Ish luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Foto: Hazir Reka

Të Fshehur e të Dukshëm – Dëshmitarët e Mbrojtur të Kosovës

Një gjykatë e re përballet me problemet e vjetra në mbrojtjen e dëshmitarëve për një kapitull të errët të luftës së Kosovës për liri.

Halili hap derën e metaltë dhe instinktivisht vë dorën në këllëfin e revolës austriake Glock të lidhur në bel për rripi. Një kamerë vëzhgon e varur mbi derë të hyrjes së oborrit, me objektiv të kthyer nga rruga. I është bërë rit të jetë i vëmendshëm për veten.

NDËRLIDHUR

Kanë kaluar më shumë se 17 vjet që kur Halili (nuk është emri i tij i vërtetë) thotë se u burgos dhe torturua nga guerilët shqiptarë të Kosovës në një burg sekret në malet e thella të Shqipërisë veriore.

Si shqiptar i Kosovës, krimi i vetëm i Halilit ishte se i përkiste grupit rival të guerilasve për pushtetin e pasluftës.

BIRN nuk mund ta identifikojë Halilin me emrin e tij të vërtetë, t’ia përshkruajë dukjen apo vendndodhjen, për shkak të sigurisë së tij, përveç se të thotë se ai jeton në vendin e tij të lindjes në Kosovë, në mes të atyre të cilët do të donin ta bënin të heshtë.

Brenda pak muajve, ai pret të ngritet kundër torturuesve të tij si pjesë e një procesi shpërthyes për të hedhur dritë në pjesën më të errët të luftës së Kosovës për liri nga shtypja serbe, një luftë e cila fitoi mbështetjen vendimtare për bombardimet e NATO-s në vitin 1999.

Një gjykatë e re e krijuar së fundmi, me seli në Holandë, pritet t’i shpallë aktakuzat e para brenda disa javësh apo muajsh.

Suksesi i gjykatës varet nga Halili dhe kosovarët tjerë të gatshëm për të dëshmuar kundër ish- guerilasve politikisht të fuqishëm, heronj për shumë njerëz të afërt me ta.

Rreziqet janë të mëdha, si për stabilitetin e Kosovës dhe konsolidimin e saj si shtet i pavarur, ashtu edhe për dëshmitarët që kanë marrë guximin të flasin.

Të tjerë para tyre e kanë paguar me jetë, duke qenë viktima të njëlloj frikësimi sistematik i cili pengoi përpjekjet për të sjellë para drejtësisë guerilasit e dyshuar për krime lufte.

“Ata na torturuan dhe vranë”, thotë Halili. “Jetoj për të dëshmuar”.

Gjykata që financohet nga Bashkimi Europian, refuzoi të japë ndonjë detaj për këtë hulumtim mbi masat që po merr për të ofruar siguri për dëshmitarët, duke thënë se po punon “me çdokënd për të siguruar që janë vendosur masa adekuate për t’i mbrojtur dëshmitarët para, gjatë dhe pas gjykimit”.

Clint Williamson, hetuesi amerikan dëshmitë e të cilit ofruan bazën për gjykatën, në vitin 2014 paralajmëroi për përpjekje “të vazhdueshme” për ta minuar punën e tij përmes ndërhyrjes në dëshmitarë. Por, ai tha se do të ketë aktakuza.

“Jetoj për të dëshmuar” – dëshmitari anonim shqiptar i Kosovës kundër ish luftëtarëve guerilë.

Për shkak të kohës që ka kaluar dhe numrit të paktë të provave materiale, prokurorët do të varen shumë në dëshmitarët okularë. Shumë nga ta besohet të jenë larguar tashmë nga Kosova dhe disa të tjerëve do t’u jepet identitet i ri. Por të tjerë, si Halili, refuzojnë të largohen.

“Është e vështirë të fshihesh brenda Kosovës”, thotë Robert Dean, një ish- prokuror i misionit të OKB-së që e administroi Kosovën pas luftës së viteve 1998-1999.

Por, ai thotë se nuk beson se ata do ta nisnin punën e gjykatës “pa i vendosur mekanizmat (për mbrojtjen e dëshmitarëve)”.

