Rrëfimi i Dy Dëshmitarëve Për Tmerret E Ditëve Në Duar Të Ushtarëve Të UÇK-së

Në ditët e fundit të dhjetorit të vitit 1998, dy vajza të reja të moshës 19 dhe 21 vjeçare nga Mitrovica, pas problemeve familjare me vëllain e tyre të madh, braktisën shtëpinë, për t’u vendosur te një shoqe që në atë kohë jetonte së bashku më një plakë serbe, në qytetin tash të ndarë, buzë lumit Ibër. 

Ishte kohë lufte dhe në fshatrat e Mitrovicës raportohej për të shtëna, derisa forcat ushtarako-policore të ish-Republikës Federale të Jugosllavisë përgatiteshin për ofensivë në Llap dhe Shalë të Bajgorës, njoftonte në dhjetor dhe fillimjanar Qendra për Informim e Kosovës. 

Vajzat kishin qëndruar për disa ditë te shoqja e tyre, për t’u zhvendosur pastaj te një kushërirë e strehueses së tyre të parë. A.S., ajo që u bëri konak dy vajzave, të ikura nga shtëpia, në atë kohë jetonte vetëm, ndërsa shoqërohej me një djalë, me të cilin dilte shpesh. 

Tri-katër ditë pas vendosjes në strehën e tyre të re, vajzat takuan për herë të parë Shefki Hysenin, njeriun që sipas aktakuzës ua ndryshoi jetën për keq, duke i dërguar edhe buzë vdekjes. 

Shefki Hyseni është njëri nga të akuzuarit për përdhunim, në aktakuzën e ngritur më 13 nëntor nga prokurori i Eulex-it Maurizio Salustro. Bashkë me të, për cenim të integritetit trupor dhe të shëndetit të tyre, ngarkohen edhe Nexhat Qubreli, Ismet Haxha e Sylejman Selimi. 

Selimi e Haxha janë pjesë edhe të aktakuzës tjetër të të njëjtit prokuror, asaj për krime lufte të kryera kundër civilëve në një qendër ndalimi të Likovcit. Edhe aktakuza kundër 15 burrave nga Drenica e Mitrovica, ish-komandantë të lartë e ushtarë të UÇK-së dhe pas luftës zyrtarë civilë e ushtarakë, është ngritur në nëntor. 

Ndërkohë, sipas fjalëve të nxjerra nga vetë Hyseni që përshkruhen në aktakuzën kundër tij dhe tre të tjerëve, ai kishte shkuar në banesën ku qëndronin dy vajzat, bashkë me një person tjetër të koduar në aktakuzë si A. 

Pasi edhe atë ditë strehuesja e vajzave me inicialet A. S., kishte dalë me të dashurin e saj, motrat që nga prokuroria tash mbrohen me shkronjat A dhe B, kishin mbetur vetëm me dy të panjohurit. 

Me 21 vjeçaren e koduar me shkronjën B, kishte nisur të flirtonte, i ardhuri me inicialin A, ndërsa 19 vjeçaren mitrovicase, tashmë po e ngacmonte Shefki Hyseni. 

“Në një pikë Hyseni filloi ta puthë atë. Ajo refuzoi të vazhdojë tutje, duke i treguar atij se nuk kishte bërë marrëdhënie seksuale më parë. Pastaj Hyseni i propozoi që të dalin jashtë për darkë, të cilën ftesë e pranoi dëshmitarja A”, përshkruan nisjen e së keqes aktakuza e Salustros.

E detyruar, ajo atë natë dhjetori doli për darkë me Shefki Hysenin duke përfunduar me të panjohurin për të në një hotel. Daljen e konfirmoi në aktakuzë, e motra e saj, Dëshmitarja B. 

Gjithnjë sipas aktakuzës pasi që kishin ngrin darkë Hyseni e kishte ftuar të shkonte në një dhomë hoteli, Hyseni kishte shtyrë vajzën të pinte alkool. 

“Dëshmitares A më pas nuk i kujtohej se çfarë ndodhi. Kur ajo u zgjua kuptoi që Hyseni ka kryer marrëdhënie me të”, thuhet në vazhdimin e arsyetimit të aktakuzës. 

