Raportoni Korrupsionin!

  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
FLM!

RAPORTI JUAJ
ESHTE DERGUAR

KFOR’i Ngre Kampe Pranë Barrikadave

Trupat paqeruajtëse të KFOR-it po ndërtojnë kampe dhe vendosin “zona të sigurisë”, në afërsi të disa prej barrikadave të vendosura nga serbët, në veri të vendit. Duket se KFOR-i është i vendosur që ta qojë deri në fund zotimin për heqjen e pengesave të vendosura në rrugë tash gati tre muaj, dhe po përgatitet që kjo punë edhe të zgjasë. KFOR-i thotë se situata në të gjitha barrikadat, është nën kontrollin e plotë të tyre.

(E plotësuar) Në rrugën që të qon nga fshati Çabër, i banuar me shqiptarë, në Jagnjenicë, nëpërmjet maleve, KFOR-i ka ndërtuar dy kampe të improvizuara. I pari është vendosur afër barrikadës. Rreth dhjetë automjete të blinduara, nën flamuj gjermanë dhe austriakë, janë stacionuar këtu.

NDËRLIDHUR

Ushtarët janë të përgatitur dhe pajisur për kontrollin e trazirave. Një tendë është ndërtuar, rreth 15 metra larg nga barrikada. Pranë është vendosur edhe një tualet i improvizuar dhe një gjenerator të energjisë. Një buldozer po punonte për zgjerimin e rrugës malore, për t’iu mundësuar automjeteve të parkohen.

Kampi i dytë ushtarak, është ngritur rreth 300 metra nga barrikada, brenda fshatit Çabër. Rreth 20 deri në 30 automjete, përfshirë të blinduara, si dhe kamionë transporti, qëndrojnë këtu të parkuara. Brenda janë dy çadra të mëdha dhe disa ushtarë austriakë shihen teksa pushojnë brenda.

Një toger gjerman që lejoi gazetarët kosovarë të vizitojnë shkurt një kamp të improvizuar të KFOR-it në Jagnjenicë, u tha gazetarëve se “hyrja në Zonën Ushtarake të Sigurisë është e ndaluar për të gjithë, pasi më parë dy ushtarë u plagosën lehtë nga gurët që u hodhën në ta “.

Zenel Mehmeti, 54-vjeçar, banor i fshati Çabër, thotë se familja e tij nuk ka bërë gjumë tërë natën, për shkak të lëvizjes së automjeteve të rënda.

“Gjithçka filloi natën e kaluar rreth orës 23, kur KFOR-i mbylli magjistralen që çon në Kushtovë, dhe ridrejtoi të gjitha makineritë, nëpërmjet fshatin tonë. Ne pamë dhjetëra automjete, përfshirë edhe buldozerë, duke kaluar nga rruga jonë e ngushtë. Pastaj pas mesnate, ma merr mendja se ishte ora 1, nga Zupçi u dëgjuan të shtëna me armë, ndërsa helikopterët fluturonin përreth. Ambulancat dhe sirenat e policisë nuk na kanë lënë të shtimë gjumë në sy, gjithë natën.

Kemi pa ushtarët [e KFOR-it]duke hedhur sprej lotsjellës drejt serbëve. Ishin qindra prej tyre, një turmë e madhe”, tregon Mehmeti. Kolonel Frank Martin, zëdhënës i KFOR-it, ka thënë se situata në të gjitha barrikadat, është nën kontrollin e plotë të KFOR-it.

Sipas tij, sjellja e popullsisë është e qetë, nuk ka ndonjë incident dhe as probleme. Ai ka konfirmuar për gazetarët se më parë gjatë ditës, në barrikadën në Zupç, tetë ushtarë kanë pësuar dëmtime të lehta.

“Unë nuk mund të ju them se si u plagosën ata, pasi operacionet vazhdojnë dhe do të ju japim informacione shtesë ” KFOR-i i ka bërë thirrje popullsisë të qëndrojë e qetë dhe ta respektojnë sundimin e ligjit.

“KFOR-i është ende duke vepruar në përputhje të plotë me mandatin e tij, për të siguruar lirinë e lëvizjes për të gjithë popullin e Kosovës”, i tha zëdhënësi Martin, Gazetës JnK. Në barrikadën në Jagnjenicë, e cila është vendosur pranë shtëpisë së kryetarit të Zubin-Potokut, Sllavisha Ristiq, KFOR-i ka ndërtuar një zonë të sigurisë, ku ndalon qasjen e të tjerëve. Në barrikadë, ndërkaq, janë tubuar edhe fëmijë, grat dhe të moshuar.

