Shumica e Serbëve ‘Nuk Duan’ të Luftojnë për Kosovën

Sondazhi i publikuar të martën nga Qendra për Politika të Sigurisë në Beograd tregon se 74 për qind e qytetarëve serbë nuk duan të zhvillojnë një luftë për t’u siguruar se Kosova është pjesë e Serbisë.

“Shumica e qytetarëve serbë nuk duan konflikt të armatosur, jo përsa i përket Kosovës, as në rajon dhe shumica e njerëzve nuk presin konflikt të armatosur në pesë vitet e ardhshme,” tha drejtoresha e Qendrës, Sonja Stojanoviç Gajiç.

Sondazhi u realizua me 1,403 persona nga 26 dhjetori deri më 14 janar, pak para se tensionet politike mes Beogradit dhe Prishtinës të rriteshin ndjeshëm kur Serbia u përpoq të fuste një tren të mbuluar me slogane nacionaliste në veri të Kosovës, duke shkaktuar shkëmbime akuzash të ashpra midis dy kryeqyteteve.

Sondazhi zbuloi gjithashtu se 65 për qind e të anketuarve nuk kishin qenë kurrë në Kosovë dhe 80 për qind nuk kishin takuar kurrë një shqiptar të Kosovës.

Stojanoviç Gajiç tha megjithatë se të rinjtë janë më të prirur të bien dakord se masa ushtarake ishte e justifikuar.

“Përgjigja “po” është më e shpeshtë nga ata që nuk ishin në luftë në vitet 1990. Pra, njerëzit që janë më të rinj se 40 vjeç, të cilët me shumë gjasa nuk kanë qenë në luftë, janë shpesh në grupin e atyre që justifikojnë veprimin e armatosur,” tha ajo.

Sondazhi sugjeroi se shumica e njerëzve në Serbi mbështesin vazhdimin e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja midis Beogradit dhe Prishtinës që synon normalizimin e marrëdhënieve, me vetëm nëntë për qind të të anketuarve që u përgjigjën se ishin kundër kësaj.

Shumica e të anketuarve thanë se ata mbështesin marrëveshjet me Prishtinën për aq kohë sa ato nuk çojnë në njohjen e Kosovës, edhe pse shumica mendojnë se Prishtina po përfiton më shumë nga dialogu.

Vetëm tetë për qind thanë se ishin në favor të pavarësisë së Kosovës dhe 10 për qind thanë se Kosova duhet të ndahet.

Çereku i të anketuarve thanë se mendonin se në të ardhme Kosova do të ishte e pavarur, ndërsa një e pesta thanë se besonin se Kosova do të ishte pjesë e Serbisë ose do të ndahej midis Shqipërisë dhe Serbisë.

Më shumë se gjysma e të anketuarve ndërkohë thanë se besojnë se siguria kombëtare e vendit po kërcënohet.

“Shumica e shohin korrupsionin, krimin dhe sjelljen e politikanëve dhe partive politike si kërcënimet kryesore të brendshme dhe mendojnë se është e nevojshme të forcohet ekonomia e Serbisë,” tha Milos Popoviç, një hulumtues në Qendrën për Politikat e Sigurisë Beograd.

Popoviç tha se gjysma e të anketuarve identifikuan fuqitë e mëdha botërore – ShBA, BE, NATO dhe Rusinë, si edhe terrorizmin – si kërcënime të jashtme tepër të rëndësishme.