Foto: Facebook / Komuna e Drenasit
ZKA: Tenderi 285 mijë eurosh për aneksin e dy shkollave në Drenas u inicua pa projekt ekzekutues
Një projekt në Komunën e Drenasit, me vlerë rreth 285 mijë euro, është iniciuar pa projekt ekzekutues, në kundërshtim me rregullat e prokurimit publik.
Kjo është një prej mangësive të theksuara në procesin e prokurimit që është identifikuar nga Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA), në raportin e performancës për Komunën e Drenasit për vitin 2025.
Sipas ZKA-së, aktiviteti i prokurimit për “Ndërtimin e aneksit të shkollave SHFMU ‘Arif Shala’ dhe ‘Naim Frashëri’”, në vlerë prej 284 mijë e 985 eurosh, është nisur pa u hartuar paraprakisht projekti ekzekutues.
ZKA ka theksuar se ligji obligon autoritetet kontraktuese që, para publikimit të dosjes së tenderit, të hartojnë projektin ekzekutues dhe ta bashkëngjisin atë si pjesë të specifikimeve teknike.
Sipas rregullores, asnjë autoritet kontraktues nuk lejohet të lëshojë dokumentacionin e tenderit pa përshkrimin e detajuar të projektit.
Auditori vlerëson se kjo ka ndodhur si pasojë e mungesës së planifikimit të duhur para nisjes së procedurave të prokurimit dhe moshartimit të projektit ekzekutues për projektin përkatës.
Në raport thuhet se mungesa e projektit ekzekutues mund të sjellë vështirësi gjatë realizimit të projekteve, duke rritur rrezikun për pengesa profesionale, vonesa në punime dhe rritje të kostove.
“Kryetari duhet të sigurojë përmes menaxherit të prokurimit forcimin e kontrolleve dhe monitoroj zbatimin e kërkesave ligjore, që me rastin e inicimit të procedurave të prokurimit për kontraktimin e punëve të sigurohet paraprakisht hartimi i projektit ekzekutues”- thuhet tutje në raport.
Menaxhmenti i Komunës së Drenasit është pajtuar me këtë rekomandim.
Komuna e Drenasit ka pranuar opinion të kualifikuar nga Auditori.
Auditori jep opinion të kualifikuar kur Pasqyrat Financiare nuk janë në përputhje të plotë me standardet.
Ky raporti i ZKA-së për Komunën e Drenasit ka rezultuar me 12 rekomandime, prej tyre 6 janë rekomandime të reja, 5 janë të përsëritura dhe 1 është pjesërisht i përsëritur.
Në raportin e auditimit në vitin 2024, Komuna e Drenasit kishte marrë 11 rekomandime.
Raportin e plotë mund ta lexoni në KËTU.
ZKA evidenton mbi 2.3 milionë euro shpenzime të klasifikuara gabimisht në Komunën e Drenasit