KEK’u Sot Është Ndryshe

Kohën e fundit është vërejtur një dukuri e mentalitetit të vjetruar sa i përket ecurive në KEK. Analistë, deputetë, përfaqësues të shoqërisë civile pa u lodhur fare të analizojnë të dhënat e mbledhura ndër vite, vejnë gishtin e akuzës ndaj korporatës energjetike.

Faktet flasin të kundërtën.  

Të gjithë parametrat kryesorë të matjes së rezultateve të një korporate tregojnë se KEK’u është kompani e stabilizuar e cila po ecë fuqishëm drejt konsolidimit dhe fuqizimit të mëtutjeshëm.

KEK’u brenda katër viteve të fundit thuajse ka dyfishuar inkasimin. Inkurajon fakti se rezultatet nuk janë pozitive vetëm gjatë një viti, por nga viti në vit rritja ka qenë dyshifrore në përqindje në krahasim me vitin paraprak. Inkasimi nga 114 milionë euro sa ishte në vitin 2007 ka arritur në 178 milionë gjatë vitit 2010 e këtë vit pritet të jetë afër 200 milionë euro, sepse rritja e fuqishme ka vazhduar. Në nëntëmujorin e këtij viti, përkatësisht nga 1 janari deri me 1 tetor, janë inkasuar 147 milionë euro, rreth 17 milionë euro më tepër se periudha e njëjtë e vitit të kaluar, apo afro 15 për qind më shumë.

Rritje ka shënuar edhe prodhimi i energjisë elektrike. Me kapacitete të njëjta në vitin 2010 janë prodhuar 4.7 milionë megavatë/orë energji elektrike nga 4.2 milionë megavatë/orë sa ishin prodhuar në vitin 2007. Pra, prodhimi është rritur me 500 mijë megavatë/orë, ose afro 12 për qind rritje. Kjo rritje është arritur falë stabilizimit të blloqeve si dhe rritjes së jashtëzakonshme të përkushtimit në punë.

Kaq janë kapacitetet prodhuese dhe është shumë e vështirë të shtohen megavatët viteve në vijim, sepse blloqet e stërvjetruara po vjetërsohen edhe më tutje. Ndërtimi i TC “Kosova e Re”, ose kapaciteteve tjera energjetike duhet bërë sa më shpejtë e të mos humbet kohë. Kjo është rruga e vetme që oferta ta tejkalojë kërkesën dhe ne si vend me resurse të pashtershme energjetike të mos importojmë atë, por të bëhemi eksportues.

Paralelisht me stabilizimin e prodhimit, KEK ka stabilizuar përfundimisht hallkën e parë – furnizimin me qymyr dhe sot prodhohen afro 8 milionë tonë qymyr, rezervat në deponitë e TC “Kosova A” dhe “Kosova B” nuk bien asnjëherë nën 500 mijë tonë, të mjaftueshme për tri javë. Asnjëherë nuk ndalet asnjë bllok si pasojë e mungesës së qymyrit.

Korporata ka arritur të rrisë furnizimin dhe sot kategoria A ka energji elektrike mbi 99.5 për qind të kohës, kategoria B 99 për qind dhe kategoria C 95 për qind.

Humbjet teknike e komerciale të energjisë elektrike janë zvogëluar nga 47 për qind sa ishin në vitin 2007 në 37 për qind në vitin 2011. KEK po punon shumë që këto humbje të zvogëlohen edhe më tepër dhe ato komerciale të shkojnë drejt zeros.

Brenda 15 muajve të ardhshëm qytetarët do të shohin një KEK shumë më të gjelbëruar. Kodra e hirit pranë TC “Kosova A” në vend që të jetë një gjenerues ndotjeje po shndërrohet në një ambient rekreativ, shiritat që bartin hirin që gjeneron pluhur dhe ndotë shumë ambientin përreth do të ndërrohen me sistem hidraulik që nuk ndotë fare, ndërsa tymi nga TC “Kosova A” nuk do të shihet më. Këto projekte po kushtojnë 50 milionë euro, por ia vlen.

Të gjitha këto të dhëna tregojnë se KEK-u i sotëm nuk është i njëjtë më atë kompaninë që ekzistonte para vitit 2007. Është punuar shumë, por mbetet mjaft të bëhet.

Nga analizimi i rezultateve shihet se dy sfidat kryesore të KEK’ut të sotëm janë heqja e kategorizimit ABC që është shumë afër të arrihet dhe eliminimi i humbjeve komerciale.

KEK’u po bën një luftë të pakompromis ndaj keqpërdorimeve të energjisë elektrike, por puna nuk është kryer ende. Vjedhjet e energjisë elektrike vazhdojnë të jenë afro 20 për qind e energjisë që u shpërndahet konsumatorëve dhe kjo është e papranueshme.

Në gjykata janë mbi 15 mijë lëndë që presin të shqyrtohen. Por, sistemi i drejtësisë është shumë inert, duke hezituar shumë sidomos në ekzekutimin e lendeve. Vjedhja e energjisë është vepër penale dhe pos që dënohet me gjoba, duhet dënuar edhe me burg. Ka raste të dënimeve, por ato janë shumë të pakta dhe minimale. Nëse qytetarët që i fusin duart në orët e rrymës dhe manipulojnë njehsorët ose edhe i anashkalojnë ata nuk e kanë të ngulitur në vetëdijen e tyre se po vjedhin njëjtë si në çdo vjedhje tjetër dhe do të dënohen po u kapën, atëherë kjo luftë nuk mund të fitohet.

E kjo është lufta jonë e përbashkët, e KEK’ut, shoqërisë civile, mediave, politikanëve dhe më së shumti e gjykatësve. Është shumë e rëndësishme, sepse është hallka e fundit e ndreqjes së kompanisë më të madhe dhe më të rëndësishme në vend.

(Viktor Buzhala është zëdhënës i KEK’ut)