Këtë ngjarje prokuroria thotë ta ketë marrë vesh nga i akuzuari Shefki Hyseni, gjatë intervistimit të tij nga hetuesit, pasi dëshmitaret nuk janë ndier mirë ta tregojë këtë përjetim të keq. 

“[…] Ngurrimi i tyre i qartë dhe i kuptueshëm për të folur për detaje të sikletshme rreth jetës së tyre private […] nuk ka ndodhur rastësisht. Vetëm kur dëshmitarja A u intervistua pa praninë e bashkëshortit të saj, mori guximin të flasë për detajet e historisë së saj”, shkruhet në aktakuzë. 

Dëshmitaret A dhe B ishin bërë bashkë prapë atë natë dhe kishin vazhduar që të qëndrojnë edhe për disa ditë në shtëpinë e A.S.-së, derisa të dhunuarës nga Hyseni i ishte mbushur mendja ta raportojë rastin në polici. 

Por ishin rrethana lufte dhe ato nuk mund të shkonin te policia serbe për të treguar të keqen që u ndodhi, prandaj vendosën që për dhunimin ta njoftonin Policinë Ushtarake të UÇK-së në fshatin mitrovicas Vaganicë. 

Strehuesja e vajzave, me inicialet A. S., u kishte thënë prokurorit dhe hetuesve të misionit europian se kishte dëgjuar që Shefki Hyseni ishte keqtrajtuar nga UÇK-ja, pas raportimit të rastit. Prokuroria këto deklarime nuk i konsideron as të vërteta, e as të pavërteta. 

Rrëmbimi i vajzave nga i dyshuari për dhunimin e njërës prej tyre 

Por institucioni i ndjekjes nuk përjashton mundësinë që veprimet e mëtutjeshme të Shefki Hysenit kundër të dy motrave,  sidomos të Dëshmitares A, lidhen me këtë raportim, pasi ajo u rrëmbye prej tij në një natë dimri të vitit 1998. 

Sipas aktakuzës në një kafiteri të frekuentuar atë kohë, Shefki Hyseni iu kishte qasur dëshmitareve dhe Dëshmitares A i kishte thënë “ngrihu në këmbë dhe eja me mua”. Ajo kishte refuzuar, ndërsa Hyseni asaj i kishte drejtuar një armë në kurriz duke i thënë “bëj siç të thashë”. 

Ata më pas kishin dalë nga lokali dhe Dëshmitarja B kishte shkuar me ta. Vajzat pastaj me një makinë ishin dërguar në katin e parë të një shtëpie dykatëshe që shërbente si shtab i UÇK-në Vaganicë, ku rrinin 20 ushtarë të armatosur e të uniformuar, me pretendimin e rremë se kishin lidhje intime e bashkëpunonin me policë serbë.  

“Dëshmitarja A deklaroi që Ismet Haxha u ka drejtuar pyetje dy femrave ‘me cilët serbë po bashkëpunoni?’ Sipas Dëshmitares A, ka qenë Ismet Haxha ai i cili e thirri Nexhat Qubrelin dhe i tha ‘ato nuk duan të japin deklaratë’, pas së cilës Qubreli filloi t’i rrahë të dyja”, thuhet në aktakuzën e prokurorit special Salustro. 

Ismet Haxha nga Prokuroria Speciale akuzohet se ka kryer krime të luftës kundër popullatës civile duke cenuar integritetin trupor dhe shëndetin e Dëshmitares A, duke torturuar Dëshmitaren B dhe duke i trajtuar në mënyrë çnjerëzore dëshmitaret A dhe B. 

Edhe Nexhat Qubreli ngarkohet për krime lufte kundër popullatës civile, cenim të integritetit trupor dhe shëndetit të Dëshmitares A dhe torturim të motrës së saj. 

Nexhat Qubrelin aktakuza e fajëson edhe për detyrimin e Dëshmitares B që ta nënshkruajë një deklaratë me të cilën ajo kundër dëshirës pranonte se kishte lidhje me një polic serb. Një deklaratë e tillë u ishte treguar nënës dhe vëllait të motrave të torturuara, për të arsyetuar keqtrajtimin e tyre. 

Këtë e ka konfirmuar për prokurorinë nëna e dëshmitareve A dhe B, derisa e njëta gjë i ishte kërkuar edhe Dëshmitares A. 

