Foshnja Pesëmuajshe Operohet në Kardiokirurgji

Në Javën e Shëndetësisë Kosovë-Turqi mes 74 operacioneve të kryera, është ndërhyrë kirurgjikisht edhe te një foshnjë pesëmuajshe.

Një operacion te një foshnje me moshë të tillë është kryer për herë të parë në QKUK.

Të operuarit u vizituan sot nga ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani dhe zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë së Turqisë.

Öner Güner, drejtor gjeneral për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe BE në Ministrinë e Shëndetësisë së Turqisë tha se gjatë kësaj jave do të zhvillohen edhe operacione tjera.

“Deri tani janë realizuar 74 operacione, presim që gjatë ditës numri i operacioneve të arrijë në 80. Duhet theksuar se në mesin e operacioneve të realizuara është edhe operacioni kardiokirurgjik te foshnja 5 muajshe dhe te një fëmijë 5 vjeç që janë realizuar për herë të parë në Kosovë”, tha Güner.

Ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani tha se operacionet kanë shkuar pa komplikime.

“Patëm rastin të vizitojmë disa nga fëmijët e operuar dhe u njoftuam se operacionet kanë shkuar pa komplikime, këto operacione do të ndikojnë në rritjen e cilësisë së shërbimeve shëndetësore dhe në dobi të edukimit të vazhdueshëm të stafit shëndetësor”, tha Rrahmani.

Sipas Rrahmanit gjatë Javës së Shëndetësisë Kosovë-Turqi përveç operacioneve përfitime profesionale kanë pasur edhe mbi 600 mjekë që kanë ndjekur ligjërata nga profesorët nga Turqia, ndërsa e gjithë kjo e mundësuar edhe në rajonet e tjera përmes Qendrës Kombëtare të Telemjekësisë së Kosovës.

Ndërsa Öner Güner, zyrtari i Ministrisë së Shëndetësisë së Turqisë tha se mjekët turq që kryen operime në Kosovë u përkasin 10 specializimeve të ndryshme, ndërsa bashkëpunimi i tyre me mjekët kosovarë ishte shumë i mirë.