Llamkos Lidhet me Oligarkun Rus

U konsiderua si investim i rëndësishëm britanik në Kosovë, por e vërteta që qëndron pas privatizimit të fabrikës së trazuar të çelikut Llamkos është më e ndërlikuar, siç zbulohet në hetimin e kryer nga Gazeta Jeta në Kosovë, përmes të cilit janë gjetur gjurmë që shpijnë që nga Gjiri Persik e deri tek stepat e Sibirit. 

Puna jonë gjithashtu ngritë dyshime lidhur me atë nëse shitja e fabrikës biznesmenit kosovar Jeton Sadiku, i cili ka edhe shtetësi britanike, është bërë duke shkelur rregullat e privatizimit. 

Hulumtimi i llogarive të kësaj firme në Britani, Zvicër, Rusi, Kosovë, Dubai dhe Qipro, të cilin e ka kryer Gazeta Jeta në Kosovë, ka zbuluar se kompania që ka blerë Llamkosin nuk ishte fare britanike në kuptimin normal të fjalës. 

Kjo kompani është me seli në parajsën tatimore të gjirit persik dhe në pronë të shqiptarit nga Kosova që mban edhe pasaportë britanike e i cili ka lidhje të ngushta me një oligark rus dhe në të kaluarën ka poseduar një sërë kompanish josolvente (paaftësia e pagesave) nën brezin e tij. 

Coresteel DMCC me seli në Dubai, është së paku kompania e katërt e Jeton Sadikut që zhvillon veprimtari në fushën e çelikut. Tri kompanitë tjera të tij që zhvillojnë afarizëm në këtë fushë – Bel & Steel, Coresteel Ltd dhe Coresteel AG – janë mbyllur apo janë duke u mbyllur për shkak të moslikuiditetit financiar apo për shkak të mosparaqitjes së bilanceve financiare. 

Gazeta Jeta në Kosovë zbuloi se likuidimi i detyruar i Coresteel AG me seli në Zvicër, erdhi pas parashtrimit të kërkesës gjegjëse pranë Gjykatës së Lartë të Londrës nga Fortis Bank, e në të cilën kërkohej që kjo firmë të mbyllet për shkak të borxheve të papaguara nga viti 2009. 

Kjo do të duhej të mjaftonte për të parandaluar konkurrimin e Sadikut për blerje të Llamkosit. Ai bleu këtë fabrikë në muajin korrik të vitit 2011 për një shumë prej 5.1 milion euro. 

Dokumentet e kompanive Bel & Steel dhe Coresteel AG zbulojnë se kosovari Sadiku kishte lidhje afariste me oligarkun rus Andrey Dobrov, i cili nga revista Forbes ishte radhitur në vendin e 162 të listës së njerëzve më të pasur të Rusisë, duke qenë se pasuria e tij vlerësohej të jetë 400 milion euro. 

Dobrov fitoi këtë pasuri në qytetin siberik të Novosibirskut përmes veprimtarisë në industrinë e çelikut, thëngjillit dhe ndërtimtarisë, pas rënies së Bashkimit Sovjetik. 

Sadiku thotë se ai i ka shkëputur marrëdhëniet me Dobrovin dhe me ish-firmën e Dobrovit, Belon Group, në vitin 2005. Ai pranoi për Gazeta Jeta në Kosovë se ai dikur ka qenë pronar i pjesshëm i gjigandit rus në industrinë e thëngjillit dhe çelikut. 

Coresteel AG falimenton:

Sipas deklaratave të fundit financiare të kësaj kompanie, të paraqitura në vitin 2008 në Londër, ku kjo firmë zvicerane ka të regjistruar një degë, Coresteel AG në vitin 2007 ka pasur qarkullim prej 186 milionë euro dhe ka gjeneruar fitim bruto në vlerë prej 9 milionë euro. 

Por, Coresteel AG gjithashtu ka pasur një kredi (mbitërheqje) bankare të madhe në shumë prej rreth 50 milionë eurosh, të cilën e ka marrë në fund të vitit 2007. 

Në vitin 2009, Fortis Bank, e cila kësaj firme ia ka huazuar një shumë të panjohur parash, ka kërkuar pranë Gjykatës së Lartë të Londrës falimentimin dhe mbylljen e kësaj firme dhe shpagimin e borxheve ndaj saj. 

