Militantët e Opozitës Pozicionohen Para Kuvendit

Aktivistë të lëvizjes Vetëvendosje (LVV) janë grumbulluar para Kuvendit të Kosovës pas thirrjes së partisë opozitare.

Vetëvendosje përmes një njoftimi ftoi qytetarët të mblidhen para Kuvendit, me sloganet “Në mbrojtje të Republikës!” dhe “Zajednica” nuk kalon!”.

Në fakt, turma para objektit të parlamentit përfshin mbi 100 persona, të cilët po qëndrojnë qetësisht dhe nuk paraqiten shenja agresiviteti.

Sipas Valdrin Ahmetit, aktivist i LVV-së, kryetari i Kuvendit Kadri Veseli u ka thënë deputetëve të opozitës se nëse nuk ulen kur të rifillojë seanca do t’u thërrasë njësinë speciale.

Në fakt, ky i fundit lajmëroi një shtyrje të seancës për 30 minuta, pasi deputetët e opozitës qëndronin në këmbë dhe situata tensionohej.

Kjo ishte shtyrja e dytë pasi deputetët e opozitës, u bashkuan në një breshëri vezësh dhe objektesh të tjera ndaj Kryeminsitrit Isa Mustafa, ndërsa ky i fundit u ngjit në foltore për të folur për marrëveshjet e shumëdiskutuara të muajit gusht në Bruksel.

“I kemi lajmëru strukturat në Prishtinë dhe jemi duke i lajmëru edhe në qytetet tjera. Po janë përdor të gjitha mjetet e komunikimit. Pritet me na u bashku aktivistët dhe qytetarët prej të gjitha komunave sepse thirrja është publike. Informim prej të tri partive opozitare”, thotë Nol Nushi, aktivist i LVV para Kuvendit.