Apeli Vendosi për Deputetët e VV-së për Gazin Lotsjellës

Gjykata e Apelit ka refuzuar ankesën e Prokurorisë për caktimin e masës së sigurisë për katër deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje.

Drita Millaku, Xhelal Sveçla, Sali Zyba dhe Fitore Pacolli nuk do të kthehen në paraburgim, pasi që Gjykata e Apelit e ka refuzuar ankesën e prokurorisë që të njëjtëve të iu caktohet masa e paraburgimit.

Arsyetimi i refuzimit të ankesës sipas Gjykatës së Apelit është që pretendimet e prokurorisë nuk i plotësojnë kushtet ligjore nga neni 187 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe thuhet se të pandehurit nuk mund të arratisen dhe se kanë premtuar se do të paraqiten në Gjykatën.

“Nuk ekziston rreziku se të pandehurit do të mund të ikin apo arratisen, iu dihet identiteti dhe vendbanimi i përhershëm, të njëjtit janë deputetë në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe se i kanë premtuar gjykatës se do të paraqiten pranë saj sa herë që do të ftohen”, thuhet tutje në komunikatën e Gjykatës së Apelit.

Katër deputetët e Vetëvendosjes u arrestuan për shkak se me 21 mars kur u miratua marrëveshja e demarkacionit me Malin e Zi kishin hedhur gaz lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.