Bezdia e Shoqërisë nga Luftimi i Krimit

Para se ta takoja, kisha pyetur për rastin një person në hierarkinë e lartë të prokurorisë. Prokurori i familjarizuar me historinë më sugjeronte të mos merrem me të se “me gjasë nuk është mirë me mend”. Një tregues tipik se si prokurorët kosovarë nuk hezitojnë të japin diagnoza pa u shpallur klinikisht ato.

Në ditët pas publikimit të raportit të Dick Marty-t, kisha shkuar të flas me këtë person. Njeriu brenda kishte një emër të koduar me të cilin përdorej në gjykatë. Por jashtë, sekreti i identitetit të tij prej dëshmitari ishte vënë pikëpyetje.

Më shumë se frikë, kishte dhimbje e ankth për fëmijët. Prokuroria ende nuk i kishte ofruar garanca të mjaftueshme për jetë. Më tregoi për agoninë një dekadëshe , tentimin për tu arratisur, mbatjen të fshehur për të mos u kontaktuar nga hetuesit ndërkombëtarë, tentimvrasjet,ofertat për para dhe presionin e  rrethit familjar për të hequr dorë prej dëshmisë.

Derisa vitin e kaluar po hulumtoja çështjen e mbrojtjes së dëshmitarëve në Kosovë, po bëja një udhëtim krejtësisht nëpër vdekje. Një udhëtim nëpër fushën e minuar të bashkëpunimit të dëshmitarëve me drejtësinë.

Në po ato ditë, një pasdite maji në një fshat të Mitrovicës një arkivol i thjeshtë po zbriste i shoqëruar nga një veturë e  Misionit Evropian për Sundim të Ligjit. Në oborr po hynte pa zhurmë trupi i pajetë i një dëshmitari kyç të një prej proceseve më të rëndësishme për krime lufte. Tri versione të  arsyes së vdekjes qarkullonin në rrethin e tij, për ta bërë atë sa më natyrale dhe të mistershme njëkohësisht. Për asnjërin nga ato nuk u gjetën gjurmë zyrtare.

Raportimet për të qenit e tij dëshmitar i speciales kishin goditur familjarët po aq sa vdekja e tij. Thashethemet në Kosovë janë po aq të  rrezikshme sa edhe faktet.

Rrallë më kishte ndodhur që përveç kartelës së gazetarit, të më kërkohet letërnjoftimi dhe të më fotografoheshin tabelat e veturës.

Për këtë familje në Kosovë ideja e të qenit dëshmitar përbënte ende turp. Përkufizimi për turpin shfaqet po aq i pa qëndrueshëm sa edhe koncepti konvencional për nderin e lavdinë. Vdekja duhej t’i kishte të gjitha opsionet e versionet, por jo ndërlidhjen me dëshminë.

E kaluara e tij tani ishte bërë edhe më e mjegullt. Një kërkim në internet të jepte dy pjesë të një interviste të tij në një televizion. Njëra krejt hapur dhe tjetra me fytyrë pak të mjegulluar. Bluza e njëjtë. Ankohej për manipulim.

Derisa po flisja për intervistën dhe personin, një prokuror ndërkombëtar po më tregonte një letër që ekipi kishte nisur në adresë të një mediumi që po ndikonte në frikësim të dëshmitarëve. Letra më tepër shfaqte paaftësinë e misionit për siguruar mbrojtjen e tyre.

Ekzaminimi i gjerë i teorisë kriminologjike, në elementin masiv të mësimit shoqëror vazhdon të përcillet me një pranueshmëri të ngadalshme.

Normat e përcaktuara për nderin dhe krimin në një vend ku krimi, të paktën ai i korrupsionit, vazhdon të mbetet endemik, rrezatojnë një arkitekturë të çoroditur.

Bashkëpunimi me drejtësinë në çfarëdo rasti i nënshtrohet peshores së standardeve të dyfishta  dhe koncepteve jo racionale.

Në ditën që shënonte 23 vjetorin e vrasjes së Giovani Falcones, prokurorit simbol kundër mafias italiane, një prokuror i lartë i Italisë po më thoshte në zyrën e tij në Palermo, kryeqendrën e Sicilisë, se masën ndonjëherë mund ta bezdisë edhe luftimi i krimit kur ajo është mësuar të bashkëjetojë me të. Ai po i referohej rastit kur banorët e një ndërtese bezdiseshin nga prania e shtuar e policëve që ruanin prokurorin Falcone.

Pak ditë pas, i vetmi person që ishte zyrtarisht nën mbrojtje në kohën e administrimit të UNMIK-ut në Kosovë po më thoshte në një bar në Pejë: “rrimë sa të duash edhe hotelin për një javë ta paguaj, por me shkru për këtë punë nuk guxon”.

Ai ishte i vetmi i mbijetuar nga të gjithë që dëshmuan.

Ndëshkimi nuk kishte ndodhur dhe drejtësia nuk i interesonte më. Me gjasë tani mund ta bezdiste.