Kronologji- Shkeljet që Përshkuan Balotazhin

Raundi i dytë i zgjedhjeve lokale  mbajtur më 1 dhjetor do të nxjerrë fitues në 25 komuna në të cilat asnjëri kandidat nuk ka arritur që të mbledhë më shumë se sa gjysmën e votave më 3 nëntor. 

Zgjedhjet sipas Komisionit Qendror Zgjedhor kanë filluar në kohën e paraparë, dhe pa ndonjë pengesë apo parregullsi të raportuar.  

Të drejtë votë ne raundin e dytë të balotazhit kanë pasur më shumë se 1 milion e 300 mijë votues, të cilat kanë mundur t’i drejtohen 594 qendrave të votimit.

Në orët e para të mëngjesit, janë evidentuar parregullsitë e njëjta që kanë karakterizuar edhe zgjedhjet e kaluara: fotografimi i votës, prezenca e materialeve propaganduese dhe probleme me listat e votuesve.  Këto janë konfirmuar nga organizata Demokracia në Veprim, e cila përmes një konferencë për media ka bërë vlerësimin për ecurinë e zgjedhjeve në orët e para të mëngjesit. 

Deri në orën 11, KQZ njoftoi se ka pasur numër më të ulët të pjesëmarrjes në zgjedhje krahasuar me rundin e parë të 3 nëntorit.  Sipas KQZ-së, deri në orën 11, vetëm 7.67 për qind e qytetarëve me të drejtë vote kishin shfrytëzuar këtë të drejtë.

Në konferencë, Kryetarja e KQZ-së Valdete Daka ka treguar se procesi zgjedhor deri në atë kohë ka ecur pa probleme të cilat do të mund të prishnin imazhin e zgjedhjeve.  Sipas Dakës, numri i ulët i daljes në votime lidhet edhe me motin e lig që ka mbretëruar gjatë ditës. 

Sipas të dhënave të KQZ-së, deri në atë kohë komunat me shumicë serbe kishin numrin më të madh të daljes në zgjedhje. 

Edhe OSBE që në zgjedhjet e kaluar ishte evakuuar nga një qendër votimi në pjesën veriore, ka bërë vlerësim të mirë për ecurinë e zgjedhjeve në veri të Mitrovicës dhe në Zveçan.

Sipas zëdhënësit të OSBE-së Nikola Goan, “gjithçka ka shkuar në rregull që kur janë hapur qendrat e votimit në orën 7”.  

Gaon ka thënë  se nuk ka vërejtur “ndonjë tubim jashtë qendrave të votimit”, duke iu referuar grupit të personave që më 3 nëntor kishin kërcënuar qytetarët serbë kur ata po dilnin për të hedhur votën e tyre. 

Gaon edhe pas mbarimit të votimit deklaroi se procesi ishte i rregullt. 

“Në përgjithësi ka qenë një sukses i madh dhe një operacion i sukseshëm”, deklaroi Gaon për Gazetën Jeta në Kosovë. 

Procesi

Edhe në Mitrovicën e Veriut procesi ka vazhduar i qetë. Dy kandidatët në këtë komunë janë pajtuar që numërimi i votave të bëhet në qendrat e votimit të kësaj komune.

Kristimir Pantiq nga Iniciativa Qytetare Serbe pasi kishte votuar në një shkollë kishte bërë thirrje që përmes votimit të partisë së tij të tregohet mbështetje për politikën e Qeverisë së Serbisë. 

Gazetarët dhe monitoruesit e BIRN gjatë tërë ditës kanë qëndruar në terren duke sjell lajme për parregullsitë e ndryshme që kanë ndodhur.

Policia dhe prokuroria kanë konfirmuar që është hapur rasti për konfliktin e raportuar mes nënkryetarit të Lipjanit Florent Hoxha dhe simpatizantëve të LDK-së në fshatin Vrellë. Florent Hoxha ka mohuar të ketë dalë për blerje votash, deklaratat e LDK-së i quan shpifje.

