Kryeministri Ramush Haradinaj dhe përfaqësuesi i përhershëm i FMN-së për Kosovën, Ruud Vermeulen - Foto: ZKM

Haradinaj Diskuton për Qëndrueshmërinë Fiskale me Zyrtarin e FMN-së

Qëndrueshmëria fiskale e Kosovës si dhe bashkëpunimi me Fondin Monetar Ndërkombëtar, ishin temë diskutimi ndërmjet kryeministrit Ramush Haradinaj dhe përfaqësuesit të përhershëm të FMN-së për Kosovën, Ruud Vermeulen.

Kryeministri Haradinaj e vlerësoi lart rolin e FMN-së në mbështetjen financiare për Kosovën.

Sipas një komunikate të Qeverisë, Ruud Vermeulen ka thënë se FMN pret që të vazhdojë bashkëpunimin e mirë me autoritetet e Kosovës dhe është gati të mbështesë Qeverinë e re brenda mandatit të vet.

“Ai e mirëpriti prioritetin e Qeverisë për ruajtjen e stabilitetit makrofinanciar, një prioritet që e ndan edhe Fondi”, thuhet në komunikatë.

Po ashtu, gjatë ditës, kryeministri Haradinaj ka pritur në takim shefen e EULEX-it, Alexandra Papadopoulos.

Në takim është diskutuar e ardhmja e EULEX-it, me fokus të veçantë reformat në sundimin e ligjit.

Duke qenë se mandati i EULEX-it është në fazën përfundimtare (qershor 2018), Papadopoulos theksoi se transferimi i kompetencave nga EULEX-i në institucionet e Kosovës do të realizohet në harmoni të plotë me planin e përbashkët të veprimit, i cili do të hartohet nga shtetet anëtare të BE-së, EULEX dhe institucionet e Kosovës.

Sipas një komunikate të Qeverisë, kryeministri Haradinaj është pajtuar për prioritetet e fazës tranzitore dhe transferimin e kompetencave, duke u zotuar se sfidat në këtë aspekt do të tejkalohen.

“Po ashtu, është diskutuar konsolidimi i institucioneve të drejtësisë në veri të Kosovës. U theksua se Këshilli Gjyqësor i Kosovës duhet që t’i emërojë sa më shpejt gjyqtarët dhe prokurorët në veri”, thuhet në komunikatë.

Kryeministri Ramush Haradinaj dhe shefja e EULEX-it, Alexandra Papadopoulos – Foto: ZKM