Hipermarketi "Interex" | Foto: Facebook

Autoriteti i Konkurrencës Lejon Blerjen e Aksioneve të Interex-it

Kompania e biznesmenit Shaip Mikullovci, “Emona” Sh.P.K, ka blerë të gjitha aksionet e hipermarketit Interex.

Kjo është bërë e ditur pas vendimit që Autoriteti Kosovar i Konkurrencës ka marrë gjatë ditës së mërkurë, vendim të cilin e posedon KALLXO.com.

“Lejohet përqendrimi i realizuar i aksioneve të CDI – KOSOVO (Hipermarket Interex) që përbën 100 % të aksioneve në shitje dhe çdo të drejtë që lidhet me aksionet në shitje pa barrë e me efekt nga mbyllja nga Emona Sh.p.k”, thuhet në vendimin e Autoritetit Rregullues të Konkurrencës, i marrë më 18 tetor 2017.

Edhe drejtori ekzekutiv i “Emona” Sh.P.K Ylber Kuraja për KALLXO.com pranoi se kjo kompani ka blerë 100% të aksioneve të hipermarketit Interex.

“Po janë blerë aksionet prej ‘Emona’ Sh.P.K. Kjo i bie që i kemi 100 për qind të aksioneve”, tha Kuraja.

E kur është pyetur se sa ka kushtuar blerja e këtyre aksioneve, Kuraja nuk ka dashur të japë shifra me arsyen se kjo është çështje konfidenciale.

“Kjo është çështje konfidenciale, nuk ka nevojë me u nda, sepse nuk është publike. Ne i kemi dorëzuar atje dhe Autoriteti Rregullativ i Konkurrencës lejon koncentrimin sipas ligjeve të aplikueshme në Kosovë”, tha Kuraja.

Në vendimin e Autoritetit të Konkurrencës ndër tjerash thuhet se nga blerja e aksioneve të “Interex”-it prej “Emona” Sh.P.K nuk vërehen shenja të kufizimit të konkurrencës në treg, ose në një pjesë të tij në veçanti, nuk krijohet pozitë dominuese sipas Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës.

E kryetari i Autoritetit të Konkurrencës, Valon Prestreshi për KALLXO.com tha se nuk e sheh shqetësuese nëse kompania “Emona” Sh.P.K mund të ngre çmimet e artikujve pas blerjes së këtyre aksioneve.

Prestreshi tha se konsumatorët nëse “Emona” ngre çmimet kanë edhe opsione tjera.

“Studimet e tregut tregojnë se çmimi i produkteve me shumicë dhe pakicë, si dhe politika e tatimeve në përgjithësi mund të ndikojnë shumë në stimulimin e konsumatorëve për të ndërruar marketet/supermarketet e mëdha. Duke pasur parasysh se nëse kompania Emona Sh.p.k do të ngre çmimet në disa produkte, atëherë konsumatori ka zgjidhje dhe mund të furnizohet në supermarketet e tjera në Kosovë”, tha Prestreshi.

Ndërsa përfaqësuesit e kompanisë CDI – KOSOVO (Hipermarket Interex) nuk kanë dashur të deklarohen për KALLXO.com në lidhje me shitjen e aksioneve dhe vendimin e Autoritetit Rregullativ të Konkurrencës për to.

Sot nga një hulumtim i Demokracisë në Zhvillim Autoriteti Rregullativ i Konkurrencës u cilësua më së paku i pavarur.