‘Re të zeza mbi Kosovë’

Gjykata e re – e njohur si Dhoma e Specializuar dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – është themeluar për t’i gjykuar figurat e ish UÇK-së përgjegjës për atë që Williamson e përshkroi si “fushatë e ndjekjes” kundër serbëve dhe romëve pas luftës së vitit 1999 në Kosovë dhe “vrasjet e jashtëligjshme, burgosjet ilegale dhe trajtimin jonjerëzor” të shqiptarëve të Kosovës të supozuar si rivalë politikë.

Williamson qe emëruar nga Bashkimi Europian për t’i hetuar pretendimet ndaj ish guerilëve në një raport tronditës të hetuesit të Këshillit të Europës, Dick Marty, i cili thotë se UÇK u kishte hequr organet të burgosurve serbë në veri të Shqipërinë për t’i shitur jashtë shtetit.

BE shpalli themelimin e një gjykate speciale për t’i ndjekur gjetjet e Williamson dhe Kosova, pas shumë zemërimeve dhe anktheve, mbështeti idenë me një votim parlamentar në gusht të vitit 2015.

Williamson, megjithatë, paralajmëroi se tashmë janë duke u bërë taktika sabotimi.

“Për sa kohë disa njerëz të pushtetshëm vazhdojnë t’i pengojnë hetimet rreth kriminalitetit të tyre, janë njerëzit e Kosovës që do ta paguajnë çmimin ngase kjo lë një re të zezë mbi vend”, tha ai.

Halili ka dëshmuar tashmë dy herë në Kosovë në gjykimet ndaj ish- guerilëve, të udhëhequra nga misioni i Bashkimit Europian, EULEX, i cili mori përsipër rastet e krimeve të luftës në Kosovë pasi vendi e shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008.

Ai nuk ka iluzion se identiteti i tij mund të mbetet sekret.

“Ata na premtuan se nuk do të njihemi”, tha ai për prokurorët europianë gjatë gjykimeve të para. “Por unë mendoj se ata (ish- UÇK) na njohin mirë”.

Mbrojtja e Halilit përfshin një revole Glock, një jelek antiplumb dhe kufizime të vetëimponuara të lëvizjes.

Ai tha t’i jetë ofruar zhvendosje nga Kosova, por  kishte refuzuar.

“Nuk jam më i ri. Kam fëmijët me familjet e tyre këtu. Jemi familje e madhe dhe nuk mund të largohemi të gjithë”, tha ai.

Stefan Trechsel, një gjykatës zviceran i cili ishte pjesë e gjykimit të liderit serb Slobodan Milosheviq në Tribunalin e Hagës.Foto kortezi: Stefan Trechsel.
Stefan Trechsel, një gjykatës zviceran i cili ishte pjesë e gjykimit të liderit serb Slobodan Milosheviq në Tribunalin e Hagës.Foto kortezi: Stefan Trechsel.

Hetimi i mbajtur fshehtë

Familja e Halilit ishte shënjestruar nga UÇK për shkak të afërsisë së tyre me Ibrahim Rugovën, i cili udhëhoqi një rezistencë pasive për një dekadë ndaj regjimit serb, ndërsa u eklipsua nga luftëtarët guerilë në fund të viteve 1990.

Vrasje politike, kampe paraburgimi dhe një valë sulmesh hakmarrëse ndaj serbëve dhe romëve pas luftës lanë njollë në kryengritjen e guerilës, e cila kishte fituar mbështetjen e fuqive perëndimore që po mundoheshin ta ndalnin dëbimin dhe masakrat ndaj civilëve shqiptarë të Kosovës nga ana e forcave nën njeriun e pushtetshëm serb tashmë të vdekur, Slobodan Millosheviq.

Guerilasit morën fuqi politike pasluftës dhe kritikët thonë se përgjatë viteve, mbështetësit perëndimorë të Kosovës për hir të stabilitetit hoqën dorë për t’i mbajtur ata llogaridhënës.

Së fundmi, në disa gjykime të mbajtura në Kosovë u dënuan një numër i guerilasve, por procesi është penguar për një kohë të gjatë për shkak të natyrës farefisnore të shoqërisë në Kosovë me 1.8 milion banorë, ku të dëshmosh kundër luftëtarëve të UÇK-së nga shumë njerëz shihet si tradhti.

