'Akrobacioni' i konkurseve për arsimtarë në Gjilan

Shpallja dhe anulimi i dyfishtë i konkurseve për mësimdhënës në Komunën e Gjilanit kanë ngritur ankesa për parregullsi.

Disa vende të lira pune për mësimdhënës në Gjilan u hapën dhe u anuluan dy herë pasi Drejtoria Komunale e Arsimit vendosi që konkursi për to mund të mos jetë i nevojshëm.

DKA në Gjilan ka shpallur rezultatet për konkursin e hapur për të dytën herë pasi herën e parë ishte anuluar me vendim të Kryetarit të Komunës.

Konkursi i parë për 28 pozita të mësimdhënësve ishte hapur në dhjetor dhe rezultatet e tij u anuluan në janar të këtij viti.  Konkursi për këto pozita dhe disa të tjera u hap sërish në mars të këtij viti dhe rezultatet e tij u publikuan në prill.

Në rezultatet e konkursit të parë figurojnë 26 të pranuar në punë (pasi dy pozita janë anuluar para vendimit për anulimin e përgjithshëm).

Në katër muajt e procedurave rekrutuese për konkursin e dytë, kanë vazhduar të punojnë këta mësimdhënës të pranuar në konkursin e anuluar.

Në shpalljen e rezultateve të konkursit të dytë kanë qenë 52 pozita, ku janë pranuar 47 mësimdhënës  pasi edhe në konkursin e dytë u anuluan pesë pozita të caktuara.

Nga 26 emrat që figurojnë si të pranuar në punë në konkursin e parë, 18 prej tyre janë pranuar sërish në të njëjtat pozita në konkursin e dytë.

Në konkursin e dytë nga pesë pozitat e anuluara,  dy prej tyre kishin qenë shpallura edhe në konkursin e parë.

Kjo bëri që disa kandidatë t’i nënshtrohen procedurave rekrutuese dy herë duke u zhgënjyer më pas me një vendim të DKA-së për anulimin e konkurseve me arsyetimin se nuk duan të krijojnë ‘teprica teknologjike’.

Anulimi i dyfishtë i konkursit për pozitën ‘Një mësimdhënës i lëndës së gjeografisë në Shkollën Fillore ‘Nazmi Hoxha’ në Gjilan’, po konsiderohet e papranueshme nga kandidati Sabedin Halili.

Halili kishte konkuruar në këtë pozitë dhe duke qenë plotësues i kritereve ishte thirrur në intervistën me gojë për këtë konkurs.

Ai në konkursin e dytë kishte konkuruar në dy shkolla për të njëjtën pozitë ndërsa po konsideron që anulimi i kësaj pozite është bërë për shkak se ai nuk është ‘kandidat favorit’ për DKA-në.

Ai në ankesën drejtuar Komisionit për Shqyrtimin e ankesave të DKA-së thotë se duke qenë i kualifikuar për pozitën e lartcekur ata e kanë anuluar atë për t’i bërë vend dikujt.

“Bazuar në informacionet që mi kanë dhënë zyrtarët në DKA dhe njohurive të mija lidhur me kandidatët që kanë konkuruar dyshoj se konkursi është anuluar në momentin kur është kuptuar epërsia ime në raport me kandidatët tjerë dhe në momentin kur kjo nuk ka arritur të tejkalohet për ta pranuar kandidatin e tyre të preferuar, atëherë DKA në mënyrë të njëanshme dhe pa asnjë arsye ka vendosur për anulimin e konkursit” thotë ai në ankesë.

Edhe për këto pozita sipas DKA-së në Gjilan punojnë mësimdhënësit e pranuar në konkursin e anuluar.

Historiku i konkursit

Pak pas përfundimit të zgjedhjeve lokale në Gjilan, ku fitues doli për herë të dytë, Lutfi Haziri, nga Drejtoria Komunale e Arsimit u hap konkurs për të pranuar mësimdhënës për zëvendësime dhe vende të lira, në nivele parashkollore, shkolla fillore dhe të mesme.

Konkursi ishte hapur më 2 dhjetor dhe  rezultatet e tij u shpallën më 12 janar të këtij viti. 

Në po të njëjtën ditë, Kryetari i Komunës, Lutfi Haziri mori vendim që t’i anulojë rezultatet e këtij konkursi.

Haziri këtë vendim e arsyetoi me atë që e quajti konflikt i interesit nga ana e Ushtruesit të Detyrës së udhëheqësit të DKA-së në atë kohë, Bardhyl Syla.

“Anulimi i vendimit bëhet për shkak të tejkalimit të autorizimeve zyrtare dhe konfliktit të interesit në detyrë nga ushtruesi i detyrës së Drejtorit të Drejtorisë për Arsim”, thuhet në vendim.

Shef i personelit në DKA, Bardhyl Syla  kishte  konfirmuar se mësimdhënësit e pranuar në konkursin, rezultatet e të cilit u anuluan, po punojnë dhe po marrin rroga me kontrata të përkohshme.

Më 02 mars 2018 konkursi është publikuar për herën e dytë, ndërsa rezultatet e tij u shpallën më 27 prill 2018.

