Presidenti Hashim Thaçi së bashku me udhëheqësit e Luginës së Preshevës, Foto: KALLXO.com

Thaçi: Nuk do të ketë ndarje të Kosovës

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi pas një takimi të përbashkët me liderët e Luginës së Preshevës tha që nuk do të ketë ndarje të Kosovës, por do të ketë marrëveshje me Serbinë, si dy vende të pavarura.

“Sot dëgjova me vëmendje pozicionimin e liderëve që është më e hershme dhe nuk ndërlidhet fare me komentimet poshtë lartë të Kosovës. Ndarje nuk do të ketë. Marrëveshja do të jetë mes dy vendeve të pavarura”, ka deklaruar Thaçi në një konferencë për shtyp pas takimit të përbashkët ne liderët e Luginës së Preshevës.

Presidenti Thaçi, tha se e kemi obligim që jo vetëm të dëgjojmë me vëmendje problemet që i preokupojnë qytetarët e Luginës së Preshevës, por duhet të ndërmarrim veprime konkrete.

“Kosova respekton tërësinë territoriale të shteteve fqinje edhe të Serbisë. Serbia sikur çdo shtet tjetër e ka për obligim të respektojë të drejtat e minoriteteve me standardet më të larta. Serbia është larg përmbushjes së standardeve për përmbushjen e respektimit të të drejtave të shqiptarëve. Këtë ma konfirmuan edhe sot përfaqësuesit legjitim të qytetarëve të Preshevës”, ka theksuar Thaçi.

Ai iu ka premtuar qytetarëve që jetojnë në Preshevë se Kosova do të përdorë çdo mjet legjitim e demokratik për të drejtat e shqiptarëve që jetojnë në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc.

“Në të ardhmen pres koordinim më të mirë të përbashkët. Bashkësia ndërkombëtare, BE nuk mund të aplikoj standarde të dyfishta kur është në pyetje mbrojtja e interesave të komuniteteve në Kosovë e Serbi”, ka thënë Thaçi.

Ragmi Mustafa, përfaqësues i shqiptarëve në Luginën e Preshevës ka thënë se tre komunat me shumicë shqiptare duan të konfirmojnë se shqiptarët e Luginës kanë një kapital politik i cili duhet të jetësohet.

Sipas Mustafës, pse të mos zgjidhet çështja e Luginës së Preshevës në përmbyllje të dialogut Kosovë – Serbi.

“Në vigjilje të përmbylljes së bisedimeve Kosovë – Serbi pse të mos zgjidhet problemi i Kosovës Lindore, në këtë fushë ne jemi zotuar të respektojmë vullnetin politik të qytetarëve të Luginës së Preshevës të shprehura në referendumin e vitit 1992”, ka thënë Mustafa.

Kurse kryteari i komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi është shprehur se asnjëra nga tri marrëveshjet e nënshkruara me faktorin ndërkombëtar dhe nuk kanë dhënë rezultate.

“Kjo demokraci që thuhet se po evoluon ne Serbi nuk shihet në Luginën e Preshevës”, ka thënë Kamberi.

Sipas Kamberit, Lugina nuk mund të mbetet anash sepse nuk mund të ketë stabilitet në Ballkan.

Kryetari i komunës së Preshevës dhe kryetari i Alternativës për Ndryshim (APN), Shqiprim Arifi tha se referendumi i vitit 1992 ka shprehur qartë aspiratat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

“Akti më i madh demokratik që ka ndodhur në Luginën e Preshevës mos të harrojmë që nuk është një efekt i tanishëm por ka qenë një efekt në vitit 1992 kur ka ndodhur referendumi i cili ka shprehur qartë se çka është aspirata e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, që të jemi pjesë e Republikës së Kosovës”, ka thënë Arifi.

Arifi është shprehur se ata nuk janë duke folur për shkëmbim të territoreve me Serbinë por për qëndrimin e qytetarëve të Luginës së Preshevës.

“Ne nuk flasim për shkëmbim të territoreve, nuk flasim për pazare, por po flasim për qëndrimin e qytetarëve të Luginës së Preshevës që në konstrukt ku jemi duke jetuar nuk ka perspektivë, sidomos për të rinjtë”, ka përfunduar Arifi.

Gjatë ditës së djeshme, përfaqësuesit e Listës Serbe kanë mbajtur një takim prej 4 orësh me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

https://kallxo.com/perfundon-takimi-4-oresh-mes-listes-serbe-dhe-presidentit-vuciq/