Presidenti Hashim Thaçi - Foto: KALLXO.com

Dekoratën e Presidentit e Refuzon edhe një ish-Kryetar i Parlamentit

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi për 10 vjetorin e pavarësisë së Kosovës ka ndarë dekorata për personalitete të ndryshme në vend.

Mirëpo deri tani dekoratën e presidentit e kanë refuzuar disa personalitetet, si deputeti i Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, ish-kryeparlamentari Jakup Krasniqi, publicisti Veton Surroi, kryetari i Nismës, Fatmir Limaj dhe sot kësaj liste i është shtuar edhe Ish-nënkryetari i LDK-së dhe ish-Kryeparlamentari Kolë Berisha.

Berisha ka thënë se janë të shumta dhe të ndryshme arsyet që e kanë shtyrë të marr vendimin për refuzimin e dekoratës së presidentit.

“Me 23 Shkurt 2018, përmes Zyrës së Presidencës së Republikës së Kosovës, jam njoftuar se në mesin e personaliteteve që do të marrin Dekoratën e dhjetëvjetorit të Pavarësisë nga Presidenti Thaçi, gjendem edhe unë. Së këndejmi, njoftoj Presidencën, Presidentin aktual dhe opinion e gjerë se unë nuk do ta pranoj Dekoratën në fjalë. Janë të shumta dhe të ndryshme arsyet që më shtyjnë të marr një vendim të tillë”, ka shkruar Berisha në Facebook.

“Mirënjohjen më të vlefshme për mua e kam marr nga populli i Kosovës, me respektin që ka treguar ndaj meje dhe dashurinë që tregon për Kosovën. Kësaj here do mjaftohem me kaq”, thuhet në fund të postimit të Berishës në Facebook. /21Media