Nga këto rezultate del që së paku në 18 pozita si të pranuar figurojnë mësimdhënësit që veçse ishin duke punuar nga vendimi i konkursit të parë të anuluar.

Me shpalljen e rezultateve në konkursin e dytë u anuluan katër pozita të hapura:  Një mësimdhënës i lëndës biologji 16 orë dhe kimi 4 orë në Shkollën Fillore ‘Dëshmorët e Kombit, Livoç i Ulët ; Një mësimdhënës i lëndës kitarë , 10 orë në Shkollën Fillore të Muzikës; Një mësimdhënës i lëndës së gjeografisë në Shkollën Fillore ‘Nazmi Hoxha’ në Gjilan dhe në mësimdhënës (zëvendësim) i lëndës së historisë, 12 orë në Shkollën Fillore ‘Musa Zajmi’.

Dy prej këtyre pozitave kishin qenë të hapura edhe në konkursin e parë , të anuluar.

Majlinda Hoxha, zyrtare e Arsmit te Mesëm të Lartë në Gjilan tregoi për KALLXO.com arsyen e anulimit të këtyre pozitave.

“Ky anulim bëhet për të mos krijuar teprica teknologjike, si rezultat i ndryshimeve kurrikulare, zvogëlimin e fondit të orëve mësimore , zvogëlimit e paraleleve që mund të paraqiten për  vitin shkollor 2018/19 si pasojë e zvogëlimit të numrit të nxënësve.Drejtoria e Arsimit në cilësinë e punëdhënësit, të rishikoj edhe njëherë këto vende të punës si mundësi e plotësimit të normës për mësimdhënësit që kanë marrëdhënie të rregullta juridike të punës e që kanë mungesë të orëve mësimore sipas kërkesave të paraqitura”, tha Hoxha.

Dyshimet për Parregullsi

Anulimi i dyfishtë i konkursit për pozitën ‘Një mësimdhënës i lëndës së gjeografisë në Shkollën Fillore ‘Nazmi Hoxha’ në Gjilan’, po konsiderohet e papranueshme nga kandidati Sabedin Halili.

Halili kishte konkuruar në këtë pozitë dhe duke qenë plotësues i kritereve ishte thirrur në intervistën me gojë për këtë konkurs.

Ai kishte konkuruar në dy shkolla për të njëjtën pozitë ndërsa po konsideron që anulimi i kësaj pozite është bërë për shkak se ai nuk është ‘kandidat favorit’ për DKA-në.

Halili tha për KALLXO.com se nuk kishte gjetur bashkëpunim në DKA as për të i’u përgjigjur lidhur me arsyen e anulimit të konkursit e cila nuk u bë publike.

Ai në ankesën drejtuar Komisionit për Shqyrtimin e ankesave të DKA-së thotë se duke qenë i kualifikuar për pozitën e lartcekur ata e kanë anuluar atë për t’i bërë vend dikujt.

“Bazuar në informacionet që mi kanë dhënë zyrtarët në DKA dhe njohurive të mija lidhur me kandidatët që kanë konkuruar dyshoj se konkursi është anuluar në momentin kur është kuptuar epërsia ime në raport me kandidatët tjerë dhe në momentin kur kjo nuk ka arritur të tejkalohet për ta pranuar kandidatin e tyre të preferuar, atëherë DKA në mënyrë të njëanshme dhe pa asnjë arsye ka vendosur për anulimin e konkursit” thotë ai në ankesë.

KALLXO.com i është drejtuar DKA-së për të kuptuar se me çfarë analize ka ardhur në përfundim se pozitat duhet të anulohen dhe pse nuk është ardhur më herët në përfundim se ekziston rreziku i ‘tepricave teknologjike’.

Zyrtarja e DKA-së në përgjigjen e saj thotë se po shohin mundësitë që këto pozita t’i ofrohen mësimdhënëve që janë në punë por nuk plotësojnë normën e orëve.

“DKA-ja është në proces të planifikimit  dhe  bazuar në sistemin SMIA aktualisht numri i nxënësve në klasën e nëntë është  mbi 200 nxënës më i vogël, indikator që automatikisht reflekton me zvogëlimin e fondit të orëve mësimore, zvogëlimit e paraleleve  për  vitin shkollor 2018/19. DKA-ja  do të rishikoj edhe njëherë këto vende të punës si mundësi e plotësimit të normës për mësimdhënësit që kanë marrëdhënie të rregullta juridike të punës e që kanë mungesë të orëve mësimore sipas kërkesave të paraqitura”, tha Hoxha.

Ajo po ashtu konfirmoi se edhe për këto pozita po vazhdojnë të punojnë mësimdhënësit e pranuar në konkursin e anuluar.

Sa i përket ankesës së Sabedin Halilit, ajo konfirmoi pranimin e ankesës dhe tha se do të shqyrtohet nga komisioni i caktuar sipas ligjit

KALLXO.com ka shkruar lidhur me konkursin e anuluar në janar të këtij viti.

‘Harrnimi’ i Gjilanit Përmes Punësimeve të Dyshimta