Dështon zgjedhja e tre anëtarëve shqiptarë të Gjykatës Kushtetuese

Deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk i kanë dhënë besimin asnjërit prej kandidatëve për anëtar të Gjykatës Kushtetuese.

Në raundin e dytë të votimit, asnjëri nga gjashtë kandidatët nuk ka mundur të marrë votat e mjaftueshme për t’u bërë anëtar i kësaj gjykate.

Për pasojë, duhet të shpallet konkursi i ri për kandidatë.

Në votimin e dytë, më i votuari ishte Nexhmi Rexhepi me 60 vota. Pas tij Remzije Istrefi- Peci ka marrë 58 vota, Hajzer Salihu 35, Safet Hoxha 59, Shkëmb Manaj 42 dhe Vigan Qorrolli 19 vota.

Para votimit, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ua tërhoqi vëmendjen deputetëve për t’i zgjedhur anëtarët, meqë paralajmëroi krizë të vendimmarrjes në Gjykatën Kushtetuese pas 15 qershorit, atëherë kur tre anëtarëve aktualë u skadon mandati.

Më herët, deputetën zgjodhën dy anëtarë të Gjykatës Kushtetuese nga komunitetet pakicë.