Gjykata Themelore e Prishtinës - Foto: KALLXO.com

Gjykata Përmirëson Gabimin pas Interesimit të KALLXO.com

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka përmirësuar një gabim të vetin menjëherë pasi KALLXO.com ka dërguar pyetje për çështjen e njëjtë.

Një qytetar ka raportuar në KALLXO.com se në rastin e tij në Gjykatën Themelore të Prishtinës në Departamentin e Përgjithshëm, ishte ngarkuar me një taksë gjyqësore prej 500 euro në emër të aktgjykimit, e në fakt ai nuk duhej ta paguante këtë taksë.

KALLXO.com ka gjetur të drejtë pretendimin e qytetarit pasi që sipas Udhëzimit Administrativ nr. 01/2017 përcaktohet se palët lirohen nga pagesa e taksave gjyqësore për aktgjykime dhe aktvendime.

Udhëzimi Administrativ 01/2017 që përcakton unifikimin e taksave gjyqësore, në nenin 15 përcakton se  qytetarët nuk ngarkohen të paguajnë për aktgjykime dhe aktvendime të nxjerra nga të gjitha instancat gjyqësore në Kosovë.

Lidhur me këtë çështje KALLXO.com ka dërguar pyetje në Gjykatën Themelore të Prishtinës, zyra për informim e së cilës ka konfirmuar se gjyqtarja e rastit ka korrigjuar aktgjykimin.

“Lidhur me kërkesën tuaj ju njoftojmë se pas informacionit që është bërë ky lëshim, sipas detyrës zyrtare gjyqtarja e çështjes ka bërë korrigjim, me ç’ rast ka marrë aktvendim për përmirësim të Aktgjykimit me dt. 02.11.2017”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Informim pranë Gjykatës Themelore të Prishtinës.

KALLXO.com në vazhdimësi ka raportuar për lëshimet e bëra nga organet gjyqësore.

http://kallxo.com/ftohet-ne-gjykate-diten-e-diel/

http://kallxo.com/ftohet-ne-gjykate-me-30-shkurt/