Beteja gjyqësore 

Firma turke Mutafqi Dragon u diskualifikua si fitues i procesit tenderues në mars të vitit 2011, përkundër faktit që kishte ofruar çmimin më të lartë. 

Ajo beson se shitja e Coresteel DMCC do të anulohet nga Gjykata Supreme, instancë kjo ku kompania në fjalë ka parashtruar ankesë. 

Kjo kompani u shpall fituese në mars të vitit 2011, pasi që ofroi shumën prej 6.5 milion euro. Por, ky vendim u anulua nga AKP në qershor, duke thënë se nuk ishte e bindur për planin afarist të firmës apo për autenticitetin e disa prej dokumenteve të ofruara. 

“Ne i kemi plotësuar të gjitha kushtet e kërkuara, përfshirë garancinë bankare prej 30 milion dollarësh, ruajtjen e veprimtarisë së njëjtë [në Llamkos], mbajtjen e numrit të njëjtë të punëtorëve, ofrimin e mbi 72 referencave, qarkullimin vjetor prej 28 milion euro dhe stafin menaxherial përkatës,” tha përfaqësuesi i kësaj firme në Kosovë, Enis Cela. 

“Ne jemi dëmtuar për faktin se Bordi i AKP-së donte të fitojë kompania e tyre e preferuar, e cila ishte radhitur e treta [në tenderim] me çmim prej 5.1 milion euro,” tha ai. 

“AKP thotë se fituesi [i tenderit] ka premtuar mbajtjen e numrit të punëtorëve, por kjo arsye nuk qëndron ngase ne jemi zotuar të punësojmë 457 punëtorë, do të thotë 20 më shumë se sa obligimi për t’i mbajtur 437 punëtorët aktualë,” tha Cela.

Nuk bëhet e qartë nga llogaritë nëse kjo shumë është shpaguar dhe nëse kompania është likuiduar, edhe pse si duket ky proces është në përfundim e sipër. 

Përkundër procesit të likuiditetit financiar të Coresteel AG që aktualisht është duke u zhvilluar, Sadiku mundi ta blejë Llamkosin në vitin 2011, duke ofruar një shumë prej 5.1 milionë euro dhe një premtim për investime substanciale në zhvillimin afarist të saj, përmes Coresteel DMCC. 

Fakti se është pronar i një kompanie në proces të likuidimit do duhej t’ia kishte ndaluar atij pjesëmarrjen në këtë tender. 

Sipas rregullave të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, pjesëmarrja në tender u ndalohet ‘personave fizikë dhe juridikë të cilët gjenden në procedura të falimentimit ose likuidimit”. 

Zëdhënësi i AKP-së mbronte shitjen e bërë duke thënë se janë kryer të gjitha kontrollet përkatëse.  

“AKP ka kryer hulumtime të ligjshmërisë, kualifikimeve, stabilitetit financiar dhe hulumtime të natyrave të tjera, para marrjes së vendimit për përzgjedhjen e tenderuesit fitues nga Bordi i Drejtorëve të AKP-së,” tha Yll Kaloshi, zëdhënës i AKP-së.

“Në përgjigje ndaj kërkesave që ia ka bërë menaxhmenti i AKP-së, ofertuesi në fjalë, i cili tani është fitues i këtij tenderi, ka paraqitur deklarata financiare të audituara nga kompani të njohura”, shtoi ai.

Historitë e Josolvencës:

Sadiku ka arritur në Mbretërinë e Bashkuar në shtator të vitit 1991, pak ditë pasi që kishte marrë ftesën për rekrutim në armatën jugosllave, APJ. 

Ai kërkoi azil në qershor të vitit vijues, kur u bë e qartë se gjendja në Kosovë kishte pak gjasa të përmirësohej. 

Në vitin 1996, ai me shtatë kosovarë të tjerë kishte parashtruar padi kundër pranë Gjykatës së Lartë të MB-së në përpjekje të pasuksesshme për të detyruar Ministrinë e Punëve të Brendshme të Mbretërisë së Bashkuar duke kërkuar vendim mbi kërkesat e tyre të azilit. 

Në dokumentet gjyqësore nga viti 1996, të publikuara në internet nga UNHCR, Sadiku përshkruhet si “biznesmen i suksesshëm, i cili në vend punëson një numër të caktuar qytetarësh britanikë”. Nuk bëhet e ditur se kur e ka marrë pasaportën e këtij vendi. 

