Luksi i Bordit dhe Menaxhmentit të Postës

Bordi i Postës së Kosovës dhe menaxhmenti i saj kanë alarmuar opinionin se pagat e muajit prill për punëtorët nuk do të mund të sigurohen për shkak të krizës financiare. Por, ata prej vitesh kanë marrë paga të larta për punën e tyre në këtë ndërmarrje.

Përveç kësaj, kjo ndërmarrje që nga themelimi i saj në vitin 2012, vazhdimisht e ka rritur numrin e të punësuarve. Një pjesë e të punësuarve kanë hyrë përmes kontratave mbi vepër, ndërsa në konkurset e hapura të suksesshëm kanë dalë të afërmit e menaxhmentit dhe anëtarëve të bordit të kësaj ndërmarrjeje.

Përderisa punëtorët rrezikohen që mos të paguhen në muajin prill, KALLXO.com në anën tjetër ka nxjerrë nga Agjencia Kundër Korrupsion deklarimet e pasurisë të vitit 2017 të drejtorëve, anëtarëve të bordit e kryeshefit ekzekutiv.

Kryeshefi ekzekutiv i Postës, Sejdi Hoxha, ka deklaruar se të hyrat e tij vjetore të postës janë 30 mijë euro. Vlera e pagës mujore të Hoxhës është 2 mijë e 500 euro. Duke i krahasuar disa prej të hyrave vjetore të disa prej menaxhmentit të Postës në vitin 2014, kryeshefi Sejdi Hoxha të hyra vjetore i ka pasur të deklaruara 36 mijë e 960 euro.

Zëvendësi i tij, Shefqet Avdija në Agjencinë Kundër Korrupsion ka deklaruar se të hyrat vjetore të tij nga Posta janë 21 mijë e 879 euro. Argjent Sefa, sekretari i Korporatës ka deklaruar në AKK se të hyrat vjetore të tij nga Posta janë 21 mijë e 812 euro. Zyrtari kryesor i financave, Behxhet Maliqi ka deklaruar në AKK se të hyrat vjetore të tij nga Posta janë 21 mijë e 974 euro.

Kryesuesi i Bordit, Halit Isufi ka deklaruar se paga mujore e tij në Postë është 932 euro. Mejdi Xhokli anëtar i Bordit, merr pagë nga Telekomi dhe nga Posta. Nga Posta e Kosovës të hyrat vjetore i ka 6 mijë ndërsa nga Telekomi, 14 mijë e 280 euro. Rushan Ceka, anëtare e bordit, te deklaruara në AKK për të hyra vjetore nga Posta i ka 8 mijë e 579 euro.

http://kallxo.com/nder-850-aplikante-posta-perzgjedh-vajzen-e-anetarit-te-bordit/