Ambasadori amerikan, Donald Lu gjatë një aktiviteti. Foto:Ambasada Amerikane

Ambasadori i ShBA-së Kërkon Arrestimin e 'Peshqve të Mëdhenj' Shqiptarë

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Donald Lu zgjodhi ceremoninë e 20-vjetorit të Shkollës së Magjistraturës për të folur mbi krimin e organizuar në Shqipëri dhe sfidat e sistemit të drejtësisë në vend.

Në fjalën e tij, ambasadori Lu i kërkoi Qeverisë shqiptare që t’i shpallë luftë krimit të organizuar, ndërsa e cilësoi këtë si sfidën më të madhe dhe më të vështirë që qëndron përpara vendit.

“Besojmë se është koha që Qeveria e Shqipërisë t’i shpallë luftë krimit të organizuar,” tha ambasadori Lu përpara të diplomuarve të rinj të Magjistraturës.

“Derisa peshqit e mëdhenj të arrestohen, ndiqen penalisht dhe të futen në burg, kanabisi do të kthehet, gjyqtarët do të marrin ryshfet dhe zyrtarët qeveritarë do të korruptohen,” shtoi ai.

Duke iu referuar raporteve të Departamentit Amerikan të Shtetit, Lu theksoi se Shqipëria është qendër e aktiviteteve të krimit të organizuar që përfshin trafikun e drogës, të armëve dhe prostitucionit, ndërsa shtoi se vendi është në rrezik domethënës nga pastrimi i parave për shkak të korrupsionit të kudogjendur dhe sistemit të dobët ligjor.

Për të ilustruar paaftësinë e institucioneve, ambasadori amerikan mori si shembull tre figura të krimit të organizuar, të cilët i kanë shpëtuar së fundmi drejtësisë.

“Janë disa emra të famshëm kriminelësh shqiptarë, si trafikanti i dënuar i drogës Emiljano Shullazi, për të cilët media pretendon se vazhdon të kryejë trafik droge dhe armësh nga qelia e paraburgimit. Ose Lul Berisha, kreu i bandës së dhunshme të Durrësit që gabimisht u lirua herët nga zyrtarët e burgut. Kjo çoi në arrestimin e drejtorit dhe avokatit të burgut, por në mënyrë të mistershme, Lul Berisha mbetet i lirë,” tha Lu.

Një rast tjetër është Klement Balili, të cilit ambasadori iu referua si “magjistari”e që sipas tij ia ka dalë t’i shpëtojë drejtësisë shqiptare për 18 muaj “falë paaftësisë së prokurorëve, policisë dhe Ministrisë së Drejtësisë”.

Sipas Lu, katër klane kryesore kontrollojnë 20 familje kriminale në Shqipëri, të cilat menaxhojnë operacione të trafikut të drogës dhe atij njerëzor, shantazhe, vjedhje të makinave apo të pastrimit të parave. Ai theksoi gjithashtu se vendi ka një treg të zi jo të vogël të mallrave kontrabandë dhe mbetet nën rrezikun e vazhdueshëm të pastrimit të parave.

Mos arrestimi dhe dënimi i krerëve të organizatave kriminale në vend përgjatë dy viteve të fundit  është konsideruar nga ambasadori amerikan një shqetësim i madh për sistemin e drejtësisë. Ai përmendi se ndonëse në 2016 u bënë 1349 arrestime për krime të trafikimit të drogës, vetëm 100 nga këto raste u pasuan me dënime në Gjykatën e Krimeve të Rënda dhe mes tyre nuk gjendej asnjë personazh i ashtuquajtur si “peshk i madh”.

“Edhe më shqetësues është fakti që kishte zero dënime, zero arrestime, zero ndjekje penale për ndonjë peshk të madh për organizim, drejtim apo financim të organizatave të trafikut të drogës gjatë vitit 2016. Edhe në vitin 2015 ishin zero,” theksoi ambasadori.

Duke i quajtur të diplomuarit e shkollës së Magjistraturës si “ushtarët e rinj” të luftës kundër krimit të organizuar, Lu paralajmëroi se kjo luftë me gjasë ka për të qenë e egër dhe se për rezultatet duhet durim, guxim dhe sakrifica.

Ambasadori amerikan paralajmëroi gjithashtu nisjen e procesit të vetingut në javën e ardhshme, një proces që sipas tij do të bëhet siç duhet.

“Vetingu i gjyqtarëve dhe prokurorëve do të fillojë javën që vjen. Ka qenë rrugë e gjatë për të arritur deri këtu, por ky proces do të bëhet si duhet dhe me profesionalizëm, duke iu dhënë shpresë shqiptarëve se do mund të gjejnë drejtësi në gjykatat e tyre,” përfundoi ambasadori Lu.