - 19:20

Labinot Leposhtica 19/03/2017 - 19:20
NDËRVEPRIMI0

Në Gjykatë Analizohen Pamjet e Momentit të Vrasjes në ‘Albi Mall’

by Labinot Leposhtica
NA NDIQNI

Send this to a friend