Për të pranuar akuzat për bashkëpunim dhe lidhje me pjesëtarë të forcave serbe, vajzat ishin rrahur për orë të tëra me shkop bejsbolli dhe shkpinj druri nga Nexhat Qubreli dhe një person me emrin, a nofkën “Hamza”. 

Ismet Haxha akuzohet për mbikëqyrje të kësaj rrahjeje, dhënie të urdhrave për torturim dhe pozitë komanduese në shtëpinë që shërbente si shtab. Prokuroria thotë se atij ushtarët i drejtoheshin me pseudonimin “Ylli”. 

Dhunimi i përsëritur i Dëshmitares A

Dëshmitarja A ka treguar për prokurorin se gjatë kësaj periudhe të hidhur ishte përdhunuar nga Shefki Hyseni. 

Shefki Hyseni nga Prokuroria Speciale po akuzohet se ka kryer krime të luftës kundër popullatës civile duke përdhunuar dëshmitaren A, e ndaluar e UÇK-së, duke kryer marrëdhënie seksuale me të, në kundërshtim me vullnetin e saj. 

“Konkretisht, ajo ka deklaruar se në një moment Hyseni i ka sjellë asaj një pije. Ajo po ashtu tregonte që për shkak të atyre çka po përjetonte, thjesht ka bërë çka i thuhej të bënte. Pra, pavarësisht se ishte abuzuar edhe më parë nga Hyseni, ajo thjesht nuk ishte në pozitë për të thënë jo”, vazhdon shpjegimi në aktakuzë. 

Gjithnjë sipas aktakuzës, “Pasi ka pirë pijen që i kishte sjellë Hyseni, dëshmitarja filloi të kishte marramendje. Dikur më vonë Nexhat Qubreli e nxori motrën e dëshmitares nga dhoma. Pastaj, Shefki Hyseni e rrëzoi dëshmitaren përdhe. Ajo u përpoq të luftonte, por pa sukses. Pastaj i ra të fikët. Kur u përmend, vuri re që ishte lakuriq, kishte gjakderdhje dhe dhimbje në pjesët intime. Ajo pa shumë njolla gjaku përreth saj” përfundon pika e 26 e arsyetimit të aktakuzës. 

Por tmerret e dëshmitareve A dhe B nuk përfundojnë me kaq, edhe pse e pranojnë se pas dhunimit të së parës janë lënë për një kohë në një dhomë të shtëpisë e nuk janë rrahur. 

Ato më pas me urdhër të Ismet Haxhës janë dërguar me sy të lidhur nga Vaganica në Likovc të Skënderajt, ku UÇK-ja kishte vendosur Shtabin e Zonës Operative të Drenicës, duke u rrahur përsëri, tash nga “Sulltani” dhe pjesëtarë tjerë të UÇK-së. 

Nofka luftarake e Sylejman Selimit, komandantit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, ishte “Sulltani”. Ai u kishte deklaruar hetuesve të Tribunalit të Hagës në vitin 2003, kur po e pyesnin për disa veprime të ushtrisë guerile, se deri në klasën e parë fillore ka menduar se e ka emrin Sulltan, pasi ashtu e kanë thirrur të gjithë të njohurit. 

Ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Sylejman Selimi po ngarkohet edhe në këtë aktakuzë nga prokurori special i Eulex-it Maurizio Salustro, për krime të luftës kundër popullatës civile duke cenuar integritetin trupor dhe shëndetin e dëshmitareve A dhe B. Ai po mbahet në paraburgim, bashkë me gjashtë të akuzuar të grupit Drenica, që nga 31 maji. 

“Në një moment Dëshmitarja A ka rrëmbyer një armë dhe ka kërcënuar që do ta shkrepë, pas kësaj ia kanë marrë armën dhe e kanë keqtrajtuar edhe më shumë”, shpjegon aktakuza përjetimet e rënda të vajzave në Likovc. 

Ekzekutimi i rremë i dy motrave 

Dy dëshmitaret, përjetimin më të rëndë, gjatë të cilit u frikuan edhe për jetën, e përjetuan, kur ushtarët po i kthenin ato me makinë nga Likovci përsëri në drejtim të Vaganicës.  

