Natalya Apostolova. Foto: Zyra e BE-së/Facebook

Apostolova: Në Vend të Kritikave për BE, Kosova të Angazhohet për Anëtarësim

Shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian për Kosovë, Natalya Apostolova, iu përgjigj shqetësimeve të liderëve kosovarë për mungesën e një afati për anëtarësimin e Kosovës në BE.

Në konferencën ku Apostolova shpalosi prioritetet e Bullgarisë si kryesuese e BE-së , ajo u pyet lidhur me deklaratën e Zv.Kryeministrit të Kosovës, Enver Hoxhaj, i cili kritikoi BE-në për mos përcaktimin e një afati për anëtarësinë  e Kosovës në këtë organizatë.

Hoxhaj në mbledhje të qeverisë dje kishte folur lidhur me një dokument (ende të pa publikuar të BE-së), në të cilën përmenden afatet e anëtarësimit për disa vende të Ballkanit, por jo edhe për Kosovën.

Apostolova tha se ky dokument nuk do të duhej të ishte fare në duart e liderëve ballkanikë.

“Kjo strategji është e brendshme dhe jo finale, pra ndoshta ai ka mbështetur konkluzionet e tij në një verzion më të vjetër, i cili meqë ra fjala është dokument i brendshëm që nuk do duhet të ishte në duart e asnjërit nga miqtë tanë të Ballkanit Perëndimor”, tha Apostolova.

Ajo pastaj kritikoi qasjen e Kosovës lidhur me rrugën e saj për integrimin në organizatat evropiane.

“Kosova duhet të tregojë përkushtimin e saj të vërtetë në rrugën evropiane. Në vend se të kritikojë çfarë nuk është përmendur për Kosovën në një dokument që është akoma në proces, do doja më shumë të shihja se çfarë Kosova mund të tregojë javët e ardhshme”, tha Apostolova.

Dokumenti në fjalë pritet të jetë publik më 6 shkurt.

KALLXO.com ka raportuar lidhur me deklaratat e Zv. Kryeministrit, Enver Hoxhaj.

http://kallxo.com/nuk-jep-data-te-anetaresimit-per-kosoven/