Ekspertët e teknologjisë bëjnë thirrje për një pauzë 6-mujore në zhvillimin e AI

Ndërkohë që Inteligjenca Artificiale (AI) po zhvillohet shumë shpejt, një grup ekspertësh kanë bërë thirrje për një pauzë. Ata kanë paralajmëruar për efektet negative që zhvillimi i Inteligjencës Artificiale mund të ketë mbi shoqërinë dhe njerëzimin.

Disa liderë në fushën e teknologjisë së fundit kanë nënshkruar një letër që u publikua të mërkurën, duke u bërë thirrje zhvilluesve të inteligjencës artificiale ta ndalojnë punën e tyre për gjashtë muaj.

Letra paralajmëron për rreziqe të mundshme për shoqërinë dhe njerëzimin pasi gjigantët e teknologjisë, të tillë si Google dhe Microsoft garojnë për të ndërtuar programe të AI që mund të mësojnë në mënyrë të pavarur.

Paralajmërimi vjen pas lansimit në fillim të këtij muaji të GPT-4 (Generative Pre-trained Transformer), një program AI i zhvilluar nga OpenAI me mbështetjen e Microsoft.

“Sistemet e fuqishme të AI duhet të zhvillohen vetëm pasi të kemi besim se efektet e tyre do të jenë pozitive dhe rreziqet e tyre do të jenë të menaxhueshme”, thuhet në letër.

Kush e ka nënshkruar letrën?

Nënshkruesit e letrës përfshijnë emra të mëdhenj, të tillë si Shefi Ekzekutiv i Stabilitetit AI Emad Mostaque, studiuesit në DeepMind në pronësi të Alphabet si dhe  emra të njohur siç janë Shefi Ekzekutiv i Tesla dhe Tëitter, Elon Musk dhe bashkëthemeluesi i Apple, Steve. ëozniak.

Letra thotë se “muajt e fundit i kanë parë laboratorët e AI të bllokuar në një garë jashtë kontrollit për të zhvilluar dhe vendosur mendje dixhitale gjithnjë e më të fuqishme që askush – madje as krijuesit e tyre – nuk mund t’i kuptojë, parashikojë ose kontrollojë në mënyrë të besueshme.”

“Ne u bëjmë thirrje të gjithë laboratorëve të AI që të ndalojnë menjëherë për të paktën 6 muaj trajnimin e sistemeve të AI më të fuqishme se GPT-4”, shton ai. “Kjo pauzë duhet të jetë publike dhe e verifikueshme dhe të përfshijë të gjithë aktorët kryesorë. Nëse një pauzë e tillë nuk mund të zbatohet shpejt, qeveritë duhet të ndërhyjnë dhe ta vendosin një moratorium.”

Qeveritë po i zgjedhin qasjet e tyre

Letra u organizua nga Instituti jofitimprurës Future of Life – i cili financohet kryesisht nga Musk sipas regjistrit të transparencës së BE-së – dhe i pason përpjekjet e Mbretërisë së Bashkuar dhe BE-së për të gjetur një zgjidhje se si ta rregullojnë këtë teknologji që po shënon progres me shpejtësi të madhe.

Qeveria britanike publikoi të mërkurën një dokument që jepte një ide për qasjen e saj, por tha se do të “shmangë legjislacionin e ashpër që mund ta mbysë inovacionin”.

Ligjvënësit e BE-së kanë qenë gjithashtu në bisedime në lidhje me nevojën për rregulla të AI, mes frikës se mund të përdoret për të përhapur dezinformata të dëmshme dhe për t’i bërë të gjitha punët të panevojshme.

Megjithatë, kjo letër nuk ka kaluar pa kritika.

“Këto lloj deklaratash kanë për qëllim të ngjallin zhurmë. Kanë për qëllim t’i shqetësojnë njerëzit,” thotë Johanna Björklund, studiuese e AI dhe profesoreshë e asociuar në Universitetin Umea. “Unë nuk mendoj se ka nevojë për tpauzë.”

Ajo bëri thirrje për më shumë transparencë sesa për një pauzë./Deutsche Welle

Përgatiti: Nuhi Shala