Pas kontrollit të dosjeve të Shtëpisë së Kompanive, regjistrit zyrtar të bizneseve të MB-së, e kuptuam se shumë firma të Sadikut janë likuiduar apo mbyllur për shkak të mosparaqitjes së deklaratave financiare. 

Kompani të tilla janë Fertrade UK, e mbyllur në vitin 2004; East West Europe, e mbyllur në vitin 2002; Capital Production Limited, e mbyllur në vitin 1998; Famebourtne Limited, e likuiduar dhe mbyllur në vitin 1998; dhe Goldman International Ltd. 

Sadiku ishte pronar, drejtor ose sekretar në të gjitha këto kompani. 

Lidhjet ruse: 

Sadiku gjithashtu kishte hise në industrinë e çelikut dhe lidhje të forta me Rusinë. 

Ai drejtoi dhe ishte pronar i pjesshëm i Bel & Steel, firmë kjo me seli në MB e cila merrej me tregtim të çelikut. 

Sipas dokumenteve zyrtare të siguruara nga gazeta, Andrey Dobrov mbante pronësinë mbi 90 për qind të aksioneve të kësaj firme.

Kjo firmë e krijuar në vitin 1995 falimentoi në vitin 2002 me mbi një milion sterlina borxh, përfshirë këtu borxhet ndaj gjigandit të industrisë së çelikut dhe thëngjillit nga Novosibirsku i Siberisë, e cila ishte pronë e vetë Dobrovit. 


 

Në shtator të vitit 2001, një firmë me emër të ngjashëm – Belsteel Management – u krijua në Zvicër.

Allan Dennis Cooper, investitor në biznese të ndryshme në Evropën Lindore, i cili drejton një sërë kompanish me seli në Londër dhe Zvicër, ishte themelues i kësaj firme përkrah partnerit të tij afarist Christian Sutter.

Sipas një interviste të publikuar të Dobrovit, Cooper ishte anëtar i bordit të Belon Group nga viti 2004. Shpejt ndryshoi edhe emri i firmës së re në Coresteel AG. 

Sipas regjistrave publikë të Zvicrës, Sadiku ishte pronari i vetëm i Coresteel AG, edhe pse nuk bëhet e qartë nëse ai kishte qenë pronar i vetëm gjatë tërë jetëgjatësisë së firmës. Ai u bë drejtor i saj në vitin 2003. 

Nuk është e qartë nëse Coresteel AG kishte pasur veprimtari afariste edhe me Belon AG – përkundër lidhjes që mund të kishin përmes Cooperit dhe ngjashmërisë mes emrave të tyre (Belsteel Management dhe Bel&Steel që ishte në pronë të Dobrovit). Cooperi nuk deshi të komentojë. 

Kur pyetëm për lidhjet e Sadikut me Dobrovin, zëdhënësi i Sadikut tha se ai dikur ka qenë një nga pronarët e Belon Group. 

Belon Group ka treguar interes për të investuar në Ballkan. Për shembull, në vitin 2005, ajo kishte paraqitur ofertën e vet për blerjen e termocentralit në Plevle të Malit të Zi, por më pas ishte tërhequr nga tenderi. 

Pyetjet të cilat ia kemi parashtruar Belon Group-it për lidhjet e tyre me Sadikun, Coresteel-in apo për përfshirjen e mundshme në Llamkos, kanë kaluar pa përgjigje. 

Ndërkohë, zëdhënësi i Sadikut ka thënë se ky i fundit ka punuar me Dobrovin dhe Belonin deri në vitin 2005. 

Sa i përket Coresteel AG, e cila ende nuk është likuiduar formalisht, ai na tha vetëm se firma me seli në Zvicër dhe firma e regjistruar në Dubai – Coresteel DMCC, nuk kishin lidhje mes veti. 

“Është e vërtetë se Jeton Sadiku ishte pronar i Belon Group së bashku me Andrey Dobrovin,” tha zëdhënësi i Coresteel Labinot Demi. 

Andrey Dobrov, një prej rusëve më të pasur.

“Sadiku i ka ndërprerë marrëdhëniet me Andrey Dobrovin në vitin 2005, ndërsa Dobrovi i ka trashëguar bizneset në Londër; si rrjedhojë Sadiku më nuk bartte kurrfarë përgjegjësie [për ato biznese],” shtoi Demi.