Në një vend gati sa gjysma e Uellsit, guerilasit e dikurshëm mbajnë ndikim në strukturat politike dhe sigurisë.

Dëshmitarët kundër ish UÇK-së “janë në rrezik të madh”, thotë Natasha Kandiq, themeluese e Qendrës për të Drejtën Humanitare me seli në Beograd dhe një avokate e paepur e viktimave të krimeve të luftës në Kosovë dhe çdokund në territorin e ish- Jugosllavisë.

Megjithatë, Kandiq thotë se ka parë shenja optimizmi.

“Ka disa pritshmëri se do të jetë ndryshe nga tjerat”, thotë ajo për Gjykatën e re duke folur në gjuhën angleze.

Kandiq thotë se hetimet e gjykatës së re ishin “shumë të fshehta deri në fund”.

“Askush nuk arriti ta zbulojë se kush do të jetë i akuzuar, kush janë dëshmitarët”, thotë ajo.

“Është e rëndësishme të shohim që njerëzit janë të sigurt”, thotë Kandiq. “Nëse dëshmitarët nuk janë të sigurt, kjo do ta krijojë ndjesinë se askush në Kosovë nuk është i lirë… të flasë”, thotë Kandiq.

Stefan Trechsel, një gjykatës zviceran që mori pjesë në gjykimin e Slobodan Millosheviqit në Hagë, thotë se është jetësore që lista e dëshmitarëve të mbahet e fshehtë.

“Kjo është detyra, natyrisht, për autoritetet hetuese në radhë të parë. Ata do të jenë në teren, duhet të flasin me shumë e shumë veta dhe këtë ta bëjnë në një mënyrë që të mos tregojnë se kë e shohin e kë nuk e shohin si dëshmitar”, tha ai.

Vitet e kaluara në fshehje

E kaluara është përplot mësime.

Në mars 2011, autorja e këtij hulumtimi intervistoi një ish-rojtar burgu të UÇK-së i cili duhej të dëshmonte atë vit në gjykimin e 10 luftëtarëve të UÇK-së, përfshirë edhe Fatmir Limajn, një ish- komandant të guerilies, ish ministër në qeverinë e Kosovës dhe dikur bashkëpunëtor i ngushtë i Presidentit aktual, Hashim Thaçi.

Të dhjetët (Limaj, Nexhmi Krasniqi, Naser Krasniqi, Naser Shala, Behlul Limaj, Refki Mazreku, Sabit Shaba, Shaban Shala, Arben Krasniqi dhe Besim Shurdhaj) akuzoheshin për krime lufte kundër civilëve dhe të burgosurve të luftës së vitit 1999 në një kamp paraburgimi të UÇK-së në fshatin Kleçkë, në qendër të Kosovës.

Identiteti i dëshmitarit, Agim Zogaj, ishte shpallur sekret nga prokurorët europianë dhe ai njihej si Dëshmitari X. Gjashtë muaj pas intervistës, megjithatë, Zogaj u gjet i varur në lis në një park të qytetit Duisburg, në perëndim të Gjermanisë, një muaj para se të fillonte gjykimi i rastit Kleçka. Autoritetet gjermane e vlerësuan këtë vdekje si vetëvrasje, por familja Zogaj i qëndron versionit se ai është vrarë.

Përmbajtja e kësaj interviste po publikohet për herë të parë në këtë artikull, dhe në të hidhet dritë për agoninë që e kishte përjetuar ky dëshmitar, pazarllëkun që bëhej dhe peshën e “nderit” brenda shoqërisë shqiptare.

Zogaj rrëfeu për vitet e kaluara duke u fshehur, tentimet për vrasjen e tij, përpjekjet për t’i dhënë ryshfet dhe presionet nga njerëzit e Limajt për ta bindur të mos dëshmojë.

Zogaj tregoi se nga njerëzit e Limajt iu ofruan 50,000- 60,000 euro për ta tërhequr dëshminë nga ky rast. Por tha se nëse paratë janë zgjidhja, ai do të kërkonte 600,000 euro për ta kompensuar ankthin që i ishte shkaktuar për vite të tëra familjes së tij. Në një rast tjetër, ai tha se i ishte ofruar pagë mujore prej 500 euro dhe i ishte thënë ta hapte një llogari bankare në emër të gruas, gjë që ai e kishte bërë.

