Ballkani Humb Trurin

Një numër i madh njerëzish të moshës nga 25 deri në 35 vjeç kanë braktisur vendet e Ballkanit gjatë disa dekadave të kaluara në kërkim të një jete më të mirë jashtë, thuhet në një raport të Agjencisë Turke të Lajmeve Anadolu, të publikuar të mërkurën. 

Rreth 300 mijë njerëz të rinj të arsimuar braktisën Serbinë gjatë 25 vjetëve të kaluar, raporton agjencia, duke u bazuar në të dhënat e siguruara nga autoritetet e Beogradit.

Në ndërkohë afër 150 mijë njerëz kanë ikur nga Bosnja që nga përfundimi i luftës në vitin 1995, raporton Anadolu.

Rreth 12 mijë persona të moshave nga 25 deri në 35 vjet lënë Serbinë çdo vit. 10 mijë ikin nga Bosnja dhe 9 mijë nga Kroacia gjatë një viti, thekson agjencia.

“Gjatë viteve të fundit numri i atyre që dëshirojnë ta lëshojnë vendin është në rritje”, thotë për Anadolu-n, ekspertja kroate e migracionit, Silva Meznariq.

“Të rinjtë e kanë kuptuar se burimet njerëzore nuk vlerësohen në Ballkan dhe dëshirojnë ta organizojnë jetën  e tyre diku tjetër”, thotë Meznariq.

Njerëzit e rinj që dalin jashtë Ballkanit janë kryesisht me diploma në fushën e teknologjisë informative, por mund të jenë edhe mjekë e inxhinierë, ndërsa kryesisht drejtohen nga vendet e Europës Perëndimore dhe ShBA-të, thuhet në raport.

Anadolu gjithashtu vlerëson se rreth 150 mijë njerëz të shkolluar janë larguar nga Maqedonia gjatë 20 vjetëve të fundit.

“Arsyeja kryesore pse të rinjtë e arsimuar ikin nuk është papunësia, siç njerëzit mendojnë, por gjetja e një pune më të mirë”, tha Meznariq.

“Të rinjtë nga vendet e rajonit dëshirojnë të dalin jashtë, me qëllim që të gjejnë punë që ua mundësojnë mbërritjen e ambicieve dhe planeve. Në Ballkan zakonisht nuk mund ta bëjnë këtë”, shton ajo.