Kuvendi i Kosovës - Foto: KALLXO.com

Miratohet Marrëveshja për Themelimin e Fondit të Ballkanit Perëndimor

Kuvendi i Kosovës e miratoi Ligjin për ratifikimin e Marrëveshjes lidhur me themelimin e Fondit të Ballkanit Perëndimor.

Pas pauzës, deputetët u kthyen me një deklaratë të përbashkët, si konsensus për ta votuar Marrëveshjen, e cila në tentimin e parë dështoi.

Me 80 vota për e 5 kundër u aprovua deklarata e Kuvendit, ku pas kësaj u votua edhe për ratifikimin e Marrëveshjes.

Kryesuesi kërkoi pëlqimin formal me ngritje dore, për ta rivotuar të njëjtën.

Me 89 vota për e 2 kundër u aprovua edhe Marrëveshja në tërësi.

Fondi i Ballkanit Perëndimor do të ketë selinë në Tiranë.

Para miratimit të Marrëveshjes u miratua deklarata prej tre pikash: 1. Kuvendi i Republikës së Kosovës e njeh Kosovën vetëm në bazë të emrit të saj kushtetues si Republikë e Kosovës; 2. Në përputhje me nenin 18 të Kushtetutës, të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare ratifikohen me Ligj që i referohet Kosovës sipas emrit të saj kushtetues; 3. Kjo Deklaratë do t’i bashkëngjitet secilës marrëveshje ndërkombëtare e cila ratifikohet në Kuvend nga sot e tutje.

http://kallxo.com/fusnota-pengon-kalimin-e-marreveshjes-per-fondin/

Më pas u miratua edhe Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes për themelimin e Zyrës Rajonale për Bashkëpunim Rinor në mes Kosovës, Shqipërisë, Bosnjës dhe Hercegovinës, Malit të Zi, Maqedonisë dhe Serbisë.

Për këtë Ligj 82 vota ishin për, 10 kundër dhe 1 abstenim.