Foto: Rrjeti i Grupit të Grave të Kosovës

'Lopët' dhe 'Kurvëria Politike': Nderimi im për Gratë në Politikë në Kosovë

Në jetën time profesionale, askund nuk jam përballur me më shumë mungesë të respektit të drejtpërdrejtë sesa në Kosovë. Lista ime mendore e incidenteve përmban tallje poshtëruese për pamjen time, fjalë se unë duhet të jem e trashë apo e paditur deri edhe kërcënime për padi.

Nëse s’mund të pandehni dot, thuajse të gjitha këto incidente përfshinë burra shqiptarë. Disa janë më të vjetër, disa tjerë të rinj, disa të pashkollë e disa akademikë, por mendjemadhësia dhe egoja e ndjeshme i bashkon të gjithë. Secila grua që është e gatshme të punojë në Kosovë dhe që nuk pranon të nënshtrohet, bëhuni gati: është një radhë e gjatë burrash të cilët presin për të thënë se sa e trashë dhe e paaftë je. Nëse ke fat, ndoshta nuk do të të thërrasin kurvë, por mos jini edhe aq të sigurt. Jam me fat që kam pasur kolegë që më kanë mbështetur, por një dozë e rregullt e armiqësisë mashkullore është e qenësishme për gratë profesionale në Kosovë.

Kjo është arsyeja pse unë nuk u kam lakmi grave që kanë zgjedhur jetën dhe detyrën publike në Kosovë. E ndjeja një damar që dridhej në ballin tim kur shikoja deputeten e Vetëvendosjes, Aida Dërgutin, teksa vazhdimisht ndërpritej nga dy burra të moshës së mesme, përfaqësues të Organizatës së Veteranëve të luftës së UÇK-së, gjatë një fjalimi për të drejtat e veteranëve. Është saktësisht toni që kam dëgjuar më parë, nëpër intervista, tryeza të rrumbullakëta dhe konferenca të panumërta, kur një burrë ka vendosur se është koha që një grua ta qep gojën. Është një ton që ruhet për gra dhe fëmijë, pasiqë një ton i tillë sigurisht që do të çonte drejt një përleshjeje ose edhe më keq nëse do të ishte mes burrave shqiptarë. Për atë arsye, Kryeministri Isa Mustafa nuk ka drojë kur bën qëndrime publike për organizatat e grave që “kullosin” fondet perëndimore. Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, nuk frikësohet kur e fton deputeten e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiun, t’ia “hajë” veglën në Kuvend. Veç këtyre, anëtari i Vetëvendosjes dhe ish-avokati i popullit Sami Kurteshi e quajti Ministren e Drejtësisë, Dhurata Hoxhën, “lopë” dhe “hienë që kultivon kurvëri politike” pa menduar dy herë.

Këta burra bëhen vjershëtarë kur flasin për të drejtat e grave, të vejat e luftës apo të mbijetuarat e përdhunimit në kohën e luftës, por akti i thjeshtë i shmangies nga krahasimet e grave me kafshë apo mos-hedhja e fyerjeve seksuale drejt tyre është kërkesë e vështirë. Mos e harrofshim asnjëherë shfrimin që pati gazetari Milaim Zeka para kamerës në vitin 2010, kur e quajti gazetaren, Liridona Lluka-Gashi, “lopë të Danimarkës”, kërkoi që t’i tregojë se a kishte “probleme seksuale” dhe e kërcënoi se po të kishte qenë burrë do e kishte goditur aq fort sa “qurrat do i binin përtokë”. Çfarë bëri gruaja e gjorë për t’i merituar këto fjalë? Ajo e pyeti ish-kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqin, për fondin e mbrojtjes në gjykimin e Fatmir Limajt për krime lufte. Sigurisht, Zeka kërkoi falje kur pa se njihte disa burra nga familja Lluka-Gashi (sepse dallon shumë fyerja e një gruaje prej fyerjes së burrave të afërm të saj). Kam filluar të mendoj shumica e burrave që kërkojnë pushtet në Kosovë kanë pak nga gjeni i Milaim Zekës.

Ndërsa, nëse taktika për mbylljen e gojës nuk është armiqësia, atëherë është poshtërimi. Ambasadorja e Kosovës në Uashington, Vlora Çitaku, merr fort vëmendje se për sa kohë u shtrëngon dorën zyrtarëve apo sa herë e puth në faqe një të njohur të saj teksa zyrtarët qeveritarë sikur Ramadan Sejdiu, të cilët janë shtrënguar të japin dorëheqje për shkak të ngacmimit seksual ndaj nxënëseve të shkollës, marrin vëmendje të sipërfaqshme.

Vitin e kaluar, deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, ka qenë subjekt i një linçimi të marramendës e fyes publik pasiqë ajo kinse kishte futur një bombolë të gazit lotsjellës në Kuvend, duke e futur atë në vaginë. Në Maqedoni, deputetja Ermira Mehmeti është detyruar ta lë jetën publike pasi dolën incizimet e saj duke bërë “phone sex” me Zëvendëskryeministrin Musa Xhaferi. Pikëpamjet politike të këtyre grave mund të jetë diametralisht të kundërta, po ato kanë pa dyshim një gjë të përbashkët: shumë burra të nervozuar që s’duan vetëm t’ua garantojnë atyre disfatën politike, por edhe poshtërimin.

Me të vërtetë dëshiroj ta di se pse kaq shumë burra shqiptarë janë të nervozuar me gratë. Kam marrëdhënie të mira dhe shoqëri të rëndësishme me shumë nga ta. Kolumnisti i Prishtina Insight, Mikra Krasniqi, ofron disa të dhëna për origjinën e kësaj armiqësie në një opinion të titulluar “Why we offend our women (Pse i fyejmë gratë tona)”.

“Kur s’është praktike të bëhet një gjë e tillë, apo kur gratë janë larg grushtave dhe plumbave tonë, drejtohemi te fondi ynë i pasur i fyerjeve dhe shpifjeve që të bëjnë të ngjethesh. Përdorim metafora për të sjell në mendje imazhe që përpiqen ta zhveshin gruan nga integriteti dhe gjinia e tyre, ta njollosin dhe ta çnjerëzojnë atë.

Është realisht vetëm një gjë që mund ta shtoj: jemi mësuar me këtë. Pa dyshim po bëhet më pak e efektshme kur na thonë lopë (e kam dëgjuar më parë), budalla, apo kurvë (e kam dëgjuar njëmijë herë më parë). Unë nuk përputhem politikisht me shumicën e politikanëve dhe politikaneve, por e përshëndes përmbajtën dhe dinjitetin e Dhurata Hoxhës, Aida Dërgutit, Albulena Haxhiut, Vlora Çitakut dhe shumë gra tjera që kanë vendosur të punojnë në hapësirë e maskulinitetit të brishtë e njohur si politika kosovare.