Ivica Daçiq

Daçiq shpreh ngushëllime për vdekjen e Mira Markoviqit

Kryetari i Partisë Socialiste serbe, Ivica Daçiq ka shprehur ngushëllime për vdekjen e Mira Markoviqit, bashkëshortja e ish-shefit të tij – Sllobodan Millosheviqit.

Mediat serbe raportuan sot për vdekjen në Rusi të Markoviqit.

Atje thuhet se Mira Markoviq ishte operuar disa herë dhe kohëve të fundit iu kishte përkeqësuar gjendja shëndetësore.

“Ne mund të mos kemi pasur gjithmonë mendime të njëjta, por gjithmonë e respektoja atë, si gruaja e Sllobodan Millosheviqit”, tha ministri i Jashtëm, Ivica Daçiq, për mediat serbe.

Mira Markoviq kishte ikur në Rusi më 2003 pak kohë pasi që bashkëshorti i saj, Sllobodan Millosheviq, ishte dërguar në Hagë për t’u gjykuar për krime lufte të kryera nga forcat serbe nën qeverisjen e tij në Kroaci, Bosnjë dhe Kosovë.

Millosheviq vdiq më 2006 pak kohë para se Gjykata e Hagës të shpallte aktgjykimin.

Mira Markoviq ishte kryetare e të Majtës së Bashkuar Jugosllave, JUL, parti e cila e mbështeti Partinë Socialiste të bashkëshortit të saj gjatë luftërave në Kroaci, Bosnje e Kosovë.

Markoviqit, djalit të saj Marko dhe vajzës Marija iu dha azil politik në Rusi.

Ata po kërkoheshin nga regjimi në Beograd për krime që varionin nga korrupsioni, shpërdorimi i detyrës deri te posedimi ilegal të armëve.

Ndonëse Interpoli lëshoi ​​një njoftim të kuq për arrestimin e saj pasi autoritetet serbe e kërkonin atë, Rusia nuk pranoi ta ekstradonte atë në Serbi.