Foto: Jetmir Idrizi

Në Zërat e Tyre

Dhjetë të mbijetuarat e dhunës seksuale tregojnë historitë e tyre, duke zbuluar të vërtetat rreth shoqërisë kosovare dhe se si lufta e NATO-s ka prekur civilët në terren.

Me publikimin e “Dua të dëgjohem”, një përmbledhje e intervistave, dhjetë gra shqiptare të mbijetuara nga dhuna seksuale gjatë luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë, më në fund kanë thyer heshtjen e tyre. Folëset kanë shumë gjëra të përbashkëta, pasi ato përfaqësojnë një grup të veçantë: ato të gjitha i përkasin komuniteteve rurale, një bote në të cilën ende mbizotëronte tradicionalizmi kur ato po rriteshin; ndërsa gjatë luftës, u bënë në mënyrë të dhunshme shënjestër e kundër-përgjigjes së Millosheviqit. Përderisa ato zbulojnë bujarisht detajet intime të jetës private, ato gjithashtu na ofrojnë një rrëfim më të gjerë të cilin ne, lexuesit, kemi për detyrë t’i kushtojmë vëmendje.

NDËRLIDHUR

Gjëja e parë që këto rrëfime të grave thyejnë është miti i jetës së mirë në fshatra, bazuar në traditë dhe të paprekur nga të këqijat e civilizimit jugosllav. Varfëria ekstreme ishte e kudogjendur. Kur Hëna thotë, “Nuk maj n’mend kurgjo t’mirë në fmini”, ajo po përdor një gjuhë shumë të fortë. Ajo nuk është e vetme.

Kujtimet e H.M. janë zemërthyese. “Që ka pasë ditë e qitke nana nji bukënore. Nana s’hajke hiç. Ja niske kajke. Unë isha ma e madhe prej tanë fmive. E pajsha nanën tu kajtë, e thojsha, ‘as s’du me hangër.’”

Th.M. zhvendoset në qytet me familjen e saj dhe nuk dëshiron të kthehet; duke iu kthyer prapa jetës në fshat, ajo thotë, “..kur t’i kqyrë do fakte, hiç çfarë ma miri (qeshet). As s’ke pas rrymë nëpër katune, katastrofë o kanë […] si parahistorikë jonë kanë, po çfarë miri?”

Të gjitha gratë flasin për largimin e tyre nga shkolla si traumë të parë. Kjo është kur ato e kuptuan se, si gra, nuk ishin aq të vlerësuara sa burrat. Ato panë vëllezërit e tyre të shkojnë në shkollë, ndërsa ato u përdorën si krahë pune në ara ose në shtëpi. Puberteti i bëri të kuptojnë edhe një gjë tjetër: ato kishin për të prodhuar fëmijë, mundësisht djem. Për E.T., e cila u martua në moshën 12 vjeçare me një burrë që ishte 40 vjeç, në moshën e babait të saj, madje edhe shkollimi i hershëm nuk ishte i mundur. Hëna u detyrua ta harronte djalin që donte dhe u fejua me dikë që e demaskoi veten se ishte një dështak abuziv: “S’ish ai njeri, veç rrijke me gra t’hallkut, s’ish njeri, far majmuni, fukare, bukë me hangër s’kish.”  Kur ajo më në fund e la atë, pas lindjes së dy fëmijëve, familja e saj e martoi sërish, në moshën 27 vjeçare, tek një i ve 50 vjeç me gjashtë fëmijë. Për fat të mirë, burri i dytë doli të ishte një njeri i mirë, i cili kujdesej për të. Merita nuk kishte fat të tillë, dhe ishte e mbërthyer në një martesë me një alkoolist të paaftë për tu përkujdesur për familjen e tij.

Këto tregime sugjerojnë rishikimin e një miti tjetër, atë të ndërhyrjes së NATO-s në vitin 1999 si një sukses i pamohueshëm. Në fakt, pasi NATO ndoqi ekskluzivisht fushatën e bombardimeve ajrore me një politikë me zero viktima, forcat serbe të sigurisë sulmuan civilët kudo, por me brutalitet të veçantë në zonat rurale. Përdhunimet kishin filluar shumë më herët, dhe Hëna ishte sulmuar në vitin 1992 kur ajo shkoi në spital për të lindur djalin e saj. Por kur filloi lufta e NATO-s, dëbimi, vrasjet në masë dhe përdhunimet u përhapën. Policia dhe paramilitarët serbë ndaluan gratë, ua dogjën lëkurën me cigare, i prenë trupat e tyre, i droguan ato dhe i përdhunuan.

Teuta e dinte se çfarë do të ndodhte me gratë që kur ajo kishte parë luftën e Bosnjes në televizionin zviceran. Ajo që askush nuk e dinte, por së shpejti e zbuluan, ishte se lufta do të ishte shumë më e keqe për civilët pas ndërhyrjes së NATO-s. Merita kujton, “Me 24 mars, na u gëzume, mendumë që o bo mirë. Erdhën NATO e kanë me e ndal luftën e me bo mirë, e veç filloi luftë edhe ma e madhe.”