Nga Vitia,  Gazeta Jeta në Kosovë ka raportuar për shoqërimin e një komisioneri nga Partia Demokratike e Kosovës në polici, nën dyshimin e keqpërdorimit të votës.  

Nga Novobërda, është raportuar se kompania e kontraktuar nga Ministria e Kthimit dhe Komuniteteve ka shpërndarë material ndërtimor si ndihmë për rindërtimin e shtëpive  të të kthyerve në Novobërdë.

Rastin e shpërndarjes së materialit ndërtimor në ditën e zgjedhjeve, e ka denoncuar kryetari i tashëm  i Novobërdës Bajrush Ymeri që vjen nga LDK-ja, e i cili është në balotazh me Svetisllav Ivanoviqin nga Iniciativa Qytetare Srpska.

I kontaktuar nga Gazeta Jeta në Kosovë, Ministri për Kthim dhe Komunitete Dalibor Jevtiq ka theksuar se “mendoj që kjo nuk është dashur të ndodhë në ditën e zgjedhjeve“.  

Numri i votuesve në rundin e balotazhit gjatë tërë ditës ka qenë më i ulët krahasuar me daljen në rundin e parë.  Në një konferencë të mbajtur në orën 16, KQZ njoftoi se deri në orën 15 kanë votuar 27,91%, krahasuar me rundin e parë kur dalja ishte 32,97% e daljes deri në orën 15. 

Në orët e vona të pasdites, një ekip i BIRN-it në lagjen “Koloni” të Gjakovës  është penguar gjatë kryerjes së detyrës.  

Ekipi i Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese në Gjakovë, ka marrë informata se në lagjen “Kolonia”, persona të paautorizuar janë duke i detyruar banorët romë dhe egjiptianë të votojnë për njërin kandidat.

Me të shkuar në këtë lagje Augustin Bushi, që nuk është banor i saj, ka penguar ekipin ta kryejnë punën e tyre. 

Ai ka filluar t’i ofendojë dhe t’i kërcënojë se duhet të kthehen nga kanë ardhur, duke mos i lënë as të prezantohen se për çfarë janë aty. 

Gjatë ditës, prokuroria e Shtetit ka njoftuar se ka identifikuar disa raste të shkeljeve zgjedhore.  Laura Pula nga Prokuroria gjatë ditës kishte njoftuar se një zyrtar i lartë i Komisionit Komunal të Zgjedhjeve është intervistuar nën dyshimin për manipulim votash.  Gazeta Jeta në Kosovë më pas ka mësuar se i dyshuari është liruar pasi që pas hetimeve nuk është vërtetuar dyshimi.  

Gjatë orëve të pasdites, u shtuan edhe parregullsitë. Koalicioni i OJQ-ve Demokracia në Veprim ka evidentuar raste të tjera të parregullsive.  

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje kanë bërë akuza të ndërsjella gjatë ditës.  LDK kishte akuzuar VV-në se vëllai i Albin Kurtit, Taulant Kurti, që është kryesues i një qendre në Prishtinë, ka penguar qytetarët gjatë votimit.  VV ka reaguar gjatë ditës, duke akuzuar LDK-në se njerëz të kësaj partie kanë tentuar të votojnë disa herë në një qendër votimi. 

Vëllau i kandidatit të AKR-së për Mitrovicë, është ndaluar në policinë e Kosovës, sepse pas një kontrolli atij i është gjetur një armë.  Ai është ndaluar në polici për periudhën 48 orë. 

Ndalese 40-orëshe i është caktuar edhe dy komisionerëve nga AKR dhe PDK të cilët pas grindjes mes tyre kanë tentuar që të kalojnë edhe në konflikt fizik.  

Një lajm që ka alarmuar ka qenë  njoftimi i humbjes së një disku nga Qendra e Numërimit të KQZ-së.  KQZ përmes një deklaratë për media ka pranuar humbjen e xhirimeve të QNR-së, duke thënë se kjo nuk ndikon asgjë në procesin e numërimit të votave.

