Shpenzime të Majme në Dreka, Telefona dhe Vetura

“Letërnjoftimi i Komunës së Kamenicës” nga Instituti për Studime të Avancuara (GAP) tregon se zyrtarët komunalë nuk kanë hezituar aspak që të harxhojnë shuma të majme parash nga buxheti për dreka zyrtare, telefona e mirëmbajtje të automjeteve.

Përkundër këtyre shpenzimeve, qytetarët kanë parë mungesë të investimeve në infrastrukturën e qytetit, rrjet të dobët kanalizimi dhe mungesë të tij në shumë pjesë të komunës, mungesë të ujit të pijes dhe rrjetit të ujësjellësit, prerje të paligjshme të pyjeve etj.

Sa i përket infrastrukturës rrugore raporti i GAP-it konstaton se “rruga kryesore e qytetit, afër parkut, është e dëmtuar dhe kërkon riasfaltim”. Në të njëjtën gjendje është një pjesë e madhe e rrugës “Iliria” si dhe rrugës nga rrethrrotullimi në rrugën e Rubovcit e deri tek rruga që lidh lagjen “Çamëria”.

Problem tjetër në këtë komunë është edhe rrjeti i kanalizimit. Sipas GAP-it, pas investimeve në fshatrat Rubovc, Karaqevë e Epërme, Kopërnicë dhe Berivojcë është bërë pastrimi i shtratit të lumit, por nuk është arritur të evitohet problemi me ujërat e zeza të cilat derdhen aty. Në mungesë të ujërave të rrjedhshme në lumë, shtrati i lumit është shndërruar në shtrat të ujërave të zeza.

Ujërat e zeza së bashku me bërllokun, kanë bërë që lumi të kundërmojë dhe me këtë problem përballen më së shumti banorët që jetojnë përskaj lumit në fshatrat Berivojcë, Koretin dhe Topanicë.

Edhe pse banorët bartin një pjesë të fajit për shkak të derdhjes së mbeturinave, raporti i GAP-it konstaton se “komuna asnjëherë nuk u ka ofruar zgjidhje më të përshtatshme, qoftë duke u ofruar kontejnerë apo duke i penalizuar ata të cilët bëjnë derdhjen e mbeturinave në lumë”. Shumë kompani ndërtuese, thotë raporti, bëjnë shkarkime masive të mbeturinave ndërtimore në shtratin e lumit.

Derisa ujërat e zeza janë me bollëk në këtë komunë mungon uji i pijes. Një nga problemet me të cilët janë përballur një pjesë e madhe e banorëve të Komunës së Kamenicës në 2009 ka qenë edhe mungesa e tij.

Raporti i GAP-it thotë se “përkundër ekzistimit të rrjetit të ujësjellësit në qendër të qytetit, burimet e ujit nuk janë të mjaftueshme për të furnizuar pa ndërprerë të gjithë konsumatorët. Përveç kësaj edhe gypat e ujësjellësit janë të vjetruar dhe nevojitet investim në ndërrimin e tyre”.

Sfidë për kreun e komunës mbetet edhe mbrojtja e pyjeve pasi Drejtoria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, si dhe Drejtoria e Inspekcionit, Policia e Kosovës dhe Agjencia e Pyjeve nuk janë treguar efikase në parandalim. Përgjegjësit për mbrojtjen e pyjeve janë akuzuar nga vetë delegatët e partisë qeverisëse se po bashkëpunojnë me prerësit ilegalë të pyjeve.

Problem tjetër edhe më tutje mbetet rregulli në administratë. Përkundër asaj se Komuna ka ndërtuar një Zyrë pritëse për qytetarë, shërbyesit civilë në këtë komunë nuk janë të përgjegjshëm për punën e tyre, vlerëson raporti.

Rregulli vështirësohet edhe nga mos ekzistenca e një objekti të vetëm të administratës, por shpërndarja në gjashtë objekte të ndryshme. Kjo sfidon qasjen e qytetarëve dhe kryerjen e punëve si dhe u mundëson shërbyesve civilë që të mos respektojnë orarin e punës.