Por në të dyja rastet, ai tha se nuk mori gjë. Zogaj tregoi se si babai i burrit të vajzës së tij i kishte bërë presion të tërhiqet. “Ata po e përdorin atë si mjet në mënyrë që ai të përfshihet në vend të tyre”, tha Zogaj.

Ndërkohë Zogaj foli edhe për një takim me Limajn, në prani të të afërmve, në mënyrë që ‘të pajtoheshin’ dhe ta lënë këtë çështje pas. Ai tha se takimi ndodhi në fshatin Lladrovc, afër Kleçkës, më 2 mars 2011, dy ditë para intervistës. Limaj, megjithatë, refuzoi t’ia japë dorën, tha dëshmitari, duke thënë se nuk i kishte bërë asgjë të keqe familjes Zogaj.

Në kohën e intervistës, Zogaj ishte i pasigurt nëse duhej të dëshmonte dhe ishte i paqartë rreth masës së sigurisë që kishte nga EULEX. Ai po shqyrtonte mundësinë e largimit nga Kosova por kishte refuzuar një ofertë nga EULEX për të shkuar në Bullgari.

“As policia jonë, as EULEX nuk mund të garantojnë për mua. Unë jam me Zotin, vetëm me Zotin”, tha ai. “Shpresoj që gjaku im do të jetë i fundit që do të derdhet”.

Zogaj kishte mbajtur një ditar në kohën kur shërbente në kampin e paraburgimit i cili ishte prova kryesore për prokurorinë. Por pas vdekjes, gjykata i shpalli këto dëshmi si të papranueshme prandaj Limaj dhe të akuzuarit tjerëu liruan nga akuzat. Në fund të vitit 2012, vendimi për ditarin u revokua dhe rasti u kthye në rigjykim. Në shtator 2013, të 10 të akuzuarit sërish u liruan nga akuzat, pasi që kryetari i trupit gjykues e deklaroi dëshminë e Zogajt si jo konsistente, kundërthënëse dhe “tërësisht të pabesueshme”.

Limaj, që atë kohë ishte anëtar i lartë i Partisë Demokratike (PDK) të drejtuar nga Hashim Thaçi, në vitin 2005 ishte liruar nga Gjykata e Hagës nga akuzat për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve e zakoneve të luftës, keqtrajtimit, torturës dhe vrasjes së serbëve e shqiptarëve në një kamp tjetër paraburgimi të UÇK-së. I akuzuari tjetër Isak Musliu gjithashtu u lirua nga akuzat, ndërsa i treti, Haradin Bala, u dënua me 13 vjet burg.

Zogaj tha se ishte kontaktuar së pari nga hetuesit e Hagës në lidhje me hetimin ndaj Limajt dhe kjo ishte koha kur ankthi filloi. Por në fund, ai nuk u thirr për të dëshmuar në gjykim.

Limaj u kthye në Kosovë me një pritje prej heroi, por në tetor të vitit 2016 ai u akuzua sërish për krime lufte, kësaj radhe nga Prokuroria Speciale e Kosovës, për vrasjen e dy civilëve shqiptarë në vitin 1998. Të afërmit e një prej viktimave kanë folur publikisht rreth asaj se çka kanë ditur për vrasjen. Avokati i tij tha se akuzat janë të pabaza. Gjykimi filloi në janar të këtij viti.

BIRN dërgoi pyetje te Limaj përmes kabinetit të partisë së tij rreth akuzave të Zogajt.

Endrit Shala, shef i stafit të Limajt, u përgjigj: “Ashtu siç e dini edhe ju (BIRN) pasi që e keni monitoruar në tërësi këtë proces, Gjykata i ka trajtuar dhe shpallur të pranueshme të gjitha dëshmitë e dhëna para prokurorisë dhe poashtu provat tjera në këtë rast (ashtu dhe dëshmitë e Dëshmitarit X) dhe me gjithë këto dëshmi e prova gjykata duke u bazuar dhe trajtuar ato e ka shpallur të pafajshëm z. Limaj”.

