TikTok padit shtetin e Montana për ta përmbysur ndalesën e parë nga një shtet amerikan

TikTok ka ngritur padi për ta bllokuar shtetin amerikan të Montanës nga ndalimi i banorëve për t’u qasur në këtë platformë.

Padia e së hënës vjen pasi javën e kaluar Montana u bë shteti i parë amerikan që miratoi një ndalim gjithëpërfshirës për platformën e ndarjes së videove në kompaninë e cila është në pronësi kineze.

Përmes një deklarate, TikTok  ka thënë se ndalimi bie ndesh me të drejtat e lirisë së fjalës në SHBA.

TikTok është vënë nën shqyrtim nga autoritetet në mbarë botën lidhur me shqetësimet se të dhënat mund t’i kalojnë qeverisë kineze.

Padia e depozituar të hënën në Gjykatën e Qarkut të Shteteve të Bashkuara për Qarkun e Montanas thotë se është duke e paditur për ta hedhur poshtë ndalimin si të “të paligjshëm”.

Padia e TikTok argumenton se ndalimi shkel të drejtën e Amendamentit të Parë kushtetues për fjalën e lirë.

Ndalimi do të hyjë në fuqi në janar 2024. Do ta bëjë të paligjshme që dyqanet e aplikacioneve ta ofrojnë TikTok-un, mirëpo nuk do t’i ndalojë njerëzit që tashmë kanë TikTok dhe mund ta përdorin atë.

Montana, e cila ka një popullsi prej pak më shumë se një milion banorë, e ka ndaluar aplikacionin në pajisjet qeveritare dhjetorin e kaluar.

TikTok thotë se ka 150 milionë përdorues amerikanë. Edhe pse baza e përdoruesve të aplikacionit është zgjeruar vitet e fundit, ai është ende më i popullarizuar nga adoleshentët dhe përdoruesit në të 20-at e tyre.

Megjithatë, ka shqetësime në të gjithë spektrin politik amerikan se TikTok mund të jetë një rrezik për sigurinë kombëtare.

TikTok është në pronësi të ByteDance – një kompani kineze. ByteDance e ka mohuar vazhdimisht se kontrollohet nga qeveria kineze.

Padia gjithashtu argumenton se Montana e ka tejkaluar autoritetin e saj duke u marrë me të dhënat e përdoruesve dhe sigurinë kombëtare – që është kompetencë e qeverisë federale.

Ai thotë se ndalimi bazohet në “spekulimet e pabaza” se qeveria e Kinës mund të ketë qasje në të dhënat e TikTok./BBC

Përgatiti: Nuhi Shala