NATO i la civilët në mëshirën e një makinerie ose vdekjes dhe shkatërrimit. Policia dhe paramilitarët serbë përdhunuan nga oportunizmi, si në rastin e Th.M., e cila u rrëmbye në një kafene, apo të Meritës, e cila u sulmua në një hambar, duke marrë ushqim për familjen e vet. Ose ato përdhunuan sipas një plani për të shkatërruar familjet dhe komunitetet, si në shumicën e rasteve, kur ata i mbyllën viktimat e tyre në kampe të përdhunimit dhe i torturuan.

Askush nuk i mbrojti këto gra. NATO nuk ishte i pranishëm në terren. Këto të mbijetuara thonë se ushtria e rregullt serbe nuk i ka sulmuar, por as nuk kanë bërë asgjë për të ndaluar dhunën. Anëtarët meshkuj të familjes nuk mund të ndihmonin. Kur ishin të pranishëm, ata u vranë ose u arrestuan, si burri i Lolës. Kur u arrestuan, ata u përdhunuan.

Ne mësojmë nga këto tregime se një dënim i vakët i familjeve për të mos ndihmuar të mbijetuarit do të ishte gabim. Nuk ka asnjë model këtu. Disa njerëz nuk mund t’i ikin të njëjtit tradicionalizëm që i shtypte gratë para luftës. Por shumica ishin thyer nga ndodhitë dhe shpesh nuk kishin asnjë mënyrë për t’u përballuar me to. Kur vëllai i Lolës donte të linte gruan e tij, nëna e tij u përball me të. Ajo së pari i kujtoi atij se motra e tij ishte përdhunuar, pastaj se edhe ai ishte përdhunuar në paraburgim, më në fund, “’E me te kallxu edhe nji punë!’ Tha, ‘Çka?’ Tha, ‘S’ta kallxoj kurrë për jetë.’ At’herë vëllau e kuptoi që edhe nana u kanë e dhunume. Edhe u çu, ia nisi po kanë e na kapi tanave n’grykë.”

Pothuajse të gjithë të mbijetuarat u përpoqën të bënin vetëvrasje, por u shpëtuan nga anëtarët e dashur të familjeve të tyre. Çuditërisht, në disa raste ishte vjehrri që ishte më i kuptueshmi. Dy burra shumë mbështetës tregojnë historitë e tyre në libër. Por në një rast tjetër, burri u kthye në shtëpi pas tre vjetësh dhe përdhunoi gruan e tij për ta dënuar atë.

Jashtë familjes ka qenë më keq. Thashethemet dhe tallja e një shoqërie të vogël, të mbyllur, prisnin të mbijetuarit. Ata janë viktima civile të luftës, por janë injoruar në përkujtimet e luftës dhe nga institucionet, deri sa presidentja Atifete Jahjaga i dha shtysë një sërë nismash, si ligjin që siguron një pension për të mbijetuarat dhe vendosjen e instalacionit në vitin 2015 “Duke menduar për ty”, nga Alketa Xhafa Mripa. Monumenti Heroinat është ngritur në qendër të Prishtinës.

Sidoqoftë, që nga lufta vetëm grupet për të drejtat e grave u kujdesën për të mbijetuarat e përdhunimit dhe i lejuan të flasin ato, të paktën midis tyre. Tani ato po flasin edhe me të gjithë ne. Ajo që ata komunikojnë është vullneti i tyre i jashtëzakonshëm për të jetuar, jo vetëm për të mbijetojetuar. Ato kërkojnë kujdes mjekësor, por rezistojnë thjesht në mjekimin e gjendjes së tyre. Ndërsa ngadalë shërohej nga një çrregullim serioz post-traumatik, H.H. ishte shqetësuar nga njerëzit të cilët i thonin se ishte e sëmurë, sepse ajo mendonte se nuk ishte. Të mbijetuarat i luten Perëndisë, por nuk besojnë se ajo që u ndodhi atyre ishte vullneti i Perëndisë. Siç thotë Lola, “Perëndia më dha jetë, serbët e morën atë prej meje”.

Ato kanë një dëshirë të madhe për t’i treguar botës se çfarë kanë vuajtur dhe të besohen. Njohja është forma e vetme e drejtësisë që mund ta kenë.

Anna Di Lellio është profesoreshë e shkencave politike në Universitetin e Nju Jorkut dhe nëShkolla e Re për Angazhim Publik. Ajo është bashkë-themeluese dhe këshilltare akademike e Iniciativës Kosovare për Histori Orale.

14 Qershor 2017 - 20:34

Anna Di Lellio 14/06/2017 - 20:34
NDËRVEPRIMI7

Në Zërat e Tyre

by Kallxo
NA NDIQNI

Send this to a friend