NASA përzgjedh Lockheed Martin për ta ndërtuar raketën bërthamore që do ta shpie njerëzimin në Mars

NASA dhe DARPA e kanë përzgjedhur kompaninë e hapësirës ajrore dhe të mbrojtjes Lockheed Martin për ta zhvilluar një anije kozmike me një motor rakete termike bërthamore. E shpallur në janar, kjo nismë – në të cilën BWX Technologies do të sigurojë reaktorin dhe karburantin – quhet Demonstration Rocket for Agile Cislunar Operations DRACO, (Raketa Demonstruese për Operacionet e Agile Cislunar). Agjencitë e lartcekura synojnë ta shfaqin teknologjinë jo më vonë se në vitin 2027 me një sy drejt misioneve të ardhshme në Mars.

Propulsioni termik bërthamor (NTP) ka disa përparësi ndaj raketave me shtytje kimike. Së pari, është dy deri në pesë herë më efikas, duke i lejuar anijet të udhëtojnë më shpejt dhe më larg me shkathtësi më të madhe. Përveç kësaj, nevojat e tij të reduktuara për shtytës i lënë më shumë hapësirë anijes kozmike për ruajtjen e pajisjeve shkencore dhe gjërave të tjera thelbësore. Ai gjithashtu ofron më shumë opsione për skenarët e ndërprerjes, pasi motorët bërthamorë e bëjnë më të lehtë ndryshimin e trajektores së anijes për një udhëtim kthimi më të shpejtë se sa pritet. Këta faktorë kombinohen për ta bërë NTP (ndoshta) metodën ideale të udhëtimit në Mars.

“Këto sisteme më të fuqishme dhe efikase të shtytjes termike bërthamore mund të ofrojnë kohë më të shpejta tranziti midis destinacioneve”, thotë Kirk Shireman, Zëvendëspresident i Fushave të Eksplorimi Hënor për Lockheed Martin. “Reduktimi i kohës së tranzitit është jetik për misionet njerëzore në Mars për ta kufizuar ekspozimin e një ekuipazhi ndaj rrezatimit”.

Sistemi NTP do ta përdorë një reaktor bërthamor për ta ngrohur me shpejtësi karburantin e hidrogjenit në temperatura jashtëzakonisht të larta. Ky gaz derdhet përmes grykës së motorit, duke krijuar shtytjen e anijes. “Ky sistem shtytës termik bërthamor është projektuar të jetë jashtëzakonisht i sigurt dhe i besueshëm, duke e përdorur karburantin e uraniumit të pasuruar me shkallë të lartë (HALEU) për të ngrohur me shpejtësi një gaz super të ftohtë, siç është hidrogjeni i lëngshëm”, thotë BWX. “Ndërkohë që gazi nxehet, ai zgjerohet shpejt dhe krijon shtytje për ta lëvizur anijen në mënyrë më efikase sesa motorët tipikë me djegie kimike”.

Për të ndihmuar në shuarjen e shqetësimeve në lidhje me rrjedhjet radioaktive në atmosferën e Tokës, NASA dhe DARPA planifikojnë të mos e vënë në lëvizje reaktorin derisa anija të ketë arritur një “orbitë të sigurt bërthamore”, ku çdo tragjedi do të ndodhte jashtë zonës ku do ta prekte Tokën. Agjencitë synojnë për një demonstrim të një anije kozmike bërthamore deri në vitin 2027, të nisur nga një raketë konvencionale derisa të arrijë “një vendndodhje të përshtatshme mbi orbitën e ulët të tokës”.

Reaktorët bërthamorë gjithashtu do të luajnë një rol kyç në fuqizimin e habitateve të ardhshme marsiane, me NASA që teston versione të vogla dhe portative të teknologjisë që në vitin 2018.

Përpara se NTP t’i shtyjë njerëzit e parë në Mars, ai mund të përdoret në fluturime shumë më të shkurtra, pasi anijet kozmike me energji bërthamore mund ta bëjnë gjithashtu transportimin e materialit në Hënë më efikas. “Një anije kozmike tërheqëse bërthamore e sigurt dhe e ripërdorshme do t’i revolucionarizonte operacionet cishënore (hapësira mes Tokës dhe Hënës)”, thotë Shireman. “Me më shumë shpejtësi, shkathtësi dhe manovrim, shtytja termike bërthamore ka gjithashtu shumë aplikime të sigurisë kombëtare për hapësirën cishënore”./Engagdget

Përgatiti: Nuhi Shala