Prokuroria Nuk Ka Hapur Rast Penal Ndaj Leutrim Thaçit

Leutrim Thaçi,  nipi i kryeministrit Hashim Thaçi, dyshohet se është përfshirë të mërkurën më 20 mars në një sulm fizik.

Sipas policisë, sulmi fizik që përfshiu disa njerëz ndodhi rreth mesnatës në rrugën Pashko Vasa në Prishtinë. Për këtë rast policia ka shoqëruar në stacionin policor disa persona.

Prej tyre me urdhër të prokurorit në mbajtje janë dërguar dy persona të dyshuar, një prej të cilëve është Leutrim Thaçi. Më vonë ata janë liruar në procedurë të rregullt.

Kundër tij nuk është ngritur rast penal pasi që Prokuroria e Shtetit ende nuk e ka pranuar kallëzimin penal të cilin e ka ngritur Policia e Kosovës.

Prokuroria e Shtetit, përmes zëdhënëses Liridonë Kozmaqi, ka deklaruar se nuk është hapur asnjë rast për Leutrim Thaçin për shkak të mungesës së kallëzimit penal.

“Unë nuk di që Policia e Kosovës ka ngritur kallëzim penal”, i tha Gazetës Jeta në Kosovë Kozmaqi.

Sipas saj edhe nëse bëhet kallëzim penal “rasti nuk duhet domosdoshmërisht të procedohet shpejt vetëm nëse bëhet fjalë për ndonjë vepër të rëndë”.

Në anën tjetër, Policia e Kosovës ka deklaruar se e ka përfunduar punën e me ngritjen e kallëzimit penal. 

“Normalisht që kemi bërë kallëzim penal” tha zëdhënësja e policisë Flora Ahmeti.

Ajo shtoi se “hetimet po vazhdojnë”.

Gazeta ka provuar të kontaktojë me familjarin e tij Gani Thaçin por ai nuk u është lajmëruar thirrjeve telefonike.