Por, anëtari i VV-së në KQZ, Adnan Rrustemi, ka thënë se kjo humbje e diskut mund të ketë lidhje me humbjen e gjurmëve të vjedhjeve dhe manipulimeve që kanë ndodhur në Qendrën për Numërimin e Rezultateve.

3 nëntori 

Për dallim prej balotazhit më 1 dhjetor në zgjedhjet e mbajtura më 3 nëntor është raportuar për situatë te tensionuar në veriun e Kosovës. 

Zgjedhjet në Mitrovicën e veriut u përshkuan të qeta. 

Më 3 nëntor ishte raportuar për parregullsi gjatë përkundër që kishin nisur qetë në mëngjes. 

Zgjedhjet lokale të Kosovës kishin filluar pa ndonjë problem serioz dhe në orën 7:00 të mëngjesit, siç kishte raportuar Komisioni Qendror Zgjedhor. 

Të gjitha qendrat e votimit ishin hapur me kohë, përveç njërës në Mitrovicën e Veriut.

Gjatë orëve të para të votimit nuk ishin raportuar incidente të rënda dhe votimi kishte vazhduar pa u penguar. Të kontaktuar nga Gazeta Jeta në Kosovë rreth orës 10:30, zëdhënësit e partive kryesore në vend patën vlerësuar se procesi në orët e para kishte ecur përgjithësisht mirë.   

Para mesditës, duke vlerësuar daljen në zgjedhje deri në orën 11:00, në shifrat prej 12 për qind, KQZ-ja kishte deklaruar se dalja në votime ishte  më e ulët në raport me matjen e njëjtë për zgjedhjet e 2009-ës. Atëherë kishin dalë mbi 15 për qind të zgjedhësve.  

Por në konferencën tjetër të KQZ-së, kur ishte  vlerësuar dalja deri në orën 15:00, shifrat e atyre që votuan u rritën, duke tejkaluar numrat e kësaj kohe, në zgjedhjet e 2009-ës. Përqindja deri në këtë kohë, doli të jetë 31.96 e qytetarëve me të drejtë vote. 

Deri në këtë kohë u rritën edhe incidentet. U raportua për një konflikt verbal në Drenas mes vëllait të Jakup Krasniqit, Avdylit dhe Bujar Gjoshit, vëllait të përfaqësuesit të PDK-së në KQZ, Betim Gjoshit. Për këtë gjë PDK-ja ishte ankua në Komisionin Zgjedhor  për Ankesa dhe Parashtresa (KZAP). Abdyl Krasniqi është aktivist i Iniciativës Qytetare të Drenasit. 

KQZ-ja pati raportuar se deri në orën 13:00 për parregullsi të ndryshme janë arrestuar 11 persona. 

Rreth një orë para se të përmbyllej procesi i votimit, është raportuar edhe për një arrestim tjetër.  Besnik Hasanaj, vëzhgues i Lëvizjes Vetëvendosje në shkollën Kadri Kusari në Gjakovë, është arrestuar nga Policia e Kosovës.  

Përkundër thirrjeve për bojkot, në Partesh, Pasjan, Kllokot dhe komunat tjera me shumicë serbe këndej Ibrit, dalja e qytetarëve për të votuar ka qenë mjaft e lartë.   

Situata në veri ka qenë e përballueshme, megjithë tensionimet mes atyre që votonin dhe thirrësve për bojkot. Rreth dy orë para se të përfundonte procesi zgjedhor, lehtësuesit e OSBE-së ishin evakuuar nga shkolla Sveti Sava në hyrje të Mitrovicës dhe nga dy qendra të tjera të votimit në veri, për shkak të paraqitjes së njerëzve me maska në këto qendra. 

Kryetarja e KQZ-së Valdete Daka, në konferencën pas mbylljes së vendvotimeve, e  kishte përmendur incidentin në veri, dhe kishte kërkuar nga institucionet përgjegjëse që të merren me incidentin atje.