Shtete anëtare të BE-së: Nga viti 2035 nuk do të ketë shitje të automjeteve të reja me motorë me djegie të brendshme

Shtetet anëtare të BE-së kanë arritur marrëveshje të hënën për ta ndaluar shitjen e automjeteve të reja me motorë me djegie të brendshme nga viti 2035, pasdakordimit me Gjermaninë për t’i përjashtuar nga ndalimi motorët që do të përdorin e-karburantet sintetike.

Marrëveshja është arritur në nivel të zëvendës përfaqësuesve të përhershëm të shteteve anëtare (Coreper I), dhe të martën duhet të konfirmohet nga ministrat e energjisë në takimin e tyre të rregullt, njoftoi presidenca suedeze.

Në fillim të këtij muaji, Gjermania e bllokoi ligjin tashmë të rënë dakord që e ndalon shitjen e automjeteve të reja me motorë me djegie të brendshme pas vitit 2035.

Ligji ishte votuar tashmë në Parlamentin Evropian dhe kishte mbetur vetëm një vendim formal në Këshill, por Gjermania e bllokoi atë në minutën e fundit, gjë që është jashtëzakonisht e pazakontë sepse në atë fazë të vendimmarrjes, vendimi i Këshillit zakonisht është thjesht një formalitet.

Të shtunën, Komisioni Evropian arriti një marrëveshje me Gjermaninë, sipas së cilës teksti ekzistues i ligjit për ndalimin e automjeteve me motorë me djegie të brendshme do të mbetet i pandryshuar dhe Komisioni mori përsipër ta miratojë një rregullore të deleguar deri në vjeshtë të këtij viti, e cila do ta prezantojë një kategori e re automjetesh në BE për automjetet që mund të punojnë vetëm me karburante neutrale ndaj karbonit.

Karburantet sintetike ose e-karburantet prodhohen nga hidrogjeni i pastër dhe dioksidi i karbonit të marra nga atmosfera. Këto lëndë djegëse mund të përdoren në motorët e sotëm me djegie të brendshme. Nga djegia e këtyre lëndëve djegëse çlirohet dioksidi i karbonit që tashmë është marrë nga atmosfera, kështu që nuk kontribuon në rritjen e emetimeve të dioksidit të karbonit dhe sipas rregullores së deleguar, do të konsiderohet lëndë djegëse neutrale ndaj karbonit.

Teknologjia e prodhimit të karburantit elektronik është ende në fillimet e saj dhe larg komercializimit. Prodhimi i tyre kërkon sasi të mëdha të energjisë elektrike nga burime të rinovueshme në mënyrë që të merret hidrogjen i pastër përmes elektrolizës.

Gjermania nga ana e saj arriti t’i bënte për vete disa vende të tjera anëtare si Italia, Polonia dhe Bullgaria dhe në këtë mënyrë mundi ta bllokonte vendimin në Këshill.

Shumë paralajmërojnë mundësinë e abuzimit, pasi edhe pas vitit 2035, karburantet klasike do të shiten në pikat e karburantit, duke qenë se edhe atëherë do të jenë në qarkullim automjetet e prodhuara para atij viti./Dnevnik.hr

Përgatiti: Nuhi Shala