“Dua t’u rikujtoj në procesin Kleqka Limaj është shpallur dy herë i pafajshëm nga trupat gjyqësore të EULEX, të Gjykatës Themelore, dhe në Gjykatën e Apelit”.

“Poashtu dua të theksoj se në këtë proces asnjëherë askush nuk ka paraqitur ndonjë pretendim para gjykatës për ndonjë interferim apo ndikim në dëshmitarë. Po të kishte një gjë të tillë, gjykata dhe prokuroria do të reagonte”.

EULEX vazhdimisht refuzoi të diskutojë për vdekjen e Zogajt ose nëse ai ishte nën mbrojtjen e misionit në atë kohë. Një zëdhënëse refuzoi të flasë për çështjen e mbrojtjes së dëshmitarëve.

“Misioni nuk mund të flasë për funksionimin ose çështjet e sigurisë lidhur me mbrojtjen e dëshmitarëve të tij”, tha zëdhënësja.

Ndryshimi i identitetit

Si Zogaj ashtu edhe Halili mishërojnë sfidat në mbrojtjen e dëshmitarëve në Kosovë, ku identiteti i tyre rrallë mbetet sekret dhe ku lidhjet familjare janë aq të ngushta sa edhe masat e rrepta të një programi të mbrojtjes së dëshmitarëve, përfshi edhe mundësinë e ndërrimit të identitetit, shpesh flasin shumë.

Trechsel, gjykatësi zviceran në gjykimin e Milosheviqit, ndërrimin e identitetit e krahason me “vdekje civile”.

“Praktikisht të gjitha marrëdhëniet shkëputen dhe kjo është siguri e dyshimtë sepse ata që i ndjekin këta persona shpesh arrijnë t’i gjejnë, përkundër të gjitha masave të fshehtësisë”, thotë ai.

Kamudoni Nyasulu, një ish prokuror i OKB-së, thotë se gjatë kohës sa punoi në Kosovë mes viteve 2001 dhe 2003, njohu vetëm një kosovar që pranoi kushtet e mbrojtjes së plotë.

“Personin e vetëm që e mbaj mend që u mor në mbrojtje, i theu rregullat brenda pak muajve”, tha ai për BIRN përmes emailit nga shteti i tij i lindjes Malawi. “Lidhjet e gjera familjare janë shumë të fuqishme për ta mbajtur një kosovar (shqiptar) pa komunikuar për një kohë të gjatë”.

BIRN intervistoi anëtarë të familjeve të dy dëshmitarëve të larguar nga Kosova para se të fillojë punën gjykata e re. Ata thanë se identitetet e reja janë ndër opsionet që u janë ofruar.

Besohet se shumë nga dëshmitarët e gjykatës së re tashmë janë jashtë Kosovës, kanë emigruar ose janë zhvendosur për qëllime të gjykatës.

Të gjithë e kanë mundësinë që t’i kenë fytyrat dhe zërat të ndryshuar kur shkojnë për të dëshmuar.

“Është e pamundur që të ketë dëshmitarë tërësisht anonimë” – Frank Hopfel, ish- gjykatës në Tribunalin e Hagës

Por askush nuk do të gëzojë anonimitet të plotë, për shkak se të akuzuarit kanë të drejtë të dinë kush po dëshmon kundër tyre dhe të përgatiten për ta marrë atë në pyetje me ekipin e tyre mbrojtës.

“Prandaj është e pamundur që të ketë dëshmitarë tërësisht anonimë”, thotë Frank Hopfel, një gjykatës austriak që ka punuar me Tribunalin e OKB-së në Hagë.

“Nuk mund të ketë dëshmitarë anonimë por vetëm ndryshim të fytyrës dhe zërit karshi publikut dhe mundësinë e përdorjes së dëshmive (me shkrim)”, tha ai.

Modeli italian

Dëshmitarët kudo në Europë ankohen për çmimin që duhet ta paguajnë në kuptim të kufizimeve që ua imponon programi i mbrojtjes së tyre.

“Shpesh nuk e kuptojmë kush është armiku ynë më i madh- mafia apo burokracia shtetërore”, thotë siciliani Ignazio Cutro, i cili ka dëshmuar kundër mafias italiane dhe tani kryeson një shoqatë të dëshmitarëve të mbrojtur. Cutro ka truproja, por mund të paraqitet në publik.

