Elon Musk, Twitter-i dhe aplikacioni misterioz X

Kishte një përshtypje sikur Elon Musk dhe Twitter ishin të mbyllur në një mospajtim të përjetshëm.

Dhe pastaj, pati një kthesë të papritur – të paktën tani për tani – me një letër të shkurtër dhe të përmbledhur nga avokatët e Musk drejtuar Twitter-it, i cili njoftoi se ai synon ta blejë kompaninë Twitter në fund të fundit, dhe një cicërimë enigmatike nga vetë Musk për 107 milionë ndjekësit e tij në lidhje me krijimin e “X-it, aplikacioni për gjithçka”.

Kjo sagë filloi në prill të vitit 2022. Musk bleu disa aksione në Twitter dhe u ftua të bashkohej me bordin e tij. Fillimisht pranoi, e më pas nuk pranoi. Pastaj plasi edhe bomba e parë – ai donte ta blinte krejt Twitterin.

Twitter kaloi në modalitetin mbrojtës dhe u përpoq ta pengonte atë të bëhej aksionar i shumicës. Më pas ai ofroi një paketë blerjeje prej 44 miliardë dollarësh – më shumë se sa vlente Twitter-i – dhe investitorët e saj u pajtuan me këtë.

Twitter pranoi. Pastaj, plasi bomba numër dy: Elon Musk argumentoi se vlerësimi i kompanisë për sasinë e llogarive të rreme (spam dhe bot) në platformë ishte i pasaktë. 

Kjo çështje nuk u zgjidh asnjëherë – dhe bëri që Musk ta deklaronte tërheqjen nga blerja..

Dramë në sallën e gjyqit

Kishte spekulime se oferta e Musk ishte bërë në mënyrë impulsive dhe plani i tij për ta financuar marrëveshjen, që përfshinte shitjen e disa prej aksioneve të tij në kompaninë e tij të veturave elektrike Tesla, i kishte nervozuar investitorët në atë kompani, duke e detyruar atë të kërkonte një strategji daljeje. 

Në më pak se dy javë, dy palët ndërluftuese duhej të përballeshin me njëra-tjetrën në gjykatë, sepse, në këtë pikë, Twitter kishte bërë kthesën e vet dhe donte ta detyronte shitjen e Twitter-it. Kishte një tarifë përfundimi prej 1 miliard dollarësh në rrezik për secilën palë nëse largohej.

Tashmë kishte disa zbulime të turpshme të zbuluara në dokumentet e gjykatës – të tilla si mesazhe private që tregonin se Elon Musk dhe Shefi Ekzekutiv i Tëitter, Parag Agrawal kishin rënë në kundërshtim dhe themeluesi i Twitter Jack Dorsey ishte përpjekur të ndërmjetësonte.

Spekulohej se Musk po i blen vetes pak kohë dhe po i kursen vetës poshtërimin, përpara një çështjeje gjyqësore që shumë parashikuan se ai nuk kishte gjasa ta fitonte.

Aplikacioni ‘gjithçka’

Sa i përket postimit të tij në Twitter për “X, aplikacioni për gjithçka” – do të duhet ta shikojmë këtë hapësirë. Ai mund të shikojë diçka në përputhje me aplikacionin jashtëzakonisht të suksesshëm kinez WeChat. Ky është një lloj “super aplikacioni” i cili përfshin shumë shërbime të ndryshme duke përfshirë mesazhet, mediat sociale, pagesat dhe porositë e ushqimit – nuk ka ende një gjë të tillë në perëndim.

Krahasuar me rivalët e tij, Twitter është një platformë relativisht e vogël me rreth 300 milionë përdorues mujorë dhe nuk ka përjetuar asnjëherë rritjen eksponenciale të TikTok apo Instagram. Por ai konsiderohet me ndikim dhe përdoret gjerësisht nga politikanët, liderët botërorë dhe bizneset, për të ndarë komente dhe opinione.

Kur Musk i bëri të ditura për herë të parë synimet e tij për të blerë Tëitter-in, ai tha se donte të hapte platformën për më shumë “fjalë të lirë” dhe më pak moderim – një linjë e ndërlikuar për çdo kompani të mediave sociale për të ecur dhe për të mbajtur në përputhje me rregulloret e ndryshme rajonale dhe ligjet mbi gjuhën e urrejtjes.

Ndërkohë që lajmi është padyshim i mirë për biznesin në Twitter, aksionet e të cilit u rritën me 20% pas zbulimit të letrës së avokatit, Musk mund të vendosë ta kthejë platformën në një lloj këndi lojërash shumë të ndryshme. Kjo mund t’i largojë fansat e saj aktual – por gjithashtu të sjellë një turmë krejtësisht të re. Sido që të jetë, Shefi Ekzekutiv Parag Agrawal ka të ngjarë ta fshijë CV-në e tij./BBC

Përgatiti: Nuhi Shala