Asambleja e Prishtinës | Foto: KALLXO.com

Agim Kuleta, Kryesues i Asamblesë Komunale të Prishtinës

Agim Kuleta, këshilltar i Asamblesë Komunale të Prishtinës nga Lëvizja për Bashkim (LB), është zgjedhur kryesues i kësaj asambleje, pas votimit që u bë sot.

Kuleta, i cili u propozua për këtë post nga Lëvizja Vetëvendosje, mori 27 nga 51 votat e këshilltarëve komunalë. Kundërkandidati i tij nga LDK, Shefki Gashi, mori 19 vota ndërsa 5 fletëvotime ishin të pavlefshme.

Lëvizja për Bashkim e Agim Kuletës, në këtë mandat, është në koalicion qeverisës komunale në Prishtinë me Vetëvendosjen, AKR-në dhe AAK-në.

Në fjalimin e parë si kryesues i Asamblesë së Prishtinës, Agim Kuleta, i falënderoi asambleistët për besimin e dhënë ndërsa tha se qytetarët e prishtinës duan “një qytet të zhvilluar, funksional dhe të bukur”.

“Prandaj ne, si përfaqësues të tyre, sa herë që të thirremi në interesat e votuesve tanë, duhet ta kemi të qartë se po thirremi në interesat e të gjithë qytetarëve të Prishtinës. Kjo, edhe duhet të na bëjë të përgjegjshëm për punën dhe veprimet tona të përditshme”, tha Kuleta.

“Unë, jam i bindur se edhe secili prej jush pajtohet me faktin se gjërat që na bashkojnë janë më të mëdha e më të rëndësishme se sa ato që mund të na ndajnë. Ne na bashkon interesi i Prishtinës dhe qytetarëve të saj, ndërsa mund të ndajë mënyra se si e shohim realizimin e këtyre interesave. Prandaj, duke besuar fuqishëm në këtë, si kryesues i këtij Kuvendi, do të përpiqem maksimalisht që ta kryejë punën time në mënyrë sa më profesionale. Do të jem i hapur dhe bashkëpunues me secilin prej jush, në funksion të mbarëvajtjes së punës në këtë institucion dhe në të mirë të qytetarëve e komunës sonë të përbashkët”, shtoi ai.

http://kallxo.com/agim-kuleta-e-shefki-gashi-garojne-per-kryesues-ne-prishtine/