Muskuloz me flokë të thinjura, Cutro thotë se vija e kuqe dhe kufizimet që përfshijnë mbrojtjen e dëshmitarëve ishin mbytëse. Dy herë ai anuloi intervistën me gazetaren për shkak të shqetësimeve për sigurinë e tij të ngritura nga truprojat.

“Kam vendosur të qëndroj në vendin tim, sepse jam i bindur se gangsterët duhet të jenë ata që duhet të largohen, jo unë”, thotë ai.

“Por një gjë është e sigurt- herët apo vonë, shteti do na harrojë… për dallim nga gangsterët, të cilët nuk harrojnë”, shton ai.

Prokurori i lartë italian, Maurizio de Lucia, megjithatë, ndihet krenar për arritjet e shtetit në mbrojtjen e dëshmitarëve dhe goditjen e Cosa Nostra-s italiane.

Ai foli për BIRN në zyrën e tij në Gjykatën e Palermos, në javën që shënonte 24 vjetorin e vrasjes nga mafia të Giovanni Falcone-s, prokurorit simbol të Palermos, vdekja e të cilit nxiti lëvizjen anti- mafia. Italia investoi para dhe njerëz në këtë luftë, duke ndjekur sidomos krerët e mafias në një përpjekje për ta shpërbërë organizimin e tyre.

Derisa mafia mbetet e fuqishme, vendi ka përshkuar një rrugë të gjatë nga vitet e përgjakshme 1980 dhe 1990.

“Në 25 vitet e fundit, asnjë dëshmitar nuk është vrarë”, thotë De Lucia.

Si një nga shumë zyrtarët e përfshirë në përzgjedhjen e dëshmitarëve për mbrojtje zyrtare, De Lucia thotë se Kosova do të bënte mirë ta ndiqte modelin italian me të cilin puna në mbrojtjen e dëshmitarëve dhe mbledhjen e dëshmive është e ndarë në dy organe administrative.

“Një autoritet administrativ do të duhej të kujdesej për sigurinë e dëshmitarëve, mundësisht një organ neutral”, thotë ai. Mbrojtja e dëshmitarëve përfshin zhvendosjen, identitetet e reja si dhe sigurinë fizike e financiare. Ky program ka një kosto operacionale prej 40 milionë euro në vit.

Këshilli Europian në qershor të vitit 2016 aprovoi një buxhet prej 29.1 milionë euro për gjykatën e re deri në qershor të vitit 2017.

Çështjet procedurale

Në një intervistë për BIRN në nëntor 2016, kryeprokurori i gjykatës së re, amerikani David Schwendiman, tha se mbrojtja e dëshmitarëve është “një sfidë e madhe”.

Duke refuzuar të flasë për specifika, ai tha: “Mbrojtja e atyre që ne e vlerësojmë se janë në rrezik ose që vihen në rrezik për shkaktë pjesëmarrjes në proces është absolutisht jetësore. Unë kam autoritetin për ta bërë këtë, dhe kam marrë garanci për ndihmën që do të më jepet në këtë çështje”.

Një çështje të cilën ai do të donte ta tejkalojë është konfuzioni që ka pllakosur përpjekjet e mëhershme, thonë ekspertët.

Rastet e krimeve të luftës të gjykuara fillimisht nga misioni i OKB-së, UNMIK, e më pas EULEX ishin përshkuar me probleme të frikësimit.

Rastet ishin trajtuar nga prokurorë dhe gjykatës vendorë e ndërkombëtarë, që punonin sipas një kornize ligjore që ishte pjesërisht mbetje e epokës jugosllave dhe pjesërisht e imponuar nga OKB. Rregullat e gjykatës ishin aplikuar në mënyrë jo konsistente, duke rrezikuar dëshmitarët, ndërsa stafi ndërkombëtar shpesh nuk qëndroi  gjatë për t’u njohur me specifikat e mjedisit kosovar dhe rreziqet me të cilat përballeshin dëshmitarët.

Në një rast, Nyasulu, ish- prokurori i OKB-së në Kosovë, thotë se rasti në të cilin qe përfshirë ai ishte ndarë në dy pjesë, që nënkupton se një grup i të dyshuarve ishte gjykuar së pari dhe grupi tjetër menjëherë më pas. Dëshmitarët ishin të njëjtit.