Buxheti vjetori i Komunës së Kamenicës për vitin 2012 është 7.1 milionë euro. Një nivel i njëjtë i buxhetit parashihet edhe për dy vitet në vijim, ku sipas vlerësimeve buxheti i 2014 nuk do të jetë më i lartë se 7.3 milion euro, çfarë do të thotë se për tri vite, Komuna e Kamenicës nuk parasheh zhvillim ekonomik të komunës, zhvillim nga i cili do të mund të rritej edhe buxheti komunal.

Të hyrat vetanake kanë shënuar rritje të konsiderueshme gjatë 2011, duke tejkaluar planin fillestar si dhe duke tejkaluar të hyrat vetanake të 2010. Kurse sa i përket vlerësimeve të auditorit të brendshëm të komunës , e meta më e madhe e evidentuar është dështimi i zyrtarëve për të evidentuar ndërtimet e reja. Po ashtu në shumë raste Komuna tatimon pronat si prona të papërfunduara ndërtimore, kurse në realitet ato prona janë të përfunduara.

As me planfikim të buxhetit kjo komunë nuk qëndron mirë. Raporti i GAP-it vlerëson se përkundër buxhetit të vogël dhe nevojave të mëdha, si pasojë e planifikimit jo të duhur të buxhetit, nga Buxheti i Komunës për 2011 kanë mbetur të pashpenzuara afro 600 mijë euro. Fondet e pashpenzuara (133.814 euro) nga granti qeveritar nuk kanë mundur të barten në 2012 dhe si të tilla i kthehen mbrapa Qeverisë.

E përkundër këtyre problemve të mëdha të komunës së Kamenicës, zyrtarët e kësaj komune
nuk kanë hezituar aspak që paratë e buxhetit t’i shpenzojnë për dreka zyrtare, telefona, mirëmbajtje të veturave etj.  Vetëm për dreka zyrtare për dy vite (2010/11) janë shpenzuar 47.583,65 euro, prej tyre mbi 22 mijë euro në 2010 dhe mbi 25 mijë euro në 2011. 45 për qind e kësaj shume për dy vite është shpenzuar nga Zyra e Kryetarit (21.437,28 euro).

Zyra e kryetarit me një staf prej 15 vetash, ka shpenzuar për dreka zyrtare sa 12 departamente tjera me një staf prej 207 vetash. Vlen të përmendet se shumë përafërsisht e njëjtë e shpenzuar për dreka zyrtare ishte edhe më 2009 nën udhëheqjen e Begzad Sinanit, me ç’rast ishin shpenzuar 23.307,06 euro.

Edhe shpenzimet e telefonisë mobile janë të mëdha. Në vitin 2010 komuna ka shpenzuar në total 10.154,84 Euro, kurse në 2011 janë shpenzuar 15.362,06 euro. Totali për dy vite për mbushje të telefonisë mobile, apo siç emërtohen në raportet financiare të komunës “shpenzime të telefonisë vala 900” është 25.516,90 euro. Kjo shumë është e barazvlefshme me totalin e buxhetit të ndarë në 2011 për projektet e bujqësisë.

Të dhënat për shpenzimet e parasë publike për tremujorin e parë të 2012 tregojnë shpenzimet për mbushje të telefonisë mobile në 2012 mund të jenë më të mëdha se sa në 2011. Gjatë periudhës janar-mars 2012 komuna ka shpenzuar 4.302 euro për mbushje të telefonisë mobile, apo 100 për qind më shumë se në të njëjtën periudhë të 2011. Përveç mbushjeve për telefoni mobile, edhe shpenzimet për telefoninë fikse janë të mëdha.

Shpenzime të mëdha janë bërë edhe në mirëmbajtjen e automjeteve. Në 2010 për mirëmbajtje të automjeteve janë shpenzuar 25.453 euro kurse në 2011 janë shpenzuar 12.366 euro (mbi 37 mijë euro për dy vite).