Ndarja e kufijve sipas marrëveshjes së demarkacionit është ende e paqartë për publikun | Foto: përpunim mbi Google Maps

AAK: Ky Version i Demarkacionit Është i Papranueshëm

Këshilli Drejtues i AAK-së ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit rreth demarkacionit me Malin e Zi dhe hapësirën territoriale të Kosovës pas publikimit të gjetjeve të Komisionit shtetëror për Matjen e Territorit.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës vlerëson se ky version i demarkacionit është në kundërshtim me interesin nacional të Kosovës.

“Ai parasheh që Kosovës t’i merren disa mijëra hektarë tokë, prandaj është i papranueshëm”, vlerëson partia opozitare.

“Kalkulimet se ky version i demarkacionit është kusht për vizat, është një kushtëzim i pandershëm që është sajuar nga udhëheqja shtetërore e Kosovës”, thekson kjo parti në një komunikatë.

“Nuk mund të pranohet asnjë kushtëzim në dëm të territorit të vendit. Askush nuk ka të drejtë të bëjë pazar me territorin, pavarësisht pasojave”, thekson më tej komunikata.

AAK më tej thekson se deputetët dhe udhëheqja shtetërore do të mbajnë përgjegjësi politike, morale e historike nëse nuk do ta kuptojnë se nuk kanë as fuqi, as mandat që ta tjetërsojnë territorin e vendit.

“Çmimi i kalimit eventual të këtij versioni mund të jetë shumë më i lartë se sa kundërshtimi i tij”, thuhet në komunikatë.

“Kosova nuk ka pse të jetë rast i ndryshëm nga shtetet tjera që kanë pasur konteste me kufijtë e tyre.

Demarkacioni duhet të mos votohet dhe kjo çështje të shkojë në rinegocim me Malin e Zi, duke mos përjashtuar edhe arbitrazhin ndërkombëtar si zgjidhje”, thekson AAK, duke paralajmëruar se do ta kundërshtojë këtë version me të gjithë mekanizmat që janë në dorën e saj.

Në ditën e publikimit të draft-raportit të Komisionit qeveritar, deputeti nga radhët e LDK-së, Shpejtim Bulliqi, Komisionin e quajti joserioz dhe jokompetent.

http://kallxo.com/bulliqi-komisioni-per-matjen-e-territorit-joserioz/

Marrëveshja e demarkacionit doli para deputetëve, por u tërhoq më 1 shtator 2016.

http://kallxo.com/qeveria-terheq-demarkacionin-nga-rendi-dites/