“Qartësisht kjo shtoi rrezikun ndaj  meje dhe dëshmitarëve”, thotë ai. “Unë jetoja në barraka ushtarake për të pasur 24 orë siguri. Dëshmitarët ishin në shtëpitë e tyre”.

Në një rast tjetër të EULEX-it, një dëshmitar i mbrojtur tha për BIRN se identiteti i tij kishte rrjedhur në publik, siç beson ai nga i akuzuari apo avokati i tij. Ai ishte larguar nga Kosova, por të afërmit e tij që mbetën në Kosovë u bënë shënjestër e frikësimeve. Një i afërm në këtë rast u ngrit për ta mohuar dëshminë e dëshmitarit. “E bëra këtë për hir të atyre që janë gjallë”, tha për BIRN ky i afërm i cili nuk mund të identifikohet.

Dean, ish- prokurori që punoi me UNMIK dhe EULEX mes viteve 2005 dhe 2009 dhe shërbeu si kryesues i Departamentit të Drejtësisë në UNMIK, thotë se “aplikimi konsistent i ligjit ishte një pengesë e madhe për secilin”.

Duke folur për gjykatën e re, ai thotë se “ata do t’i adresojnë këto çështje dhe se ligji procedural që zhvillon dhoma speciale do e shqyrtojë se si të merren me këtë çështje”.

Megjithatë, gjykata, e themeluar sipas ligjit të Kosovës, do të varet në një shkallë nga bashkëpunimi i qeverisë së Kosovës, e cila përfshin partinë kryesore të dalë nga UÇK, PDK-në.

“Një element esencial i besimit të ndërsjellë e vullnetit të mirë ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe Dhomën Speciale është esencial”, thotë Dean.

Hopfel thotë se gjykata e re do të duhet t’ia bëjë të qartë qeverisë se “çdo ndërhyrje në administrimin e drejtësisë do t’i nënshtrohet sanksioneve”.

Ignazio Cutro, i cili dëshmoi kundër mafias siciliane dhe drejton një shoqatë të dëshmitarëve të mbrojtur. Foto kortezi: Ignazio Cutro.
Ignazio Cutro, i cili dëshmoi kundër mafias siciliane dhe drejton një shoqatë të dëshmitarëve të mbrojtur. Foto kortezi: Ignazio Cutro.

Guximi

Kosova mori përgjegjësinë për t’i gjykuar krimet e luftës në fund të vitit 2014 dhe është në proces të zhvillimit të programit për mbrojtjen e dëshmitarëve. Besimi, megjithatë, është i mangët, thotë Besim Kelmendi, një prokuror në Prokurorinë Speciale të Kosovës.

“Për shkak të kontekstit politik dhe historik, dhe një tradite të mosbesimit në drejtësi, dëshmitarët ende nuk besojnë në gjykatat e Kosovës”, thotë Kelmendi për BIRN.

“Nën Tribunalin e Hagës, UNMIK-un dhe EULEX-in, pati dështime sistematike në mbrojtjen e dëshmitarëve”.

BIRN ka pyetur Zyrën për Informim të Tribunalit të OKB-së në Hagë rreth ankesave ndaj sistemit të mbrojtjes së dëshmitarëve por nuk ka marrë përgjigje. BIRN gjithashtu ka kontaktuar  Helena Vranov Schoorl, drejtuese për mbështetje të viktimave dhe dëshmitarëve në këtë tribunal, e cila tha se një studim mbi përvojat e dëshmitarëve me këtë gjykatë thotë se duhet bërë më shumë për t’i zhvilluar dhe standardizuar mekanizmat mbështetës.

Një zëdhënës në UNMIK gjithashtu refuzoi të flasë për përvojat e misionit në mbrojtjen e dëshmitarëve.

Hopfel, gjykatësi në Tribunalin e OKB-së, thotë se opsionet e gjykatës së re janë të kufizuara dhe  shumëçka do të varet nga garancitë e thjeshta.

“Duhet të forcohet inkurajimi i tyre, kjo është rruga e vetme”, tha ai.

