Nga një protestë kundër dhunës ndaj grave FOTO ARKIV: KALLXO.com

Për Vrasjen e Grave: A Jemi të Gjithë Disi Bashkëfajtorë?

Duke refuzuar të jemi bashkëpjesëmarrës në një cikël vicioz të dhunës, ne do të frymëzojmë një kulturë ku raportimi i dhunës, sidomos kur jemi dëshmitarë në familjet tona, është një detyrë qytetare dhe njerëzore.

Këtë javë një grua tjetër vdiq si viktimë e dhunës në familje: Sevdije Berisha, 52 vjeçare, u sulmua nga i shoqi më 17 nëntor dhe vdiq një javë më vonë nga lëndimet e tmerrshme në trupin e saj. Sipas dosjes së prokurorisë të marrë nga BIRN, 66-vjeçari i dyshuar, Isen Berisha gjithashtu plagosi gruan shtatzënë të djalit të tij 27 vjeçar dhe aktualisht po mbahet në paraburgim. I dyshuari është raportuar se ka pasur në posedim një armë ilegale gjysmë automatike, dhe çifti thuhet se ka pasur probleme të vazhdueshme në 30 vjetët e martesës së tyre.

NDËRLIDHUR

Siç ndodh shpesh me këto krime, Prokuroria Themelore e Prishtinës dyshon se Isen Berisha është i sëmurë mendërisht. E njëjta gjë u tha edhe për burrin e Zejnepe Bytyqit, i cili e kishte therë 23 herë, e kishte keqtrajtuar atë për vite me radhë dhe kishte pasur një dosje kriminale të gjatë para se ta vriste. I njëjti justifikim u përdor edhe nga një polic i ri i cili u përpoq ta vriste ish-të fejuarin e tij duke e qëlluar atë në kokë. Ajo mbijetoi, por humbi syrin. Disi, një njeri që konsiderohej i arsyeshëm për të mbajtur uniformën e policisë, klasifikohej si i sëmurë mendërisht kur u përpoq të vriste një grua.

Midis viteve 2011 dhe 2017, gjashtë gra në Kosovë janë vrarë nga burrat, shumica prej tyre nga burrat apo partnerët e tyre. Burri i Diana Kastrati ka ikur nga vendi, bashkëshorti i Zejnepe Bytyqit u dënua me 17 vjet burg, një zgjatje e dhënë nga Gjykata e Apelit pas një dënimi më të shkurtër me pretekstin se i akuzuari ishte i sëmurë mendor dhe deklarata e avokatit të tij se motivi i vrasjes ishte pabesia e saj. Dafina Zhubi u vra në apartamentin e të dashurit të saj, dhe prokuroria tha se kishte kryer vetëvrasje. Një ekspertizë e huaj, një institucion zviceran i quajtur ‘Forensicons’, arriti në përfundimin se ajo u vra dhe përjashtoi mundësinë që ajo mund të kishte qëlluar veten në kokë.

Lista e grave të vrara po rritet çdo vit. Njerëzit e dhunshëm nuk po mbahen përgjegjës dhe sistemi i drejtësisë po dështon t’i mbroj gratë që janë të detyruara të durojnë abuzimin e zgjatur. Por, si një problem kulturor thellësisht i rrënjosur, dhuna në familje ushqehet në heshtjen e anëtarëve të familjes dhe vlerat e pavërteta të familjes.

“Ai më goditi shumë. Baam! Nga askund. Nuk e di pse e bëri këtë. Vetëm i erdhi ashtu, mendoj”, më tha një herë gjyshja, duke reflektuar se si abuzimi i gjyshit tonë nganjëherë edhe e la atë të hutuar.

“Ai ishte aq i zemëruar. Madje edhe para se të vdiste, kur humbi forcën e tij dhe nuk mund të më godiste më, më pickonte sa herë që uleshim pranë njëri-tjetrit “, tregon ajo.

Por ironia është se pavarësisht se si e trajtoi atë, ajo ende flet mirë për të dhe dëshiron që ne të gjithë, të rriturit dhe fëmijët, ta kujtojmë atë me respekt dhe dashuri.

Fëmijët e Sevdije Berishës refuzuan të flasin me mediat për atë që kishte ndodhur në familjen e tyre. Ndërsa është plotësisht e kuptueshme që atyre u duhet dhënë paqe dhe qetësi për të përballuar situatën e tmerrshme, është gjithashtu shumë e parashikueshme që ta shohin këtë si një çështje private.