“Sa i përket pronësisë së Coresteel Company në Dubai, familja Sadiku posedon këtë kompani dhe ky është fakt të cilin ata nuk e fshehin dhe nuk e mohojnë,” vazhdon ai. 

“Belon nuk ka lidhje Coresteel DMCC, e cila dallon nga Coresteel AG.”

Pasi që Coresteel DMCC është e regjistruar në Dubai, vend ky që njihet si ‘strehw tatimore’ (Tax Haven), është e pamundur që të vërtetohet pronësia mbi këtë kompani në mënyrë të pavarur. 

Edhe pronarët e mëparshëm të Belon Group nuk bëhen të njohur, pasi që dy aksionarët kryesorë, Onarbay Enterprises Ltd dhe Sapwood Investments Ltd, janë të regjistruara në Qipro, e në këtë vend nuk publikohen pothuajse fare informata mbi kompanitë e regjistruara atje. 

Të dy këto firma kanë të regjistruara selitë në adresën Naousis 1 Karapatakis Building, Larnaca, 6018, Cyprus, që është edhe adresa e A.J.K. Bureau of Consultants Limited, firmë kjo e cila u ndihmon kompanive të regjistruara në vende të ndryshme që njihen si strehë tatimore dhe e cila thotë se zyra e saj në Qipro ‘shërben si qendër për promovim regjional’ për ish-shtetet e bllokut Sovjetik. 

Llamkosi, investim britanik?

Coresteel UK Limited, u themelua në korrik të vitit 2007 dhe u regjistrua me seli në Londër. Fillimisht drejtor i saj u regjistrua Worldform Ltd, kompani e regjistruar në Londrën lindore. Worldform është drejtor i regjistruar i qindra kompanive. 

Pak javë më pas, Sadiku u emërua drejtor, ndërsa Worldform ‘dha dorëheqje’. Në mars të vitit 2009 edhe Sadiku dha dorëheqje. 

Sipas të dhënave zyrtare, kjo kompani nuk kreu asnjë transaksion dhe u shua në gusht të vitit 2010. 

Përkundër kësaj, AKP shpalli se kjo kompani e ka fituar procesin e tenderimit në gusht të vitit 2011. Në komunikatën përkatëse për shtyp u tha se tenderin e kishte fituar një firmë ‘britanike’. 

Por, kontrata u nënshkrua më 21 gusht nga Dino Asanaj, atëbotë drejtues i AKP-së, dhe Adrian Holmes, përfaqësues i firmës nga Dubai e cila tani menaxhon fabrikën në Vushtrri nën emrin Coresteel DMCC. 

Në shtator të vitit 2011, Lordi Wallace i Saltaire tha në Dhomën e Lartë të Parlamentit në Londër: “jemi të ngazëllyer me faktin se kompania britanike Coresteel ka përfunduar blerjen e fabrikës së çelikut Llamkos.”

Në nëntor, Llamkosi u vizitua nga një delegacion parlamentar britanik si shembull i investimeve britanike në Kosovë. 

Ndërkohë, AKP ka pranuar se kompania në fakt ishte blerë nga Coresteel DMCC me seli në Dubai. 

Coresteel DMCC u themelua në një nga Zonat e Lira të Dubait, në të cilat kompanive u ofrohet mundësia e veprimit pa iu nënshtruar tatimit dhe duke i mbrojtur në mënyrë strikte të dhënat afariste. 

Për Coresteel UK dihet fare pak, pasi që ajo nuk ka paraqitur deklaratat financiare – kësisoj edhe veprimtaria e saj mbahet sekrete. 

Kur e pyetëm nëse AKP ka verifikuar origjinën e mjeteve të kësaj kompanie, marrë parasysh problemet me kompanitë tjera Coresteel, zëdhënësi i saj Yll Kaloshi tha: “Mjafton që pagesat të bëhen përmes bankës, pasi që bankat verifikojnë dhe trajtojnë origjinën e të gjitha pagesave që tejkalojnë shumën prej 10,000 euro. Ne nuk kërkojmë asgjë më shumë se kaq.” 

Coresteel Shpk, e regjistruar në Vushtrri, aty ku ndodhet edhe fabrika, është pronë e Coresteel DMCC. “Persona të autorizuar” të saj në regjistrin zyrtar të bizneseve, e këtu zakonisht iu bëhet referencë menaxherëve dhe personave që kanë të drejtë të nënshkruajnë në emër të kompanisë, janë Sadiku dhe Arlind Jupolli, avokat nga Prishtina. 

