Trusti humb edhe 31 milionë

Aksioneve të Fondit të Trustit të Kursimeve Pensionale u ka rënë prapë vlera. Vlera e aksioneve të kursimeve pensionale të punëtorëve kosovarë, në tremujorin e tretë të këtij viti ka rënë për 31 milionë euro. Kjo ka bërë që prej fillimit të vitit 2011 e deri më 1 tetor, Trusti të ketë humbje të parealizueshme nga investimet, prej rreth 16.5 milionë euro, shkruan Koha Ditore.

Për këto humbje të mëdha në vlerën e aksioneve të trustit, anëtarët e Bordit nuk janë shumë të shqetësuar. Ata i shohin investimet e kontribuuesve kosovarë në objektiva afatgjate, mbi 20-vjeçare.

“Bordi dëshiron t’i rikujtojë opinionit se strategjitë investuese të kursimeve pensionale kanë objektiva afatgjata 20 deri 25-vjeçare dhe lëvizjet mujore ose tremujore nuk duhet të ndikojnë radikalisht në politikën investuese. Kjo gjithmonë duke pasur parasysh se mosha mesatare e kontribuuesve të Trustit është nën 40 vjet”, tha të mërkurën kreu i bordit të Trustit, Ymer Havolli.

Ai u mundua t’i minimizojë humbjet duke i futur për herë të parë në kalkulim, rritjet e vlerës së aksioneve në 15-ditët e para të muajit tetor. Sipas tij, performanca e aksioneve të Trustit në gjysmën e parë të këtij muaji ka qenë me kthim pozitiv prej 11 milionë eurove.

“Sa u përket parashikimeve për tremujorin e katërt, deri në këtë moment nuk ka ende ndonjë qëndrim të institucioneve të rëndësishme financiare ndërkombëtare që mund të jetë i qëndrueshëm dhe i sigurt. Rezultati do të varet nga shumë faktorë dhe kryesori do të vazhdojë të jetë: zgjidhja e problemit të krizës së borxheve në BE nga vetë qeveritë e këtyre vendeve”, tha Havolli, duke lënë të kuptohet se rritjet në pjesën e parë të këtij muaji nuk janë relevante.

Performanca negative në tremujorin e tretë të këtij viti, nuk i ka bindur anëtarët e Bordit të Trustit që ta ndryshojnë strategjinë e tyre investuese.

“Është e vërtetë që ka rënie të vlerës së aksioneve, por jo humbje. Qysh prej krijimit të Bordit aktual, në prill të vitit 2009, vetëm dy nga 10 tremujorët kanë performancë negative në investime, kurse tetë tremujorët e tjerë kishin performancë pozitive. Kjo, e përsërisim, falë politikës investuese që ky Bord ka ndjekur që nga emërimi prej Kuvendit të Kosovës”, tha Havolli.

Bordi njoftoi kontribuuesit se kursimet e tyre pensionale janë të investuara në vendet më të zhvilluara të botës dhe portofoli investues është i shpërndarë për t’i mbrojtur sa më shumë kursimet e tyre pensionale nga rëniet në tregjet financiare. “Megjithëse kriza ekonomike e këtij viti ka tronditur rëndë deri edhe ekonomitë më të përparuara të globit, kursimet pensionale vazhdojnë të mos jenë të rrezikuara dhe rëniet eventuale mund të rikthehen shumë shpejt nga ngritja e tregjeve. Njëkohësisht gjendja aktuale e tregjeve paraqet edhe një shans të volitshëm që të blihen aksione të kompanive më të forta botërore me çmime gati historikisht të ulëta, që në periudha afatgjata do të ishin mjaft të leverdishme për kontribuuesit”, theksoi Havolli.

Mjetet në menaxhim, me kontributet e këtij viti janë rritur për rreth 62 milionë euro në vitin 2011. Nga rreth 495 milionë euro që ishin në fillim të janarit të këtij, kjo vlerë arriti në rreth 557 milionë euro në mes të këtij muaji. Bordi i ka propozuar Kuvendit të Kosovës uljen e mëtejme të taksës menaxhuese.

“Nëse Kuvendi e miraton këtë propozim, duke filluar nga 1 janari 2011 kontribuuesit e Trustit do të paguajnë vetëm 0.60% të kontributeve për operimin dhe menaxhimin e mjeteve të tyre”, tha kreu i Bordit të Trustit, transmeton KD.

Bordi më tej do të shpallë një shprehje interesi për të gjitha bankat komerciale në Kosovë për të investuar më shumë mjete të kontribuuesve në depozitat bankare të Kosovës. Krejt në fund Bordi Udhëheqës i Trustit përsërit kërkesën që t’i bëhet i mundur nga institucionet e vendit që më shumë mjete të kontribuuesve t’i investojë në Kosovë.