Burrave u jepet privilegji të nxjerrin zemërimin e tyre në fytyrat dhe trupat e grave të tyre. Gratë janë të mësuara me mendimin që burrat janë pronarë të jetës së tyre dhe se ndonjëherë ato e meritojnë keqtrajtimin, ndërsa të tjerët mësohen të qëndrojnë të qetë dhe të mendojnë për punët e tyre. Jo vetëm që mësojmë të gëlltisim gabimet që ndiejmë dhe dëshmojmë, por gjithashtu jemi bërë për të kultivuar respektin dhe mirëkuptimin për abuzuesin, në vend që të kemi empati dhe të kërkojmë drejtësi për viktimën.

Pritjet e tilla të dëmshme dhe të dhunshme që na kërkojnë të qëndrojmë të qetë dhe të mbrojmë emrin dhe nderin tonë familjar, janë aq të rrënjosura në të gjithë ne sa që është shumë e vështirë për t’u kapërcyer. Edhe kur drejtësia mbizotëron në raste të caktuara, nuk mund të sigurohemi që dhuna ndaj grave do të parandalohet dhe se jetët e grave do të shpëtohen.

Por, ndërsa ne zgjedhim të qëndrojmë pa folur brenda qarqeve tona private, ne nuk po mbrojmë gratë në familjet, lagjet dhe komunitetet tona. Dhe si të rritur, dëshmia për dhunën dhe mosreagimi kundër saj në çfarëdo mënyre të mundshme, a na bën të jemi bashkëpunëtorë në të gjithë dhunën nga e cila vuajnë gratë?

Asnjë ligj në Kosovë nuk parasheh raportimin e detyrueshëm të dhunës në familje.

Kodi Penal dënon refuzimin për dhënien e ndihmës përmes nenit 191, paragrafi 2, i cili thotë: “Kushdo që refuzon t’i ofrojë ndihmë një personi tjetër në një situatë të rrezikshme kërcënuese për jetën, ose rrethanat që janë shkaktuar nga kryerësi dënohet me burg prej tre (3) vjetësh.”

Por për shkak të mbizotërimit të dhunës në familje në Kosovë dhe vrasjes së grave në veçanti, duhet të bëhen përkufizime dhe dispozita ligjore konkrete për të siguruar një parandalim efektiv.

Krahas fushatave për ngritjen e vetëdijes dhe programeve qeveritare, duhet të ndiqen edhe sanksionet për të rriturit që janë dëshmitar të dhunës sistematike në familje por nuk raportojnë. Çdo të rrituri që është dëshmitar i dhunës duhet t’i jepet jo vetëm e drejta për ta raportuar, por duhet të pajiset me përgjegjësinë qytetare për të raportuar dhunën që ai ose ajo dëshmon në qarqet e tyre familjare ose më gjerë. Dhe pa dyshim që personi duhet të marrë mbështetje institucionale në mënyrë që me siguri dhe anonimitet të bëj raportimin dhe të mbrojë personin, jeta e të cilit është e rrezikuar. Aftësia për të mbrojtur dëshmitarët është një tjetër e metë e madhe e sistemit tonë të drejtësisë.

Duke refuzuar të jemi bashkëfajtorë në këtë cikël vicioz të dhunës, ne do të frymëzojmë një kulturë në të cilën raportimi i dhunës, sidomos kur jemi dëshmitar në familjet tona, është një detyrë qytetare dhe njerëzore. Kur dhuna raportohet në mënyrë të pafalshme, vlerat e familjes rimëkëmben dhe zëvendësohen me ato që pranojnë humanizmin dhe dinjitetin e plotë të atyre që abuzohen dhe jetët e të cilëve mund të jenë në rrezik.

Sevdije Berisha është një tjetër grua që vuajti një vdekje të dhunshme dhe tmerrësisht të dhimbshme nga burri i saj. Ndërsa prokuroria dhe njerëzit në përgjithësi e gjejnë më të lehtë për të justifikuar këtë krim të tmerrshëm me çmendurinë e vrasësit, ne duhet të përqendrohemi në efektin afatgjatë se çkai bën e gjithë kjo dhunë shëndetit tonë mendor si një shoqëri në përgjithësi.

Gratë do të vazhdojnë të jetojnë me frikë dhe do të pësojnë një përfundim si Sevdija apo Zejnepja nëse vazhdojmë të trajtojmë abuzimin në familje si çështje private dhe të zgjedhim ‘vlerat familjare’ para dëshmisë për të mbrojtur ata që janë të pambrojtur.

02 Dhjetor 2017 - 19:03

Shqipe Gjocaj 02/12/2017 - 19:03
NDËRVEPRIMI20