Tre kamionë, të ngarkuar me rërë, qëndrojnë në mes të rrugës, dhe nuk janë hequr nga 25 korriku.

Lëndohen 22 serbë

Gjatë aksionit të sotëm të KFOR-it dhe EULEX-it në veri të vendit, 22 qytetarë serbë janë lënduar lehtë, ndërkaq, 3 të tjerë rëndë, njoftuan ndërkaq përfaqësuesit e serbëve në veri të Mitrovicës. “Ata janë kuruar në shtëpinë e shëndetit në Zubin Potok”, ia konfirmoi Radios Evropa e Lirë Borivoje Jakshiq, drejtor i kësaj shtëpie të shëndetit.

“Gjendja e të lënduarve është stabile. Ata kanë pësuar kryesisht lëndime të lehta trupore, të shkaktuara nga lotësjellësit dhe mburojat e ushtarëve.

Lëndime të lehta kanë marrë kryesisht femrat, për shkak se kanë qenë në afërsi të ushtarëve të KFOR-it”, tha Jakshiq. Lëndohen Tetë Ushtarë të KFOR’it Tetë ushtarë të KFOR-it janë lënduar në aksionin e sotëm për heqjen e barrikadave nga rrugët në veri të Kosovës.

Zyra për Informim e KFOR-it njoftoi se njëri nga ushtarët është lënduar nga gazi lotsjellës, një tjetër nga tymi i madh, ndërsa gjashtë të tjerët nga mjetet për shuarjen e zjarrit.

KFOR’i Nis Thyerjen e Barrikadave

KFOR-i ka filluar largimin e barrikadave të vendosura nga serbët në Zupç, i ka treguar Gazetës Jeta në Kosovë, një dëshmitar okular. Asnjë incident serioz nuk është regjistruar, deri më tani, thotë policia

KFOR-i ka filluar heqjen e barrikadave në veri të Kosovës, pohoi një banor shqiptar i fshatit Çabër në veri të Kosovës.

Ky banor i fshatit të banuar me shqiptarë në veri, i tha Gazetës JnK se KFOR-i ka filluar operacionet në mëngjes herët. “KFOR-i ka filluar grumbullimin e makinerive e saj, menjëherë pas mesnate. Në orën 5 të mëngjesit, janë dëgjuar paralajmërimet e KFOR-it përmes një altoparlanti, dhe pastaj buldozerët filluar zhbllokimin e barrikadës në Zupç”, tha H. Mehmeti, banor i Çabrës.

Ky fshat i banuar me shqiptarë, kufizohet me fshatin serb Zupç të Komunës së Zubin-Potokut. Një pengesë është vendosur qe më shumë se një muaj, mes dy fshatrave, në rrugën Mitrovicë-Leposaviq, që të çon në portën kufitare Kosovë-Serbi.

Zëdhënësi i KFOR-it nuk ishte në dispozicion për të konfirmuar lajmin.

Por, Policia e Kosovës konfirmon largimin e pengesës në Zupc, si dhe të një tjetre në Jagnjenicë. Zëdhënësi i policisë në Mitrovicë, Besim Hoti, i tha Gazetës JnK se operacionet janë duke shkuar mirë.

“Nuk është regjistruar ndonjë incident i rëndë, që prejse operacioni ka filluar. Edhe pse serbët nga barrikadat kanë hedhur gurë në ushtarët e KFOR-it në Çabër dhe Jagnjenicë, derisa buldozerët po hiqnin barrierat. Atëherë, ushtarët e KFOR-it janë përgjigjur me sprej lotsjellës”, tha Hoti.

Mediat e Beogradit thonë se KFOR-i ka përdorur gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën e njerëzve që qëndrojnë në pengesë që prej dy muajsh, në fshatin Jagnjenicë, në afërsi të porta e kalimit kufitar – Bërnjak.

E përditshmja “Blic”, thotë se rreth 600 njerëz janë mbledhur në barrikadën në Jagnjenicë dhe po protestojnë kundër veprimeve të KFOR-it.

Janë gjithsej 16 barrikada, që po mbahen nga serbët lokalë, të cilët përbëjnë shumicën e popullatës në veri, dhe refuzojnë të njohin autoritetin e institucioneve të Kosovës.

Aksioni i KFOR-it vjen pas disa javë negociatash me kryetarët e komunave lokale, të cilët refuzuan heqjen e pengesave, derisa Prishtina ka ambicie të dërgojë doganierë në pikat kufitare në veri.

ETIKETA

20 Tetor 2011 - 9:59 am

Fatmir Aliu 20/10/2011 - 9:59 am
NDËRVEPRIMI0
KOMENTE0