Kuvendi miraton Ligjin për Kryeqytetin

Kuvendi i Kosovës sapo ka miratuar Ligjin për Kryeqytetin.

Ligji u miratua pas debateve për e kundër formimit të Policisë së Kryeqytetit.

Disa deputetë dyshonin se formimi i Policisë së Kryeqytetit do t’I hapte derën formimit të policive lokale edhe në pjesë të tjera të Kosovës.

Deputeti Dardan Sejdiu nga PSD tha se Ligji sa i përket Policisë së Kryeqytetit është në përputhje me Kushtetutën dhe se zinxhiri komandues nuk kontestohet fare.

Ai e vlerësoi domosdoshmëri themelimin e Drejtorisë së Policisë së kryeqytetit.

Ndërsa, Vjosa Osmani nga LDK, tha se ashtu siç është paraqitur në amendament, propozimi na kthen në situatë të ngjashme kur është tentuar të krijohen polici për zona të caktuara.

“Nëse i japim një kompetencë të tillë mund të ketë kërkesa të tjera. Amendamentin nuk mund ta votojmë në këtë format. Që mos të krijohet një precedent edhe për pjesë të tjera të Kosovës dhe të keqpërdoret në të ardhmen”, tha Vjosa Osmani.

Ndërsa, bashkëpartiaku i saj, Ismet Beqiri, kujtoi se gjatë viteve 2005-2007 kishte kërkuar atëherë nga UNMIK-u që Prishtina të kishte Policinë Komunale.

“Është rast që nuk guxojmë ta lëshojmë që Prishtina të mos ketë Policinë. Prishtina nuk hap derë për askënd tjetër. Prishtina është kryeqytet”, theksoi Ismet Beqiri, i cili foli nga përvoja e tij si kryetar i Prishtinës për problemet që ka pasur në mungesë të një policie të kryeqytetit.

Nga 67 deputetët e pranishëm në sallë, 66 votuan për Ligjin për Kryeqytetin.

Ndërsa, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka postuar një informacion në profilin e tij në “Facebook”, lidhur me miratimin e Ligjit.

“Jam i lumtur që Kuvendi i Kosovës miratoi Ligjin për Kryeqytetin, i cili e ndihmon zhvillimin e Prishtinës, me më shumë buxhet dhe kompetenca. Po ashtu, me këtë Ligj, Prizreni njihet si Kryeqytet Historik i Kosovës”, ka shkruar ai.