Halili, dëshmitari me të cilin bisedoi BIRN, thotë se hetuesit europianë i kanë thënë t’i kontaktojë për shqetësimin më të vogël. “Jetoj sot për nesër”, thotë ai. “Jeta me kufizime të tilla është e rëndë”.

Poshtë më luginë dëgjohen krisma armësh, me gjasë nga ndonjë aheng familjar. Halili thotë se ndihet nën kërcënim të rritur. “Frikësohem për familjen, jo për veten”, thotë ai.

“Ata duhet të jenë në varr”, thotë ai për torturuesit. “Vetëm atëherë do të jemi baras”.

Fatime Selimaj, djali i të cilës, Iliri, u vra në vitin 2003, disa muaj pasi dëshmoi kundër ish- komandantëve të UÇK-së. Foto: Serbeze Haxhiaj.
Fatime Selimaj, djali i të cilës, Iliri, u vra në vitin 2003, disa muaj pasi dëshmoi kundër ish- komandantëve të UÇK-së. Foto: Serbeze Haxhiaj.

‘Menduam se po shkonte në Amerikë’

Fatime Selimaj kujton një ditë me diell shkurti të vitit 2003 kur biri i saj 23 vjeçar, Iliri, paketoi valixhet dhe la shtëpinë meqë kishte vendosur të dëshmonte kundër bashkluftëtarëve të tij të UÇK-së.

“Menduam se po shkonte në Amerikë”, thotë ajo. Por dy javë më vonë ai ishte kthyer. Ajo thotë se misioni i OKB-së në Kosovë i kishte thënë Ilirit se “mund ta dërgonin në Mal të Zi por ai refuzoi të shkojë atje”, me gjasë për shkak të afërsisë dhe një komuniteti të madh shqiptarësh në këtë shtet.

Dy muaj më vonë, në prill 2003, Iliri u qëllua për vdekje në timonin e veturës së tij në afërsi të shtëpisë në një fshat të Pejës. Gruaja e axhës së tij pesëmuajshe shtatzënë me binjakë u vra gjithashtu në veturë. Policia nisi një hetim por askush kurrë nuk u akuzua për vrasjen e Ilir Selimajt.

“Ky rast kishte rreziqe të mëdha, politikisht”, thotë për BIRN, ish prokurori i OKB-së në këtë rast, Kamudoni Nyasulu.

Nyasulu thotë se disa dëshmitarë në këtë rast ruheshin nga policia, por nuk ishin “saktësisht në programin e mbrojtjes së dëshmitarëve”. Selimaj ishte njëri nga ta.

“Kjo përfshinte disa lloje masash të sigurisë dhe mbrojtjes që ishin marrë në faza të ndryshme të procesit gjyqësor”, thotë ai. “Kjo nuk garantonte mbrojtje 24 orë dhe nuk përfshinte kufizim të lëvizjes apo komunikimit”.

Familja Selimaj nuk bëri kurrë ndonjë ankesë formale në UNMIK rreth vrasjes dhe një zëdhënës i këtij misioni thotë se nuk ekzistojnë të dhëna për rastin.

Nyasulu kujton një ditë gjatë gjykimit teksa po drekonte, i shoqëruar nga truprojat, në rrugën e gjykatës, kur një i dyshuar i cili Nyasulu thotë se po garonte për një post politik u ul në tavolinën e tij. “A e dini se mund t’ju vras tani dhe asgjë nuk do të ndodhë”, citon Nyasulut’i ketë thënë burri, emrin e të cilit ai nuk pranoi ta tregojë.

Serbeze Haxhiaj është redaktore e lajmeve në televizionin publik të Kosovës, RTK. Ky artikull është prodhuar si pjesë e Bursës Ballkanike për Ekselencë në Gazetari, e mbështetur nga Fondacioni ERSTE dhe Fondacioni për Shoqëri të Hapur, në bashkëpunim me Rrjetin Ballkanik për Gazetari Hulumtuese.

 

14 Shkurt 2017 - 07:15

Serbeze Haxhiaj- Prishtinë, Palermo 14/02/2017 - 07:15
NDËRVEPRIMI293

Të Fshehur e të Dukshëm - Dëshmitarët e Mbrojtur të Kosovës

by Kallxo
NA NDIQNI