Dërgohen në Kuvend, Emrat për Bordin e Agjencisë së Akreditimit

Kuvendi i Republikës së Kosovës pritet që të hënën të shqyrtojë dhe miratojë emrat e 9 anëtarëve të Këshillit Shtetëror të Cilësisë së Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA). Kjo për faktin se sot, Komisioni për Arsim me një votë kundër dhe të gjitha votat pro, ka çuar në Kuvend emrat e Bordit të AKA-s në mënyrë që ky proces të jetë pikë e rendit të ditës.

Mbledhja e Komisionit për Arsim ishte thirrur urgjentisht për shkak se më 19 prill 2018 pritet të mbahet mbledhje e Asociacionit Europian të Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA), organizatë kjo e cila pritet të vendosë nëse Agjencia e Kosovës për Akreditim të jetë edhe më tutje pjesë e saj, ose jo.

I pranishëm në këtë komision ishte ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, i cili tha se Agjencia e  Akreditimit duhet të funksionalizohet shpejt për shkak të mbledhjes së ENQA-s.

“Problemet që na kanë dalë pas shkarkimit të bordit të akreditimit dhe ecuria që është bërë më pas,  besoj që e ka mbuluar atë.  Ju falënderoj që këtë pikë e keni futur në rend dite në seancën e Kuvendit. Agjencia e Akreditimit është shumë mirë të funksionalizohet shpejt, sepse me 19 prill e kemi mbledhjen e ENQA-s”, tha Bytyqi.

Bytyqi tha se pas rekomandimeve të marra nga Kuvendi i Kosovës, MASHT-i ka formuar një komision të arsimit pjesë e të cilit janë pjesëtarë të Akademisë së Shkencave, shoqërisë civile dhe studentëve. Komisioni ka arritur të hartojë një udhëzim administrativ për përzgjedhjen e anëtarëve të Bordit të AKA-s.

Ministri i Arsimit tha se në përzgjedhjen e anëtarëve për Bord të Agjencisë kanë ftuar edhe përfaqësues të ENQA-s dhe EQAR-it, por sipas tij “ ata na kanë thënë që nuk mund të vijnë, por të marrin përfaqësues ndërkombëtarë”.

Bytyqi tha se kjo listë e të përzgjedhurve për bordin e AKA-s është një listë me njerëz profesionalë dhe kredibilë që sipas tij do ta bëjë Agjencinë e Akreditimit më profesionale.

Por kjo deklaratë nuk i pëlqeu edhe anëtarit të komisionit për Arsim, Nezir Çoçajt nga PDK-ja.

“ Këta që janë zgjedhur nuk jam aspak i kënaqur, pasi që ua kam parë punimet. Unë nuk kam çka të bëj më, sepse është vonë dhe jemi para një mbledhjeje dhe jemi të kushtëzuar ta mbështesim”, tha Çoçaj.

Po ministri i Arsimit, Bytyqi duke replikuar ndaj Çoçajt tha se e mira e gjithë këtij procesi është transparenca dhe bashkëpunimi.

“ Asnjëherë nuk duhet të jemi të kënaqur me një listë dhe përzgjedhje. Por ajo çka duhet të ndihemi mirë është se për herë të parë është bëtë një udhëzim me të gjithë aktorët e arsimit. Po ashtu, për herë të parë është bërë thirrja publike. Ne nuk mund t’ia imponojmë të aplikojë askujt. Për herë të parë do kemi një agjenci më të lirë dhe profesionale për të operuar”, tha Bytyqi.

Por kjo deklaratë e nxiti deputetin e PDK-së, Nezir Çoçaj të kundërpërgjigjet sërish ndaj ministrit Bytyqi.

“ Me këta emra që po shoh që kanë konkurruar unë jam i sigurt që qitne në Shatërvan të Prizrenit dhe do të jenë më të fortë në aspektin profesional se këta që janë”, tha Çoçaj.

Ndërsa anëtarja tjetër e komisionit nga Lëvizja Vetëvendosje shprehu dyshimin e saj se në këtë proces nuk kanë aplikuar njerëz profesional për shkak të drojës së interferimeve politike në përzgjedhje.

“Personat që janë njerëz të mirë nuk duan të jenë pjesë e pazareve politike andaj edhe nuk kanë konkurruar për të qenë pjesë e Këshillit Shtetëror të Cilësisë”, tha Nagavci.

Në shtator të vitit të kaluar ministri i Arsimit Shyqiri Bytyqi shkarkoi Bordin e Agjencisë së Kosovës për Akreditim (Këshillit Shtetëror të  Cilësisë – KShC).

http://kallxo.com/ministri-arsimit-shkarkon-bordin-e-agjencise-se-akreditimit-dokument/

Në shkurt të këtij viti Agjencia e Kosovës për Akreditim u përjashtua nga Regjistri Europian i Sigurimit të Cilësisë për Arsimin e Lartë (EQAR).