Xhevahire Izmaku - FCB

Deputetja e PDK-së e përkrah konceptin e Thaçit për ‘korrigjim të kufirit’

Deputetja e PDK-së, Xhevahire Izmaku është deklaruar lidhur me fatin e Luginës së Preshevës në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi.

Ajo ka thënë se “Lugina shpejt do të ndjejë dorën e shtetit si bashkëkombës!”.

Këtë deklaratë ajo e ka bërë përderisa i është përgjigjur pyetjes së një qytetari në platformën “Vota Ime” të Institutit Demokratik të Kosovës (KDI).

Qytetari e ka pyetur deputeten se çfarë mendon për dialogun Kosovë-Serbi dhe se ku e shpie ky proces Luginën e Preshevës.

Ndërkaq, deputetja ka shtuar se nuk mund të jap shumë detaje për këtë çështje.

“Mendoj personalisht se Lugina shpejt do të ndjejë dorën e shtetit si bashkëkombës! Meqenëse jemi në proces ende, në këtë drejtim tani s’mund të jap detaje më shumë”, është përgjigjur Izmaku.

KALLXO.com ka kërkuar më shumë sqarime nga deputetja lidhur me këtë deklaratë.

Izmaku ka thënë për KALLXO.com se e përkrah idenë e presidentit Hashim Thaçi për “korrigjim të kufirit” në mënyrën se si ai e sqaron.

“Nëse ka me qenë si kusht kjo që mundemi me arrit një marrëveshje të paqes, sigurisht që do e mbështes pas asnjë dilemë. Shumë më me dëshirë e kam me i pas bashkatdhetarët afër, sesa Leposaviqin dhe Zveçanin. Kjo është shumë e qartë”, është shprehur deputetja.

Por në anën tjetër, kryetari i PDK-së, Kadri Veseli në vazhdimësi ka deklaruar se është kundër korrigjimit dhe shkëmbimit të territoreve, edhe pse ka shtuar se nuk do të heqin dorë nga qytetarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës.

 

https://kallxo.com/kadri-veseli-nuk-kemi-pretendime-per-shkembim-te-territoreve/

 

Por për këto qëndrime, deputetja e këtij subjekti politik, Izmaku thotë, se në PDK ende nuk dihet formati i marrëveshjes nga dialogu.

“Unë nuk e kisha quajt ende me këtë përkufizim sepse nuk ka askush diçka decidive. Nuk është bisedë zyrtare që është konsumuar në parti dhe nuk e din kërkush se çfarë formati është. Por në mënyrën se qysh e sqaron presidenti unë e përkrah”, thotë ajo.

Sipas Izmakut, termi “korrigjim i kufirit” nuk nënkupton ndryshim territorial.

“Me ndryshim e ndërron konceptin e statusit. Me korrigjim nuk është në pyetje ndryshimi i konceptit dhe statusit por gjërat të cilat kanë ndodhë prej viteve 60 e këndej, domethënë që ka pas ndryshime administrative. E ke pas një vendbanim në Kosovë dhe e ka marr Serbia e ka shkëputë pjesën edhe t`i ka dhënë dy komuna tjera atëherë unë e kuptoj që është korrigjim i diçkaje që ka ndodhë si padrejtësi prej fuqisë të shtetit serb”, ka sqaruar deputetja.

Megjithatë, vetë presidenti Thaçi, sërish ka deklaruar se një nga pikat e marrëveshjes gjithëpërfshirëse për paqe në mes të Kosovës dhe Serbisë do të jetë edhe përcaktimi i kufirit në mes të dy vendeve.

Këto deklarata, presidenti i ka dhënë të martën, gjatë një bashkëbisedimi në “Council on Foreign Relations” në Uashington DC.

“Një nga pikat do të jetë edhe demarkimi i kufirit në mes të Kosovës dhe Serbisë. Kjo është mundësi për të korrigjuar kufirin edhe në veri të Kosovës, edhe në jug të Serbisë”, citohet të ketë thënë Thaçi. Presidenti ndër të tjerash ka theksuar se, nëse një korrigjim i lehtë i kufirit është çmimi për marrëveshje përfundimtare të paqes, atëherë kjo do të duhet të jetë e pranueshme.