Pamje nga seanca e rastit "Albi Mall" - Foto: Kallxo.com

Vrasja në ‘Albi Mall’, Refuzohen Kërkesat e Mbrojtjes

Kryetarja e trupit gjykues, Shadije Gërguri, e rastit të vrasjes së rojës në qendrën tregtare “Albi Mall” mori aktvendim përmes të cilit nuk i pranoi kërkesat e palës mbrojtëse, e cila kërkoi që të hidhet poshtë aktakuza dhe të kundërshtohen provat.

Në këtë proces po gjykohen Shpëtim Cakolli, Liridon Beka, Leutrim Sadiku dhe Ajduan Rexhepi, të cilët akuzohen se janë pjesëmarrës në vrasjen e rojës Nazmi Ramadani.

Paraprakisht, avokatët e të akuzuarve kishin kërkuar që gjykata të hedhë poshtë aktakuzën dhe të kundërshtojë provat.

Avokati Ramiz Krasniqi, mbrojtës i Liridon Bekës, tha se kualifikimi juridik për klientin e tij është i gabuar. “Kualifikimi i veprës në raport me të mbrojturin tim është në kundërshtim me veprimet e tij”, tha avokati.

Sikurse Krasniqi edhe mbrojtësi Leutrim Sadikut, avokati Nasuf Hasani shprehu kundërshtimet ndaj aktakuzës së ngritur nga prokurorja Habibe Salihi.

“E nderuara gjykatëse unë e mbështes në tërësi kërkesën për hedhjen e aktakuzës siç e kam dorëzuar”, tha ai.

Ndërsa, Destan Rukiqi, avokat i Ajduan Rexhepit, kërkoi nga prokurorja që të reflektojë në kualifikimin juridik që i është bërë veprës penale të klientit të tij.

“Është e nevojshme dhe unë e kisha lutë prokuroren që  megjithatë të reflektojë sepse provat që i ka ofruar, përshkrimit faktik të veprimeve nuk korrespondon me veprën penale për të cilën akuzohet Ajduan Rexhepi”, tha Rukiqi.

Kurse, prokurorja Habibe Salihu kërkoi nga Gjykata që të hedhë poshtë kundërshtimet e paraqitura nga pala mbrojtëse.

E fjalën e prokurores e mbështeti edhe Bajram Tmava, avokat i familjes së viktimës.

“E mbështes deklarimin e prokurores, me theks të veçantë se deklarimi i tillë përkon me provat të cilat gjinden në dosje të lëndës e të cilat prova në tërësi e mbështesin aktakuzën, të cilën kjo gjykatë duhet të zbatojë në shqyrtimet gjyqësore”, tha Tmava.

Sipas Prokurorisë, të akuzuarit Canolli, Sadiku e Beka ishin marrë vesh që natën kur ndodhi vrasja të kryenin një grabitje në arkën ku ruheshin paratë e kafenesë “Don Cafe”.

Informatat se ku ruheshin paratë grupit i ishin dhënë nga Shpëtim Canolli. I njëjti sipas aktakuzës kishte siguruar detaje për mundësitë se nga mund të hyhej në katin e tretë të qendrës tregtare pa u vërejtur.

Pjesë e aktakuzës përpos tre të rinjve është edhe Ajduan Rexhepi, i cili natën e vrasjes, sipas Prokurorisë, e kishte detyrën e vozitësit.

Në mars të vitit të kaluar emisioni ‘Drejtësia në Kosovë” kishte sjellë filmimet ekskluzive të arrestimit të

grupit të dyshuar dhe momentit kur Policia kishte zbuluar armën e vrasjes.

KALLXO.com ka raportuar edhe më parë për këtë rast. Raportimet mund t’i gjeni këtu.