Kryeministri Malazez Mbyll Vizitën në Kompaninë e Këshilltarit të Haradinajt

Kryeministri malazez, Dushko Markoviq, gjatë qëndrimit nesër në Kosovë, agjendën do ta përmbyllë me vizitën në kompaninë e Gazmend Abrashit, këshilltarit të kryeministrit Ramush Haradinaj.

Referuar agjendës zyrtare të Qeverisë, pak para mesditës, në orën 11:00, Markoviq do të pritet në koktej rasti nga kompanitë nga vendi që punojnë me vendet e rajonit. Takimi do të zhvillohet në objektin e “Exclusive Group”.

Në faqen zyrtare të kësaj kompanie, Abrashi figuron si president i saj.

Në llogarinë e tij në “Facebook”, më 2 nëntor të vitit 2017, Gazmend Abrashi kishte postuar një foto me kryeministrin malazez në një konferencë ekonomike të mbajtur në Mal të Zi.

Në pyetjen e KALLXO.com se kush janë personat që e kanë përcaktuar agjendën, zëdhënësja e Qeverisë, Donjeta Gashi, ka thënë se janë të “tjerë të zyrës dhe disa të protokollit”.

“Policia e Kosovës, Zyra e Kryeministrit, protokolli shtetëror dhe akterë të tjerë që janë përgjegjës për pritje të këtij niveli”, tha ajo.

KALLXO.com ka dërguar pyetje edhe te  vet këshilltari, por ai nuk u është përgjigjur pyetjeve tona.

Dushko Markoviq do të qëndrojë nesër në Kosovë dhe do të pritet nga Kryeministri Haradinaj dhe kryeparlamentari Kadri Veseli.