TikTok përballet me ndalim të plotë në SHBA

Mes shqetësimeve se video aplikacioni i njohur përbën një kërcënim sigurie, TikTok-ut iu kërkua t’i ndajë rrugët me pronarët e tij kinezë për ta shmangur një ndalesë kombëtar enë Shtetet e Bashkuara.

Shtetet e Bashkuara kanë kërcënuar të ndalojnë TikTok në nëse pronarët kinezë të kompanisë së mediave sociale, ByteDance, nuk i shesin aksionet e tyre në aplikacionin e ndarjes së videove.

TikTok konfirmoi një raport të Wall Street Journal se Komiteti për Investimet e Huaja në SHBA (Cfius) i tha aplikacionit popullor të ndarjes së videove të ndante rrugët me ByteDance për ta shmangur një ndalesë në SHBA.

Është hera e parë nën administrimin e Presidentit Joe Biden që kërcënohet një ndalim i mundshëm i TikTok.

Paraardhësi i tij, republikani Donald Trump, ishte përpjekur të ndalonte TikTok në vitin 2020, por pati dështuar.

TikTok nën vëzhgim

Zyrtarët perëndimorë janë bërë gjithnjë e më të shqetësuar për potencialin që ByteDance mund t’i transmetojë të dhëna qeverisë së Kinës.

Kompania e lartcekur e ka mohuar vazhdimisht ndarjen e të dhënave me zyrtarët kinez.

Në fund të muajit të kaluar, Shtëpia e Bardhë u dha të gjitha agjencive federale 30 ditë afat për ta fshirë TikTok-un nga të gjitha pajisjet qeveritare.

Komisioni Evropian, Kanadaja dhe Australia e kanë ndaluar aplikacionin nga telefonat e tyre qeveritarë.

Por SHBA ka ndërmarrë gjithashtu një hap që do ta bënte më të lehtë një ndalim të plotë.

Ligjvënësit nga të dyja partitë në Kongres kanë punuar për legjislacionin që do t’i jepte administratës Biden më shumë fuqi për të ndaluar TikTok-un.

Javën e kaluar, këshilltari i sigurisë kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan, e ka vlerësuar masën e ndërmarrë, duke thënë se “do ta fuqizonte qeverinë e Shteteve të Bashkuara t’i parandalonte disa qeveri të huaja nga shfrytëzimi i shërbimeve teknologjike… në një mënyrë që paraqet rrezik për të dhënat e ndjeshme të amerikanëve dhe sigurinë tonë kombëtare”.

Shefi Ekzekutiv i TikTok, Shou Zi Chew do të dalë para Kongresit të SHBA javën e ardhshme.

TikTok thotë se investimi nuk do të sigurojë siguri

“Nëse mbrojtja e sigurisë kombëtare është objektivi, investimi nuk e zgjidh problemin: një ndryshim në pronësi nuk do ta impononte ndonjë kufizim të ri në rrjedhën e të dhënave ose qasjen”, tha zëdhënësja e TikTok, Maureen Shanahan.

“Mënyra më e mirë për t’i adresuar shqetësimet në lidhje me sigurinë kombëtare është me mbrojtjen transparente, me seli në SHBA, të të dhënave dhe sistemeve të përdoruesve në SHBA, me monitorim dhe verifikim të fortë nga palët e treta, të cilat ne tashmë po i zbatojmë”, shtoi ajo.

Kompania ka punuar me SHBA për gati dy vjet për t’i adresuar shqetësimet e sigurisë kombëtare. Ai tha se ka shpenzuar më shumë se 1.5 miliardë dollarë në përpjekjet rigoroze të sigurisë së të dhënave.

TikTok pretendon se ka më shumë se një miliard përdorues në mbarë botën, duke përfshirë mbi 100 milionë në SHBA, përfshirë dy të tretat e adoleshentëve të SHBA.

Përdoruesit tashmë shpenzojnë më shumë kohë në TikTok sesa në YouTube, Facebook, Instagram ose Twitter. /Deutsche Welle

Përgatiti: Nuhi Shala