Ismet Haxha dhe një person me nofkën “Gulinovi”, në një moment ndaluan makinën, duke inskenuar ekzekutimin e motrave. Ishte nata e së njëjtës ditë, kur ato nga Vaganica u transportuan për t’u rrahur edhe në Likovc. 

Aktakuza këtë ngjarje të rëndë e përshkruan kështu: “Rrugës duke u kthyer ata [Haxha e Gulinovi] e kanë ndaluar automjetin. Të dyja dëshmitaret deklarojnë se Ismet Haxha i detyroi të dalin nga makina, të ulen në gjunjë përtokë dhe nxori pistoletën. Pastaj, gjuajti me armë afër trupave të dëshmitareve, Sipas të dyja dëshmitareve Haxha ka thënë diçka të tillë si ‘keni lindur me fat’”. 

Kjo ngjarje mendohet të ketë ndodhur në një vend të papërcaktuar mes fshtrave Vaganicë e Likovc. Më pas dëshmitaret ishin liruar me premtimin se do të vendosin pajisje eksplozive në një lokal në Mitrovicë, duke mos e bërë asnjëherë një gjë të tillë. 

Por nga Likovci, keqtrajtuesit e tyre u lanë në kujtesë edhe kujtime tjera të trishta, vajzave pa fat. 

Njëri prej ushtarëve që është prezantuar si ‘Jakup Krasniqi’ ia ka prerë buzën Dëshmitares A me një thikë. Ai u ka prerë të dyja vajzave flokët me thikë”, thuhet në aktakuzë. 

Aty nuk sqarohet se kush qëndron prapa emrit Jakup Krasniqi dhe emri është i vendosur nën thonjëza. 

Kryeparlamentari Krasniqi, më 14 nëntor, i tha Gazetës “Zëri” se ka qenë vetëm zëdhënës i UÇK-së, ndërsa nuk është e vërtetë dhe nuk qëndron përfshirja e tij në tortura të tilla çnjerëzore. 

Megjithatë, Krasniqi shtoi se është në gjendje të përballet me pretendime të tilla. 

Kur Dëshmitarja A pas luftës filloi të kontaktojë me hetuesit e UNMIK-ut, duke kërkuar drejtësi për përjetimet e vitit 1998, Haxha kishte shkuar tek ajo dhe i kishte kërkuar falje, duke i thënë se nuk do t’i ndodhte asgjë e keqe, nëse nuk i jep informacione misionit të atëhershëm të OKB-së, thuhet nga fundi i aktakuzës.  

Avokatët mohojnë akuzat 

Avokatët e të akuzuarve i thanë Gazetës se seanca fillestare është caktuar me 27 nëntor. 

Faruk Korencia, avokati i Shefki Hysenit tha se nuk e pranojnë fajësinë.

“Është ngrit akuza, seanca e parë është më 27, me siguri nuk e pranojmë fajësinë, se nuk ka asnjë argument për të vepruar ndryshe”, i tha ai Gazetës. 

Mahmut Halimi, avokati i Ismet Haxhës i tha Gazetës se i mbrojturi i tij, nuk ka qenë asnjëherë në shtabin operativ të Drenicës. 

“Haxha ka thënë se ai ka qenë pjesë e shtabit operativ të Shalës, dhe nuk ka qenë kurrë në zonën operative të Drenicës. Andaj është deklaruar se nuk ka të bëjë asgjë me këto akuza”, i tha Halimi gazetës. 

Tomë Gashi avokati i Sylejman Selimit i tha gazetës se “nuk ka mujt me ju ndodh asgjë në Likovc, pasi që ato janë marrë nga njerëz të njohur në Vaganicë, e që ajo bije nën komandën e shtabit operativ të Shalës, e jo në shtabin operativ të Drenicës”.

Ndërsa Bajram Tmava, avokati i Nexhat Qubrelit tha se klienti i tij, as nuk i ka mohuar e as pohuar akuzat që i janë bërë ndaj tij. 

“Nuk mundem me u thënë as që i ka mohuar dhe as qe i ka pohuar akuzat. Mundeni me ardhë edhe me pa seancën më 27 nëntor ne ora 9″, ka thënë Tmava.