Foto: Ilustrim

Vdes personi i nëntë nga gripi në Kosovë

Deri me 20 shkurt të këtij viti, tetë persona kanë vdekur si pasojë e gripit sezonal në Kosovë, ndërsa tani është shënuar edhe vdekja e nëntë.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka bërë të ditur se aktualisht janë raportuar gjithsej 29.938 raste të dyshimta në grip, 4.719 raste me Infeksion Respirator Akut dhe 43 raste me Infeksion të Rëndë Respirator Akut.

Raste të raportuara ka në të gjitha komunat e Kosovës thuhet tutje në njoftim mirëpo numri më i madh i rasteve është raportuar nga komuna e Prishtinës, Prizrenit dhe Ferizajit, por asnjëra nga këto komuna nuk e ka kaluar pragun epidemik.

Instituti ka bërë të ditur tutje se gripi sezonal në vend ka aktivitet me intensitet të mesëm por me tendencë rritje në javët në vijim.

“Në laboratorin e Qendrës kombëtare të gripit-IKSHPK deri më 22 shkurt 2019 janë testuar gjithsej 632 mostra të dyshimta në Influencë dhe prej tyre 223 raste rezultojnë pozitive në Influencën tip A (pozitiviteti 32.3 %). Sipas subtipit 161 mostra Influencë A e pa- subtipizuar dhe 62 mostra rezultojnë pozitive në sub-tipin AH1pdm09 që mbizotëron edhe në vendet e rajonit dhe të Europës.”, thuhet në njoftimin e Institutit.

Në anën tjetër, nga Klinika Infektive dhe Klinika Emergjente janë raportuar katër raste të vdekjes me subtipin AH1pdm09 dhe pesë raste me influencë A, pacientë të cilët kanë pasur sëmundje kronike të sistemit kardiovaskular dhe respirator dhe nuk ka qenë të vaksinuar me vaksinën e gripit sezonal.

Në Klinikën Infektive, Klinikën e Pediatrisë dhe spitalet rajonale nga 1 tetori 2018 deri më 22 shkurt 2019 janë hospitalizuar 477 raste me Infeksion Respirator Akut, 89 raste të dyshimta në grip dhe 43 raste me Infeksion të Rëndë Respirator Akut.

Gjatë 24 orëve të fundit janë hospitalizuar 5 raste me Infeksion Respirator Akut dhe 7 raste të dyshimta në grip, 1 rast me Infeksion të Rëndë Respirator Akut dhe 2 raste me Influencë A të konfirmuar.

Aktualisht situata epidemiologjike është nën kontroll sa i përket gripit sezonal, por me gjendjen aktuale klimatologjike që po mbretëron në Kosovë, ekziston mundësia e rritjes së rasteve, paralajmëron Instituti.

Masat parandaluese për përhapjen e virusit të gripit

Mënyra më efikase për parandalimin e virusit të gripit sezonal është vaksinimi me vaksinën kundër gripit.

  • Vaksinimi mbron vetë personin dhe ndihmon në parandalimin e përhapjes së gripit.
  • Vaksinimi kundër gripit sezonal bëhet në muajt tetor–dhjetor por edhe gjatë tërë sezonit të dimrit.
  • Efekti i vaksinës fillon 1 deri 2 javë pas marrjes dhe mbrojtja vazhdon rreth një vit pas vaksinimit.

Instituti Kombëtar apelon te të gjithë qytetarët të kenë kujdes ndaj gripit dhe të gjitha virozave të stinës dhe të lexojnë rregullisht rekomandimet në ueb-faqen e IKSHPK dhe në media duke senzibilizuar qytetarët e Republikës së Kosovës që nga fillimi i sezonit të gripit.

Rekomandimet për Institucionet shëndetësore

Rekomandimet e Institutit Kombëtar për Shëndetësi Publike duhet të ndërmerren në mënyrë strikte dhe të kontrollohet efekti i këtyre masave në mënyrë rigoroze:

  • Ngritja maksimale e nivelit të vigjilencës dhe gatishmërisë për veprim në situatën e krijuar 24 orë.
    • Kontrolli maksimal dhe inspektimet në të gjitha institucionet shëndetësore të vendit (Publike dhe Private),
    • Të gjitha rastet e dyshimta në grip të vazhdohet të evidentohen dhe raportohen nga të gjitha Institucionet Publike dhe Private Shëndetësore.
    • Në të gjitha institucionet shëndetësore të vendit (Publike dhe Private), të kenë të përgatitura dhoma të veçanta (posaçërisht në Klinikën Infektive të QKUK-së si dhe Institucionet tjera Spitalore të vendit).
    • Në të gjitha institucionet shëndetësore të vendit (Publike dhe Private), duhet që të shtohet kontrolli i brendshëm profesional në baza ditore duke implementuar rekomandimet e instancave të larta.
    • Të rritet në maksimum përkujdesja e stafit mjekësor dhe jo mjekësor ndaj higjienës personale dhe institucionale.
    • Të ndërpriten tërësisht vizitat e pa nevojshme si dhe prezenca e personave të pauniformuar në Institucionet Spitalore.
    • Të përdoren nga personeli shëndetësore masat mbrojtëse konform udhëzimeve.
    • Të vendosen materialet propagandistike dhe edukative për parandalimin e gripit në Institucionet Shëndetësore, shkollore apo entet publike ku tubohen qytetarët- nga përgjegjësit e tyre.
    • Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare (përfshirë gjithë qendrat e mjekësisë familjare ne vartësi te saj), Spitalet Publike Rajonale dhe spitale e qyteteve, përfshirë edhe ambulancat dhe spitalet private do ti raportojnë informatat rreth rasteve të rënda klinike mbi baza ditore direkt (sipas udhëzimeve) dhe me mjetet më të shpejta të Institutet rajonale të Shëndetësisë Publike.
    • Institutet rajonale do ti përpunojnë të dhënat dhe varësisht nga ecuria epidemiologjike raportojnë menjëherë Institutin Kombëtar me mjetin më të shpejt të komunikimit dhe dorëzojnë raportet javore të kompletuara në Institutin Kombëtar.
    • Marrja e mostrave për konfirmim laboratorik do të bëhet vetëm te pacient me simptome klinike të bazuara në definim të rastit në Klinikën Infektive.
    • Personeli i Klinikës Infektive i dërgon mostrat për konfirmim laboratorik dhe raporton për të gjitha rastet e hospitalizuara duke plotësuar pyetësorin përkatës.
    • Akoma mund të vaksinohen grupet e riskut (punëtorët shëndetësorë dhe personat me sëmundje kronike).

https://kallxo.com/8-te-vdekur-nga-gripi-ne-kosove/