Sipas faqes së saj në internet, www.coresteel.ae, ka zyra në Liban, EBA, Londër dhe tani në Vushtrri.

Në këtë faqe të internetit, kjo kompani përshkruhet si ‘kompani ndërkombëtare me afarizëm në fushën e metaleve dhe mihjes dhe me zyra e agjentë në lokacione strategjike anembanë botës’, por fabrika e çelikut Llamkos është e regjistruar si i vetmi aset fiks i saj. 

Problemet në të kaluarën

Llamkosi u shit për herë të parë në vitin 2005, dhe kjo u vlerësua si sukses i madh. 

Llamkos GalvaSteel është fabrika më e madhe për galvanizimin e çelikut në regjion dhe ka funksionuar për më shumë se 30 vite. 

Blerësi nga Bullgaria Kremikovtzi pagoi 4.2 milion euro për këtë fabrikë dhe u zotua për investimin e 15 milionëve të tjerë gjatë dy viteve vijuese. 

Fabrika rifilloi prapë punën, për herë të parë pas konfliktit në Kosovë, por pas pak kohe Kremikovtzi iu shit ndërmarrjes Global Steel nga India dhe pas kësaj filluan problemet. 

Mosmarrëveshja mes këtyre dy palëve lidhur me pronësinë mbi Llamkosin u përcoll me kolapsin e tregut të industrive metalike, pas të cilit, menaxherët lokal filluan të thonë se nuk janë më në gjendje t’i mbulojnë pagat e punëtorëve. 

Deri sa u zgjidh çështja dhe u shpall pronar Global Steel, investimet ishin vonuar dhe qeveria kishte prirje për ta rinacionalizuar atë. 

Sipas kontratës të cilën e kishte sajuar Agjencia Kosovare e Mirëbesimit si agjenci e OKB-së, shitja me spin-off e vitit 2005 përmbante edhe klauzolën e ‘kthimit’ nëse nuk do të arrihej niveli i paraparë i investimeve. 

Në dhjetor të vitit 2010, AKP likuidoi Llamkosin, duke i hapur rrugë shitjes së sërishme të saj. 

Ylli Kaloshi nuk konfirmoi se cila ishte vlera e investimeve të premtuara nga Coresteel DMCC, por tha se kishim të bënim me një vlerë ‘substanciale’. 

“Sa i përket investimit, përmes kontratës së nënshkruar blerësi obligohet të investojë në kompani një shumë substanciale, në formë të kapitalit të punës dhe kapitalit investiv,” tha ai. 

Kutia: Një nga më të pasurit në Rusi: 

Sipas profilit të tij në Forbes Magazine, Andrey Dobrov, është një nga njerëzit më të pasur në Rusi.

Ai është gati 50-vjeçar, ka lindur në Kazakistan, ndërsa më vonë është vendosur në Novosibirsk, ku ka studiuar dhe ku ka krijuar biznesin e tij. Ai është i martuar dhe ka tre fëmijë. 

Ai vlerësohet të ketë pasuri prej 400 milionë eurosh, gjë që e vë atë në pozitën 162 të njerëzve më të pasur të Rusisë, ndërsa një pjesë të madhe të mbretërisë së tij në fushën e minierave dhe mineraleve – Belon Group.

Ai ka themeluar firmën Belon në vitin 1991 dhe e ka udhëhequr që atëherë. Kjo firmë filloi veprimtarinë si zinxhir modest i video-klubeve para se të shndërrohet në tregtar të thëngjillit e më pas në përpunues dhe nxjerrës të thëngjillit në fund të viteve të 90-ta dhe në fillim të shekullit të ri. 

Belon u zgjerua në fushën e transportit, shërbimeve, tregimit të metaleve, afarizmit bankar dhe ndërtimtarisë. 

Mes viteve 2007 dhe 2009, Magnitogorsk Iron & Steel Works bleu aksionet e Dobrovit në Belon. 

Dobrovi mbajti Bankën Belon, e cila në tetor të vitit 2010 u riemërua Bank Vzaimodeistvie.

Kishte fare pak informata mbi përfshirjen e tij në biznese jashtë Rusisë deri sa Gazeta Jeta në Kosovë zbuloi lidhjet e tij me biznesmenin kosovar – Jeton Sadikun.