Zona kufitare me Malin e Zi | Foto: KALLXO.com

Edhe Komisioni Parlamentar në Ngërç për Demarkacionin

Komisioni Parlamentar për Punë të jashtme nuk ka mundur të vendosë nëse do t’ia përcjellë Kuvendit marrëveshjen për demarkacionin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi me një propozim konkret.

Votat e anëtarëve të këtij komisioni janë ndarë 5 me 5 kur kryetarja Vjosa Osmani e hodhi në votim propozimin që dokumenti të dërgohet në kryesi të Kuvendit pa një rekomandim të Komisionit nëse kjo marrëveshje duhet të ratifikohet apo jo.

Votimit i ka parapritë një debat mes anëtarëve të Komisionit nga partitë e ndryshme politike.

Anëtari i Komisionit nga Vetëvendosje, Visar Ymeri, ka kërkuar që qartësohet nëse Komisioni Qeveritar që ka negociuar këtë marrëveshje i ka tejkaluar kompetencat që i ka pasur.

“Nuk mund ta tejkalojmë kaq lehtë dyshimin nëse ka pasur tejkalim të kompetencave. Ne duhet të rekomandojmë mosratifikim të marrëveshjes për shkak se është arritur me tejkalim të kompetencave”, tha Ymeri duke iu referuar gjetjeve të Komisionit të ri qeveritar të drejtuar nga Shpejtim Bulliqi.

Ndërkohë deputeti Zafir Berisha u përsëriti qëndrimin kundër marrëveshjes.

“Unë mendoj që Komisioni duhet t’i rekomandojë Kuvendit që të votojë kundër kësaj marrëveshjeje”, tha Zafir Berisha nga NISMA.

“Nëse qeveria nuk e ka bërë këtë, Kuvendi duhet ta njoftojë Kuvendin e Malit të Zi se nuk e kemi ratifikuar demarkacionin”, shtoi ai.

Ndërsa Elmi Reçica nga PDK tha se kjo marrëveshje duhet të shkojë në seancë.